Botuesit kosovarë, të painteresuar për Panairin e Ulqinit

July 30, 2012   | Rajoni / Region

Në agjendën për edicionin e ri, organizatorët e ekspozitës së librit në qytetin bregdetar, kanë lënë vend për 25 shtëpi botuese. Mes tyre, ata thonë se do të ketë edhe botues nga Kosova. Por Shoqata e Botuesve të Kosovës nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet ftesës për t’u bërë pjesë e Panairit të Librit në Ulqin. Evenimenti pesëditor i librit do të nisë në ditën e tetë të muajit gusht. Panairi i Librit në Ulqin, sivjet organizohet nga Qendra Kulturore në Ulqin, në bashkëpunim me komunën. Vitin e kaluar Komuna e Ulqinit kishte realizuar panairin në bashkëpunim me Shoqërinë e Librit Shqip, derisa dhjetë edicionet e para komuna i kishte realizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë.

Botuesit kosovarë ende nuk kanë marrë ftesë zyrtare për të marrë pjesë në panair, megjithëse nuk e kanë ndërmend t’i thonë “po” kërkesës.

“Nuk kemi marrë ende ftesë, por sidoqoftë nuk e besoj që do të marrim pjesë. Me thënë të drejtën panairet sezonale nuk i kemi në agjendë dhe nuk kemi shumë energji të merremi me to”, ka thënë Besian Zenelaj, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Nail Draga, drejtor i Qendrës Kulturore në Ulqin, që sivjet organizon panairin në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, ka thënë se ftesa për t’u bërë pjesë e panairit u dedikohet gjithë botuesve shqiptarë.

“Ftesa është publike dhe ne shfrytëzojmë rastin që t’i informojmë botuesit shqiptarë nga Kosova e Shqipëria se janë të mirëseardhur”, ka thënë Draga.

Ai ka dhënë shpjegime për lajmet që kanë qarkulluar nëpër medie në Mal të Zi, ku thuhet se edicioni i 12-të i panairit rrezikon të mos mbahet.

“Problemi ka qenë se ne nuk e disponojmë infrastrukturën përkatëse, por së fundi jemi marrë vesh me një shtëpi botuese në Mal të Zi që të marrim me qira gjërat e tyre”, ka shpjeguar Draga.

Draga ka zbuluar detaje për mënyrën se si do të realizohet sivjet panairi.

“Do të jenë mesatarisht 25 shtëpi botuese dhe panairi si zakonisht mbahet në shëtitoren në Ranë. Në dispozicion të botuesve do të jenë 100 metra katror”, ka thënë ai.

Sa i përket numrit të vizitorëve, Draga është i bindur që do të jetë i mjaftueshëm.

“Panairi zgjat pesë ditë dhe shpresojmë që duke qenë piku i sezonit do të ketë numër të konsiderueshëm të vizitorëve, duke marrë parasysh edhe vendin e përshtatshëm në të cilin mbahet”, ka thënë ai.

Sipas tij, ende nuk është caktuar lista me mysafirët, por ftesa do t’u bëhet përfaqësuesve institucionalë të Kosovës e Shqipërisë.

“Jemi në bisedime dhe janë gjasat maksimale që të jenë të pranishëm përfaqësues të ministrive të kulturës nga Kosova e Shqipëria”, ka thënë ai.

Në edicionin e kaluar në ceremoninë e hapjes së panairit kanë qenë të pranishëm ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, zëvendësministrja për Kulturën pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë, Zana Turku, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave i Malit të Zi, Ferhat Dinosha, e të tjerë. Megjithatë, organizatorët kishin sjellë më pak botues e libra se që kishin paralajmëruar. Edhe pse organizatorët kishin njoftuar se në Panair do të marrin pjesë rreth 50 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Kroacia, shumica prej tyre nuk i ishin përgjigjur ftesës.

Koha Net

1