Çfarë ofron Tivari më shumë se Ulqini në fudboll?

January 31, 2013   | Sporti / Sport

FC KUKESIJA PSE EKIPET SHQIPTARE ZGJEDHIN AKOMA MALIN E ZI

Nga MEJDAN ZHIVANI

Edhe gati më shumë se pas 10 vitesh, ekipet shqiptare të futbollit, si në verë, ashtu edhe në dimër, “emigrojnë” për në Mal të Zi. Kohët e fundit, ndoshta të kushtëzuar edhe nga financat, numri i tyre është ulur, por kurrsesi vendi fqinj nuk është “tradhtuar” nga shqiptarët, që duket se kanë arsye të fortë për një gjë të tillë.

Edhe kësaj radhe, pjesë e vëzhgimit tonë, ishin kampingjet stërvitore të skuadrave shqiptare në Mal të Zi, që ishin reduktuar në dy të tilla, Vllaznia dhe Kukësi. Megjithatë, edhe kaq është mjaftueshëm për të mos e braktisur plotësisht fqinjin tonë, pjesë e të cilit, si shtet, janë edhe disa troje etnike shqiptare.

Çfarë ofron Mali i Zi më shumë se Shqipëria?

Pas më shumë se 20 vjetësh të ndryshimit të sistemit në Shqipëri, përsëri ekziston mania e klubeve për të zhvilluar fazat përgatitore, apo edhe për pushimet, për t’i kaluar në vendet e huaja, madje ende pëlqejnë Malin të Zi. Në vija të përgjithshme, çdokush që ka shkelur një herë në tokën malazeze, qoftë edhe një herë të vetme, e di shumë se çfarë ofron ky vend dhe se çfarë i mungon Shqipërisë.

Kësaj radhe, duke ndjekur edhe stërvitjet e Vllaznisë dhe të Kukësit, preka nga afër shumë një realitet krejt të ri, një realitet ndryshe nga vitet e tjera. Sapo kalon në tokën malazeze, në pikën doganore të Murriqanit, edhe pse është e njëjta gjerësi gjeografike, e njëjta klimë, apo resurse të tjera natyrore, janë të njëjta me Shqipërinë, duket një botë dhe një realitet krejt tjetër.

Duke mos dashur të ndalemi tek infrastruktura rrugore, apo gjëra të tjera të kësaj natyre, vizitën e parë e bëjmë te skuadra shkodrane, e cila nën drejtimin e Artan Bushatit, përpiqet të japë “shkëndijat” e para të një ndryshimi të madh. Ndërsa krejt tjetër është situata apo atmosfera në kampin kuksian, ekip i cili drejtohet nga Armando Cungu dhe ishte akomoduar rreth 40 kilometra larg Vllaznisë.

Kushtet e akomodimit të të dyja skuadrave janë thuajse të shkëlqyera, në kushte atmosferike të njëjta me Shqipërinë, që ndoshta në ndonjë rast, në vendin tonë infrastruktura rrugore është më e mirë se atje. Mirëmenaxhimi i çdo resursi, qoftë njerëzor, natyror apo të fushave të tjera bëjnë diferencën me vendin tonë në këtë drejtim. Aty, pra në Mal të Zi, i kushtohet rëndësi çdo detaji sado të vogël.

Madje të bën përshtypje se hotelet, ku janë akomoduar dy ekipet tona shqiptare, janë pronë shtetërore, që për nga shërbimi që ofrojnë, nuk e dallon nëse janë vërtetë të tillë, apo janë në dorën e privatit. Nëse një gjë të tillë e kishim prekur nga afër çdo vit në Ulqin, te hotel “Olimpik”, ku ishte akomoduar edhe kësaj radhe Vllaznia, tani në Tivar, ku ishte akomoduar Kukësi, rikonfirmuam të njëjtën gjë, apo diçka më shumë.

