Arif Ziberi i “Elita 5”: Fama më ka prishur punë me gruan

September 14, 2012   | Lajmet / Vijesti

Ata janë legjendarët e muzikës rock në Shqipëri… Grupi “Elita 5” dëgjohet në çdo vend me endje dhe këngët e tyre janë të përshtatshme për çdo brez. “Nuk jam diktator” titullohet klipi i fundit që djemtë kanë hedhur në treg dhe kanë servirur për admiruesit e muzikës së tyre. Në këtë intervistë për Palomën, vokalisti Arif Ziberi na zbulon planet më të afërta të grupit, na rrëfen subjektin e këngës së re dhe na njeh me historinë e elitarëve të pëlqyer kudo e kurdo.

Cilat janë tiparet e një diktatori?
Sigurisht që i referoheni këngës më të re të grupit ‘Elita 5’, “Nuk jam diktator”… Arti është një fushë, ku artistët, me gjithë fuqinë e shpirtit të tyre kanë promovuar vlerën e lirisë. Vlerat që janë në themel të artit duket i japin atij dimensione të pamata njerëzore. Unë, nëpërmjet këtyre vlerave të lirisë shoh tiparet e diktatorit, prandaj edhe këndoj “Nuk jam diktator”.
E nisëm intervistën qëllimisht me këtë përshkrim, sepse kënga juaj e fundit mban titullin “Nuk jam diktator”. Si është pritur nga publiku?
Kënga është pritur shumë mirë nga fansat tanë. Edhe kritikat kanë qenë pozitive dhe mendoj se kemi bërë një punë të mirë me të. Autorët e këngës përfshijnë: kompozitorin e grupit, Wirusi; tekstin, nga Avni Qaili; kurse klipin e ka punuar produksioni “Fabrika” nga Shkupi.
Mbeteni në elitën e muzikantëve shqiptarë… Keni një sekret suksesi apo një arsye pse jeni kurdoherë të pëlqyer?
Sekreti është korrektësia ndaj adhuruesve tanë. Kudo ku paraqitemi e performojmë japim maksimumin për të kënaqur publikun. Profesionalizmi ndaj punës që bëjmë na jep seriozitetin e duhur.
Zanafilla e grupit daton në fillim të viteve ’90-të… Mund të ndajmë një opinion për tregun muzikor dhe evoluimin e tij, deri ditët e sotme?
Grupi ynë është njohur nga opinioni i gjerë në vitet ’90-të, me publikimin e albumit të parë. Pastaj punët kanë rrjedhur vetë, kohë pas kohe, sukses pas suksesi dhe ja ku u bënë 21 vite dhe “Elita 5” ende funksionon bindshëm në tregun muzikor shqiptar.


