Salaj: Krijuesit shqiptarë dhe shpërblimet vjetore

December 30, 2012   | Kulturë / Kultura

AliSalaj_Ulqin

Ndarja e shpërblimeve tradicionale paraqet një performancë nderimi për punën e personaliteteve të kulturës, artit, shkencës, sportit por edhe të njerëzve të thjeshtë që me veprimtarinë e tyre kontribuan në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë. Në vendet e zhvilluara dhe të konsoliduara këtë performancë e mbajnë institucionet kulturore publike dhe shtetërore, të cilat kanë mundësi dhe kapacitet që laureatëve përveç nderimit dhe kënaqësisë tu ofrohet edhe ndonjë shpërblim material që do të ishte shumë motivues për ata.

Për fat të keq në hapësirën tonë kulturore mungon kjo llojë  praktike kështu që në mungesë të saj, Art Club-i u përpoq që si shoqatë joqeveritare ta animojë dhe promovojë këtë ngjarje kulturore. Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve Art Club gjatë veprimtarisë së saj 22 vjeçare po e ndan këtë çmim për të 17 herë.  Ky çmim,  që fillimisht nisi si shpërblim vjetor padyshim e ka pasuruar jetën kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi duke ndikuar pozitivisht tek krijuesit, të cilët duhet pranuar  se ende  sot gjenden në margjina të shoqërisë. Ky çmim edhe pse tejet modest është një satisfakcion për krijuesin ,i cili në tranzicionin e rrëmujshëm ka mbetur në udhëkryq dhe i hutuar nga neglizhenca e institucioneve dhe të shoqërisë.

Shpërblimi  i Art Club-it më tepër është i karakterit shpirtëror, por megjithatë përmbushi synimin që edhe krijuesit nga Ulqini dhe në përgjithësi krijuesit shqiptarë në Mal të Zi  të përjetojnë për një çast kënaqësinë suptile për krijimtarinë e tyre.

Në këtë kuadër do të ishte e nevojshme që institucionet e ndryshme duke nisur nga Komuna e Ulqinit, Qendra Kulturore, Këshilli Nacional i Shqiptarëve e ndonjë tjetër të themelojnë ndonjë çmim vjetor për krijuesit shqiptarë dhe në një farë menyre ti dilet hakut angazhimit të tyre të vazhdueshëm në zhvillimin dhe afirmimin e artit, kulturës dhe shkencës.

( Fjala me rastin e ndarjes së Çmimit Tradicional të Art Club-it lauret i së cilit ishte  Dr. Simë Dobreci )

Ali Salaj