Ministri Makolli takoi zv.ministrin për diasporë të Malit të Zi,Branislav Karadžić

December 21, 2012   | Rajoni / Region

Foto nga takimi Ibrahim Makolli dhe  Branislav KaradzicMinistri i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, u takua me zv/ministrin dhe drejtorin e përgjithshëm për çështjet konsullore dhe për diasporë në Republikën e Malit të Zi, Branislav Karadžić, me drejtorin për diasporën e Malit të Zi, Gordan Stojović, si dhe me kryetarin e shoqatës së malazezve të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Malazeze, Slobodan Vujičić.

Në këtë takim, ministri Makolli i njoftoi të pranishmit për aktivitetet dhe fushëveprimin e Ministrisë së Diasporës dhe, mekanizmat për përkujdesje institucionale për mërgatën. Në këtë rast, ministri Makolli shprehu gatishmërinë e plotë për bashkëpunimin mes Ministrisë së Diasporës dhe Republikës së Malit të Zi në fushën që ka të bëjë me forcimin e lidhjeve me diasporën. “Trajtimi ynë për mërgatën si ministri është i plotë, pavarësisht komuniteteve që i takon”, theksoi ndër të tjera ministri Makolli.

Ndërkaq, z. Branislav Karadžić shprehu nevojën e bashkëpunimit me të thellë mes Ministrisë së Diasporës dhe institucioneve të Malit të Zi në pikëpamjen e fuqizimit të lidhjeve të mërgatës me shtetet amë.

Kurse, Gordan Stojović, drejtor për diasporën e Malit të Zi, duke e falënderuar ministrin për pritjen, tha: “Jemi duke punuar në hartimin e ligjit për diasporën malazeze dhe kërkojmë ndihmën dhe bashkëpunimin tuaj në këtë fushë”.