Zëri i Dinos tërhoqi vëmendjen e Alma Bektashit

January 14, 2013   | Lajmet / Vijesti

Dino Zhygjeli terhoqi vemendjen e Alma BektashitDino Zhygjeli eshtë njëri nga pesë të përzgjedhurit e Alma Bektashit që do ta përfaqësojnë në “Netët live”. Të gjithë kanë një pasion të madh për muzikën dhe një sfidë me veten. Fitorja është e dëshiruar nga të gjithë, por deri atëherë, ata duan të tregojnë se janë këngëtarë në skenë.

Në emisionin  Voice of Albania  para ca ditësh u bë e ditur se Aleksandri, Matej, Jozefina, Dino, Mjellma, Keleri, Venera dhe Lindi jane gjysmefinalistet e Voice of Albania 2!
Për Dinon, pjesëmarrja në “The Voice of Albania” ka qenë një ëndërr që tashmë e ka realizuar. Dino Zhygjeli vjen nga Ulqini. Pas “Audicioneve të fshehura”, ku zgjodhi të bëjë pjesë në skuadrën e Almës, “Betejat” ishin një sfidë e fortë për të.

Dino Zhygjelit i pëlqejnë shumë sfidat

“The Voice of Albania 2” ka bërë bashkë shqiptarë nga të gjitha trevat. Një prej tyre ishte Dino Zhygjeli, një zë që tërhoqi vëmendjen e Almës që në “Audicionet e fshehura” e që vendosi ta çojë edhe në “Netët live” duke fituar kështu përballjen me Orlandon.

Dino vjen prej një formimi muzikor dhe pasioni për muzikën është shumë i madh. “Me muzikën kam nisur të merrem që kur nisa vitin e parë të shkollës së muzikës, që në moshën 7-vjeçare, kur fillova orët e mësimit të kitarës dhe solfezhit. Që atëherë isha i angazhuar në disa konkurrime në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Austri. Me përfundimin e shkollës së mesme u bëra këngëtar dhe kitarist i grupit ‘Sexy Very Much’ të Malit të Zi. Pastaj vjen dhe pjesëmarrja në ‘Top Fest’, ku u nominova për ‘Best New Artist’”, tregon Dino. Ndryshe nga disa konkurrentë të tjerë, Dino është i ambientuar me skenën dhe së fundmi publiku e njeh si vokalistin e ri të grupit “Burn”.

Dino Zhygjeli Voice of Albania2

Dino në pesëshen finaliste të skuadrës së Almës?

“Po, e prisja edhe pse konkurrenca është e madhe. Është normale që pritshmëritë deri diku janë të mëdha që nga momenti që vendosa të jem pjesëmarrës i këtij spektakli muzikor. Gjithmonë pretendojmë për më shumë, për më lartë, për më mirë”.

Në rastin e tij, është e natyrshme të pyesësh: Cila ishte shtysa që e çoi në “The Voice”?

“Si karakter, jam person që më pëlqejnë shumë sfidat. Këtë e shoh si shtysën kryesore për pjesëmarrjen time tek ‘The Voice’”, thotë Dino. Tani për tani mendon të paraqitet sa më mirë në “Netët live”, një fazë shumë e rëndësishme e këtij spektakli. Por edhe nëse rrugëtimi i tij në “The Voice” nuk do të shkojë më tej, ai një gjë e ka të sigurt, do të vazhdojë të jetojë me muzikën, ashtu siç ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë në vazhdim. “Kjo është ajo që bëj, sepse e dua”, thotë Dino.