Cungu: Kjo shqiponjë ka fluturuar dhe do të fluturojë edhe në Ulqin – Video

December 1, 2012   | Lajmet / Vijesti, Rajoni / Region

Në Tiranë u inauguruar sot Memoriali i Shqiponjës, simbolit të shqiptarëve, një projekt i financuar nga biznesmeni dhe veprimtari Lazim Destani.

Në ceremoninë e përurimit të kësaj vepre morën pjesë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, 13 kryetarë të komunave nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, mes tyre kryetari i Prishtinës, Tetovës, Preshevës, Gostivarit, Strugës, Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Ulqinit, etj.

Memoriali i Shqiponjës u vendos në zonën e quajtur, rrethrrotullimi i Doganës, i cili njëherësh merr emrin sheshi “Shqiponja”, ndërsa shqiponja, 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra do të qëndrojë nga sot denjësisht dhe krenare, në qytetin e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar shqiponjën, simbol force, krenarie dhe lartësie për shqiptarët.

“Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100 vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot  jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”

Kryeministri Sali Berisha ka uruar në mënyrë të veçantë, në përvjetorin e 100- të Pavarësisë të rinjtë, që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë, më të bashkuar.

“Ju uroj gëzuar qytetarëve të Tiranës, qytetarëve shqiptarë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen: “Gëzuar 28 nëntorin!”. Le të urojmë ne së bashku, me përpjekje të madhe, të frymëzuar nga vepra e atyre që bënë të mundur që sot ne të jemi të lirë, të punojmë për të bërë përfundimisht të vërtetë idealin më sublim të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë! Le t’u urojmë ne të rinjve shqiptarë, që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë e më lart, gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë , më të bashkuar!”

Financuesi i kësaj vepre madhështore Lazim Destani ka apeluar për bashkim kulturor, arsimor dhe ekonomik të shqiptarëve:

“Sot, dëshira më e madhe e çdo shqiptari  është të jemi të bashkuar . Bashkimi është proces që ka filluar . Le ta përshpejtojmë bashkimin tonë arsimor, kulturor, ekonomik dhe në të gjitha fushat e tjera, për ta bërë realitet ëndrrën e shumëpritur të bashkimit kombëtar. Prandaj sa herë që janë në pyetje interesat gjithëshqiptare, duhet të jemi unikë e të flasim me një zë”

Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha se sot shqiptarët ndihen krenarë, për atë që kanë arritur në këto 100 vite:

“Sot, shqiptarët kudo që janë të gjithë, le të jemi krenarë për të arritur gjatë këtij shekulli të mëvetësisë së shtetit shqiptar! Sot Shqipëria është shtet në NATO, shtet i cili është afër integrimi të Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i bindur dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës, se përmbyllja e suksesshme  e këtij procesi  do të kremtohet kudo me të njëjtin entuziazëm,  si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë  dhe në viset e tjera shqiptare  ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, Kosovën lindore, Çamëri, Mal të Zi, në diasporën tonë dhe anekënd  këtij globi”

Nazif Cungu, Kryetar i komunës së Ulqinit:

Ne sot, përulemi para atyre burrave dhe grave që dhanë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës . Çdo shqiptar përcjell me krenari arritjet tuaja. Sot, më shumë se kurrë kanë arsye të punojnë dhe të jenë më optimistë, për një të ardhme më të ndritur, duke kontribuar çdo ditë e më shumë në vlerat dhe idealet tona kombëtare.  T’i lemë pas vuajtjet dhe të jetë ky 100 vjetor  fillim i një ere të re,  erë në të cilën fëmijët tanë nuk do të njohin më ndarje. Kjo shqiponjë ka fluturuar dhe do të fluturojë edhe në Ulqin.

Sadi Bexheti, Kryetar i Komunës së Tetovës:

Shpreh kënaqësinë time të thellë dhe të gjithë qytetarëve të Tetovës që sot, bashkë me ju, në festën e madhe të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të inaugurojmë në  mesin e “Shqiponjës”, si simbol bashkimi e bashkëpunimi dhe si simbol i identitetit kulturor dhe politik dhe  historik të shqiptarëve. Shqiponja mbetet si krye simbol, për të gjithë hapësirat shqiptare.

Ragmi Mustafa, Kryetar i Komunës së Preshevës:

Sjell mesazhin më  të madh të Luginës së Preshevës  për festat e nëntorit, ditën e Flamurit, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe festa të tjera, për të cilat do mblidhemi këtë nëntor.  Shqiponja është një ikonë, është simboli kombëtar i flamurit kombëtar që i identifikon shqiptarët kudo që janë.(INA)


3