A ka Ulqini një të ardhme të sigurt

December 15, 2012   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Foto: Sejdo Ismaili

Është shumë e arsyeshme dhe e preferueshme, madje edhe obliguese që bashkatdhetarët tanë , të cilët kanë kapital dhe ndjejnë përgjegjësi morale dhe kombëtare për vendlindjen e braktisur,të investojnë në bregdetin e tyre të Ulqinit, sepse në këtë mënyrë do të kontribuonin për krijimin e kushteve jetësore të rinisë e cila ende nuk ka emigruar.

Tash dhjetë vjet në veçanti, kur bregu i detit edhe në këtë rajon,u centralizua edhe mekanizma të qeverisë republikane e morën në duar administrimin e tij, u krijua një kaos i vërtet , qoftë në ndërtimin e objekteve apo shfrytëzimin e plazheve.Pushteti vendor i Ulqinit më kot vazhdimisht ka bërë vërejtje për këtë mënyrë të menaxhimit me pjesën më pikante të territorit të kësaj komune, duke kërkuar që të kthehet brenda kompetencave të tij,por të gjitha këto reagime nuk janë dëgjuar nga pushteti qendror.Kanë reaguar edhe banorët e Shtojit, si rajoni më i goditur i shpërdorimit të resrseve natyrore në territorin e Komunës së Ulqinit, madje duke kërkuar përgjegjësinë më të madhe të ish- drejtuesve të Ndërmarrjes Publike “Të mirat detare” me seli në Budvë për degradimin e bregut të Bunës dhe të Fushës së Shtojit si pasojë e ndërtimeve pa kriter të restoranteve të shumta dhe të nxjerrjes së sasirave të mëdha të zallit për ndërtimtari që shitet edhe jashtë Malit të Zi, duke mos paguar asnjë centim në arkën e BL të Shtojit e as të administratës vendore të Ulqinit.

Udhëheqja e re e kësaj ndërmarrjeje ka paraljmëruar një regjim tjetër të bregut të detit e në kuadër edhe të pjesës që përfshin komuna e Ulqinit.Në radhë të parë është aksioni i pastrimit të bregut të detit nga objektet e përkohshme, numerikisht të shumta,të zvoglojë numrin e atyre që jepen me(stër)qira, jo vetëm objektet e përkohshme,por edhe plazhet edhe në këtë mënyrë të ngritet cilësia e ofertës turistike.
Mjafton të bësh një vizitë vetëm përgjatë Plazhit të madh të Ulqinit. Me qindra stande të cilët funksionojnë vetëm stinës turistike.Është shumë e vërtetë se pronarët e tyre ose i japin me qira ose ushtrojnë vetë ndonjë veprimtari tregtare duke siguruar të ardhura të konsiderueshme,por në këtë kohë kur bëhen kontrata me partnerë nga jashtë për vizitën e vitit të ardhshëm,janë një pasqyrë jashtëzakonisht e pafavorshme ,posaçërisht për Ulqinin që pretendon të prezentojë një ofertë bashkëkohore turistike.Mërgimtarët tanë të cilët disponojnë kapital ka shumë arsye që të investojnë në bregdetin e tyre, Ulqin sepse kështu do të ndihmonin për t`u krijuar kushte jetese rinisë e cila në gjendjen aktuale nuk sheh asnjë perspektivë këtu, por të marrë rrugët e kurbetit. Mirëpo, kjo nuk është zgjidhje , sepse zbrazja e trojeve tona etnike, është varianti më fatkeq i fillimit të këtij mijëvjeçari kaq të mjegulluar.Nuk mund të jenë fatlumë bashkatdhetarët tanë në perëndim , duke u krenuar se kanë arritur të pasuri kolosale, nëse në vendlindje më kot vite të tëra pritet ndonjë vend pune.Është parë se qeveria e Malit të Zi është e interesuar vetëm për votat tona e jo për të investuar.

Postuar nga Edini

1