Ali Salaj: Qeveria dhe fati i gazetës “Koha javore”

July 5, 2012   | Kulturë / Kultura

Ali Salaj

Gjatë një takimi në restorantin buzë Liqenit të bukur të Shasit, ish ambasadori amerikan në Mal të Zi, Roderik Mur, shfaqi habinë kur me interesimin e tij e njoftova se gazeta e pakicës shqiptare “Koha javore”, në vend që të falet, shitet 0.50 Euro. Habia e ambasadorit ishte edhe më e madhe kur mori vesh se gazeta e vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi nuk financohet nga themeluesi (Kuvendi apo Qeveria), por është lënë në mëshirën e fatit.

Këto reminishenca m’u ngjallen pasi lexova një shkresë të ndihmësministrit të Kulturës, mr. Zhelko Rutoviq, drejtuar Qeverisë e që kishte të bënte me fatin e gazetës “Koha javore”. Në të,  në mënyrë kontradiktore paraqiten arsyetimet për mosfinancimin e “Kohës javore”. Me një gjuhë demagogjike, ai i referohet “Ligjit për media” dhe ”reformave të mediave”, por pa përmendur asnjëherë Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale dhe Konventën Evropiane mbi Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave. Z. Rutoviq sikur jeton në një botë paralele dhe nuk sheh sesi funksionojnë një mori e gazetave të pakicave në një shtet si Serbia, i cili nuk është edhe aq i njohur për respektimin e të drejtave të pakicave. Në këtë shtet botohen me dhjetëra gazeta të pakicave: “Bunjevačke novine” (në gjuhën bunjase), “Hlas Hudu” (në gjuhën sllovake), “Libertatea” (në gjuhën rumune), “Magyar Szo” (në gjuhën hungareze), “Ruske slovo” (në gjuhën rusine), “Nacional” (në gjuhën shqipe)… ose botimi i shumë gazetave në rajon: Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni. Të gjitha këto gazeta financohen nga ministritë e qeverive të vendeve përkatëse vetëm me një ndryshim formal: të drejtat e themelimit nga Kuvendi janë bartur te këshillat nacionale të pakicave ose te ndonjë subjekt tjetër, por gjithnjë duke e ruajtur burimin e financimit e që është Qeveria.

Edhe pse në atë kohë ishte në fuqi i njëjti “Ligj i mediave”, ish ministri i Kulturës, Sportit dhe Medias, Predrag Sekuliq, në një takim me redaktorin përgjegjës shfaqi respekt për rolin e gazetës “Koha javore”, duke theksuar se “pakica shqiptare duhet të informohet në gjuhën amtare dhe se mbetet obligim i institucioneve shtetërore të Malit të Zi që të përkujdeset për mbarëvajtjen e ‘Kohës javore’”. Për këtë arsye, është e pakuptueshme që sot e njëjta ministri mban qëndrim tejet indiferent ndaj një gazete që botohet në një gjuhë e cila dallon shumë nga gjuhët sllave në Mal të Zi.

Ndërprerja eventuale e gazetës “Koha javore” do të kishte pasoja të dukshme për imazhin e Malit të Zi në fillimin e negociatave për pranim në BE, si dhe do të ngjallte konotacione negative te shqiptarët në Mal të Zi, të cilët aktualisht kërkojnë një gazetë ditore.

Se fatin e gazetës “Koha javore” e ndjek me interesim edhe faktori ndërkombëtar, këtë duhet ta ketë parasysh si Ministria e Kulturës ashtu edhe Qeveria e Malit të Zi. Ende është i freskët rasti kur në prill të vitit 2009 u bë përpjekje për reduktimin dhe ndërprerjen eventuale të  kësaj gazete. Reagimi i fuqishëm me këtë rast i kongresistit Sander M. Levin dhe i senatorit Carl M. Levin  alarmuan edhe Departamentin e Shtetit, gjë e cila i shkaktoi telashe të dukshme diplomacisë malazeze në Uashington, Nju Jork dhe Podgoricë.