Numëroni koncerte të shumta në Shqipëri e diasporë… Cilin prej tyre mund të përzgjedhim si më të veçantin, që ju ka lënë më tepër mbresa?
Numërojmë shumë koncerte gjatë karrierës sonë. Njërin prej tyre, që më ka ngelur sot e kësaj dite në kujtime, do ta veçoj: Bëhet fjalë për koncertin në Tiranë, në vitin 2001, me grupin e njohur botëror “Scorpions”. Aty e kemi parë konkretisht se si funksionon një bandë botërore dhe për ne ishte një përvojë e madhe, e papërsëritshme.
Do t’i shohim “Elita 5” të performojnë në skenat e festivaleve shqiptare?
Jo… Grupi “Elita 5” nuk ka marrë pjesë kurrë në ndonjë festival dhe kjo nuk ka për të ndodhur as në të ardhmen. Mendoj se grupi nuk e ka vendin në të tilla kompeticione.
Këngët tuaja janë kolonë zanore për dashurinë e të rinjve. Ju personalisht, si e përkufizoni termin ‘dashuri’?
Arti në thelb ka dashuri në të gjitha mënyrat e shpërfaqjes së saj. Quhet dashuri edhe kur dhemb, edhe kur ëmbëlson. Unë jam për dashurinë e vërtetë (sa e kërkuar është ajo nga çdo njeri), dashuri që buron nga ndjenja më e pastër që posedon njeriu me gjithë qënien e tij.
Mund të japim disa këshilla për grupet e reja që po eksperimentojnë në muzikën rock?
Duhet të punojnë sa më shumë dhe të jenë korrektë ndaj adhuruesve të tyre. Kështu suksesi nuk do u mungojë asnjëherë.
Arritjet profesionale janë edhe të shpërblyera monetarisht; ndjehesh i pasur?
Jo, nuk ndjehem i pasur, por kam aq sa më duhet për të bërë një jetë normale. Nuk më mungon asgjë, as mua e as familjes sime dhe e gjithë kjo, falë muzikës, profesionit e pasionit tim.
Raportet midis anëtarëve të grupit tuaj vijojnë të mbeten të shkëlqyera. Me cilin prej kolegëve Arifi ndjehet më i afërt?
Kemi raporte shumë të mira në grup dhe kjo mund të shihet përmes funksionimit të tij. Jemi kaq gjatë në treg dhe vijojmë të jemi në formacion të njëjtë. Ky fakt vërteton raportet tona në grup. Nuk mund të veçoj asnjërin prej tyre, i kam miq të mirë.
Në performancat artistike imazhi ka rol të rëndësishëm… Sa kujdeseni për pamjen? Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të prisni flokët?
Kujdesem për pamjen aq sa mundem… Më ka shkuar shumë herë në mend që t’i pres flokët, po për shkak të karrierës nuk e kam bërë diçka të tillë. Ama jam i bindur se do të vijë dita kur do të eksperimentoj me pamjen time, dëshira nuk mungon. (qesh)
E kishit imagjinuar që do të vinte një ditë ku do të kishit këtë status: Vokalist i njërit prej grupeve më të famshme shqiptare?
E kam menduar shpeshherë, por nuk e kam besuar. E konsideroj veten me fat që mu realizua një ëndërr kaq e madhe, – të jem vokalisti i njërit nga grupeve më të njohura shqiptare.
Kur ke dalë në skenë për herë të parë? Mund t’i kujtojmë emocionet e atij interpretimi?
Emocionet kanë qenë të papërshkrueshme. Më kujtohet kur mora për herë të parë mikrofonin në dorë: Dora më dridhej dhe mendoja se nuk do ta bëja dot kurrë këtë punë. Me kalimin e kohës çdo gjë erdhi natyrshëm dhe unë sot jam këngëtar (buzëqesh).
A keni rivalë? Nëse po, cilët?
Vlerat e vërteta të artit janë gjithmonë në rivalitet…
Zëri kaq i ëmbël dhe tërheqës, të ka ndihmuar për të bërë për vete vajzat që pëlqeje?
Zëri im është sa i ëmbël aq edhe i ashpër, për këtë arsye jam këngëtar rroku. Ky element i dytë i zërit tim ndoshta më ka bërë më të ekuilibruar në sytë e vajzave dhe sigurisht “më ka prishur punë ndonjëherë”…(qesh).


Një deklaratë publike përmes Gazetës sonë…
Dëgjoni, shikoni, lexoni vazhdimisht dhe sa më shumë. Vlerat nuk janë të vështira për t’u identifikuar, nëse keni bërë përpjekje për t’i identifikuar ato.
Nëse përballë do kishe veten, cilën pyetje do i bëje të parën dhe cilën nuk do ia bëje kurrë?
*Sa punë duhet të bëja akoma për të qenë një këngëtar edhe më i dashur për publikun?
*A ke mbaruar së dhuruari këngë që i bën admiruesit të dashurojnë edhe më shumë me pastërti? Përgjigjja në këtë rast është “Jo”.
Kujtimi që ruani me më tepër fanatizëm nga fëmijëria juaj…
Ruaj shumë kujtime si çdo fëmijë, por nuk do të veçoja ndonjë në veçanti. Ishin kohë të bukura, të cilat i kujtoj me nostalgji.
Jeni tifoz futbolli? Nëse po, për cilin ekip bëni tifo?
Po, jam tifoz futbolli. Jam tifoz i kombëtares shqiptare, kurse nga ekipet jam i flaktë me ekipin anglez të Arsenalit.
Sa ndikon në jetën tuaj fakti që jeni personazh publik?
Të qenurit personazh publik ka ndikim të madh në jetën time, pasi e di se kudo që paraqitem jam në qendër të vëmendjes dhe duhet të kem kujdes me mënyrën se si sillem.

 

Bluetooth

YouTube Preview Image