Kraja e Çapriqi, anëtarë të rinj të Akademisë së Shqipërisë

July 27, 2012   | Shtypi / Mediji

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave pranon në radhët e saj gjashtë anëtarë të rinj, duke e çuar në 39 numrin e tyre, bën të ditur ‘Panorama’. Ata janë personalitete të shquar të shkencave natyrore dhe humane. Një ndër ta mjeku kardiolog Pandeli Çina, i diplomuar në Akademinë Mjekësore të Varshavës dhe i specializuar në Paris, në Huston dhe San Francisco, si edhe në Zyrih dhe Gjenevë. Anëtar i ri i kësaj akademie është edhe gjuhëtari Emil Lafe, bashkautor në veprat themelore për shqipen standarde: “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, në “Gramatikën e gjuhës shqipe”, si dhe në “Fjalorin drejtshkrimor të shqipes”. Shkrimtari kosovar Mehmet Kraja është një ndër anëtarët më të rinj. Ai është një nga prozatorët më të njohur sot në letërsinë shqipe. Për të vijuar me  Basri Çapriqin (Kosovë), profesor i letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik të Prishtinës dhe ndër poetët më të njohur. Akademisë i shtohen edhe dy profesorë amerikanë, si Bryan S. Turner, i cili mban titullin “Presidential Professor” në The City University of New York, është profesor i afiliuar në Yale University, si dhe Victor Friedman, i cili mban titullin “Andrew W. Mellon Professor” në disiplinat humane dhe është profesor i gjuhëve dhe letërsisë sllave në University of Chicago. Friedman është ndër ballkanologët dhe albanologët më të shquar në kohën e sotme. Ai ka bërë kërkime në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë në të gjitha vendet ballkanike për më shumë se 30 vjet dhe ka vizituar Shqipërinë në shumë raste.

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave u themelua më 17 dhjetor 2011. Në përbërje të saj janë emra të shquar të artit, kulturës, shkencës shqiptare, si Ismail dhe Helena Kadare, Inva Mula, Ermonela Jaho, Adrian Civici, Fatos Tarifa, Limoz Dizdari, Pëllumb Xhufi, Isuf Kalo, Xhevat Lloshi etj. Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave u krijua me dëshirën dhe vullnetin për të promovuar krijimtarinë më të mirë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare të realizuar në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe në diasporë.

KOHA NET