Gjonajt e Reçit,erdhën emigrantë e u bënë milionerë në Amerikë

September 28, 2012   | Opinione

Gjonajt e Reçit, një shembull i integrimit të suksesshëm

Gjekë Gjonaj

Kanë kaluar  dyzetë e ca vjet kur familja Gjonaj nga fshati Reç i  komunës së  Ulqinit, buzë lumit Buna,  mori rrugën e mërgimit për në tokën e premtuar Shtete të Bashkuara të Amerikës, duke  lënë  vendlindjen, për të zbuluar  një kontinet të ri, për të cilin kishin dëgjuar se  është një vend i begatë i cili pranon njerëz të varfër nga i gjithë globi. Gjonajt, si shumë ermigrantë të tjerë shqiptarë nga Mali i Zi, shkuan dhe ia dolën me sukses  në tokën e shpresës, në tokën e mundësisë, në tokën  e  demokracisë së botës së qytetëruar, ku  iu dha   mundësia   që t’i shpalosin  dhe t’i venë në jetë aftësitë e tyre fizike dhe mendore.

Njerëz të punës

Bashkëbiseduesi ynë, mërgimtari  Lazër Gjonaj ( 62 vjeç), me të cilin një ditë shtatori  të bukur me diell  vizituam fshatin e tij të lindjes, shtëpinë ( kullën dykatëshe)  tashmë të vjetëruar, e lënë në mëshirën e kohës, pa dyer e dritare, pa pullaz, e braktisur,   e vetmuar,  pa asnjë banorë të saj,  kishën katolike   brenda mureve të së cilës ndodhen   varrezat e bukura të fshatit,   ku prehen  të parët e tij dhe shumë reçasë të tjerë si   dhe objektin e sapofilluar   për nevojat e  reçasve, në vlerë prej afro 70 mijë dollarë amerikanë. Ulur në dy karrige të bardha nga plastika , nën hijen dhe flladin e një lisi pranë kishës së  Reçit, filluam  bisedën.

“  Familja ime, babai Kola, nëna Pashka dhe motra Nevenka, pas tre muajsh qëndrimi  në Itali,  emigroi në qytein njujorkez- Bronks, në vitin 1970.  Fillimisht u strehuam te axhat Frani e Loroja, të cilët kishin emigruar  para nesh.  Gjëja e parë që kërkuan, pasi arritëm në kryeqytetin e botës në  Nju-Jork, ishte puna fizike, sepse e dinim se pa punë nuk mund të mbajmë familjen. Fillova  të punoj punët më të rënda, që nuk i kisha punuar ndonjëherë më parë në vendlindje si djalosh atëherë 21 vjeç. Nuk  u kënaqa vetëm me punën 15 vjeçare në turnin e ditës në pastrime, në kompaninë e njohur   të Rrok Felerit.  Vazhdova të punoj 25 vjet si udhëheqës i grupit prej 280 meshkujsh dhe 110 femrash edhe  në turnin e natës, ku fillimisht jam  paguar 90, kurse së fudmi  975 dollarë në javë.  Pas  katër dekadash  pune të lodhshme  në këtë kompani tani gëzoj pensionin nga i cili jetoj mirë“,  shprehet Lazri.

Erdhën emigrantë  e u bënë milionerë

Brezi i vjetër i  Gjonajve,ndonëse   pa ndonjë përgaditje shkollore, me zgjuarësinë e tyre natyrore dhe  me aftësinë e tyre fizike , arritën  me kohë  ta kuptojnë se  në Amerikë pa shkollë nuk mund të ecësh përpara,  prandaj fëmijët e tyre i drejtuan në shkolla.   Të etur për dije    këta të rinj me fat  shqiptaro-amerikan  arrijtën të diplomojnë në universetite të ndryshme  prestigjioze të Amerikës, duke u integruar suksesshëm në  shoqërinë amerikane.  Në mesin e tyre ka shumë intelektual të profesioneve të ndryshme  që    kanë bërë emër në  shumë fusha. Këta njerëz   që ditën të përshtaten shumë mirë në jetën e re amerikane, të dhënë pas shkollimit dhe biznesit  falë punës  dhe aftësisë   arrijtën të pasurohen . Askush nuk mund të thotë  se  sa llogaritet pasuria e  Gjonajve të Reçit në Amerikë, por  ka shumë njerëz që më kanë thënë se  ata janë  fisi më i pasur nga radhët e shqiptarëve të komunës së Ulqinit në Nju-jork dhe se janë ndër të  paktët emigrantë  shqiptarë që kanë ditur të shfrytëzojnë oportunitetet që të jep Amerika. Erdhën emigrantë e u bënë milionerë. Megjithatë  kapitalin e vet  të fituar me shumë mund në dhe të huaj, nuk e kursyen vetëm për vete. Donacionet e shumta të kësaj familje  në Nju-Jork  dhe vendlindje janë  vepër shembullore dhe humanitare.

Mark Gjonaj,  bëri histori

Nëse komuniteti shqiptaro-amerikan sot ka një figurë që e njohin dhe e nderojnë të gjithë ai është padyshim Mark Gjonaj, i lindur në Nju-Jork, i cili e flet shqipen e mësuar, siç ka deklaruar ai për mediat amerikane, nga gjyshërit.   I njohur deri  më tani si  biznesmen i suksesshëm, pronar i qindra apartamenteve, shitblerës patundshmërisë dhe ndër aktivistët më të sukseshëm shqiptaro-amerikan, ndërsa sot arrijti të bëjë histori në politikën amerikane. Në zgjedhjet zyrtare të 13 shtatorit për garën fillimore për Partinë Demokratike në Ansamblenë e Nju-Jorkut në  Qarkun  80-të, me reth 160 mijë banorë,  sfidoi bindshëm me meritë    rivalët politkë me më shumë përvojë politike se ai, duke u bërë , me sa unë kam informacion, shqiptari i parë që fiton në zgjedhje shtetërore në Nju-Jork, si anëtar i ansamblesë së qytetit mbas ish kongresmenit  republikan Joseph DioGuardi ( arbëresh nga jugu i Italisë), president i lobit të parë shqiptar në  SHBA ( Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane).

Krenar që janë shqiptar

Edhe pse  Gjonajt nga Reçi i Ulqinit   kanë shkuar  kaherë në gurbet gjithmonë e ruajtën gjuhën  dhe kombin e vet. Lidhja e fortë familjare, afërsia ndaj njëri-tjetrit, dashuria ndaj gjuhës,  ndaj kombit e  vendlindjes së tyre,  respekti reciprok,  vlerat njerëzore, edukata e shëndosh, ndikuan që  ata të  ndjehen krenar se janë shqiptar. „Jemi shqiptar dhe shqiptar do të vdesim“,  më tha  zëshëm Lazër Gjonaj, i cili  të nesërmen e  shoqërimit të tij të parë me  mua në Ulqin, udhëtoi për në Nju-Jork, me premtimin se  së shpejti do të takohemi përsëri në  vendlindjen e tij, për të  vazhduar bisedën aty ku  mbetëm.  Lazri në ndarje më dhuroi  fotografinë e prindërve të  tij,  të vveshur në kostumin kombëtar,  nga e cila më la të kuptoj   gatishmërinë dhe përkushtimin e plotë të familjes  Gjonaj  në   ruajtjen e vlerave kombëtare dhe të trashëgimisë sonë kulturore  dhe përcjelljen e këtyre vlerave   nga brezi në brez,e kudo është ajo.Me rëndësi është të dimë ti vlerësojmë dhe çmojmë vlerat tona, të lexojmë e të ushqehemi me vlera e patriotizëm e atdhedashuri.

1