Drejtori i hotel “Sidro”, buzë detit, një ish-futbollist edhe i ekipeve kombëtare në Mal të Zi, Dragan Nikeziç, qëndronte gjatë gjithë kohës në gatishmëri. Për herë të parë hasim në faktin se drejtori, apo menaxheri i një hoteli të tillë, ka qenë më parë futbollist dhe që drejton një sipërmarrje të tillë shtetërore, me profesionalizëm të lartë, ku edhe cilësia e shërbimit ishte në të njëjtin nivel.

Pra, fqinjët tanë malazezë bëjnë diferencën me ne shqiptarët, vetëm te përkushtimi në punë dhe kultura e punës. Kanë një traditë pune, kanë një vijueshmëri nga e kaluara, gjë të cilën nuk e kanë “flakur” asnjëherë, të paktën për ato gjëra që konsiderohet pozitive.

Për ta, për më tepër në komunikim me publikun, ka shumë rëndësi, pa lënë mënjanë shërbimet që i ofrojnë atij, çdo gjë ndodhet brenda standardeve të kërkuara, apo për atë çfarë ke rënë dakord më parë. Ndoshta Shqipëria ka më shumë resurse të çfarëdo lloji, por mungon manaxhimi, që duhet të jetë një sistem i tërë shërbimesh dhe jo hallka të shkëputura nga njëra-tjetra. Ja pra se çfarë ofron Mali i Zi më shumë se Shqipëria.

Ulqini e Tivari, dy qytete shqiptare që ndryshojnë nga njëra-tjetra

Emri i këtyre dy qyteteve shqiptare, por që tashmë janë pjesë administrative e Malit të Zi, është i njohur për çdo shqiptar. Për shkak edhe të afërsisë gjeografike, Ulqini është vizituar dhe vizitohet më shumë dhe më shpesh nga shqiptarët e Shqipërisë, ndërsa Tivari mbetet një qytet më i pak i “eksploruar” nga ne, por jo i panjohur.

Janë këto dy qytete shqiptare, që lidhen me njëra-tjetrën përmes një rrugë shumë të bukur anës detit, por që në fakt, ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Edhe pse dy qytete etnikisht shqiptare deri vite më parë, në Tivar tani e ke tepër të vështirë të gjesh shqiptarë, apo të paktën të komunikosh në shqip.

Ulqini, që është një popullsi me mbi 95% shqiptarë, është një histori tjetër. Por në Tivar popullsia vendëse, ose është asimiluar, ose është shpërngulur për në troje të tjera, brenda apo jashtë Malit të Zi. Rrugës nga Ulqini për në Tivar, ndalojmë rrugës për të pirë një kafe dhe asnjë person që takon, qoftë edhe në shërbimin në lokal, nuk flet, apo nuk dinë asnjë fjalë shqip.

Komunikimi në italisht, apo edhe në anglisht, është akoma edhe më i vështirë me ta, pasi nuk e njohin fare. Futemi në qytetin e Tivarit (ky është emri i vjetër i këtij qyteti, pasi malazezët, për ta sllavizuar, i thërrasin “Bar”) dhe duke përdorur ndonjë fjalë të gjuhës serbo-kroate me banorët vendës, arrijmë të gjejmë hotel “Sidro”, ku ishte akomoduar Kukësi.

Vlerësimi për shqiptarët

Duke iu referuar shifrave zyrtare, 18% e popullsisë në Tivar janë shqiptarë, por siç duket, ata u përkasin zonave periferike, apo tek ata ekziston ndonjë frikë për t’u prononcuar si të tillë, edhe nëse janë në qendra urbane. Sapo futemi në hollin e hotelitm takohemi me menaxherin e turizmit, që e njeh pëllëmbë për pëllëmbë Malin e Zi, shkodranin Ardian Zaganjori, i cili nuk na ndalet derisa ne marrim rrugën edhe një herë për Shqipëri. Zaganjori ka qenë edhe “shkesi” apo menaxheri i ekipit të Kukësit për t’u akomoduar në hotel “Sidro”, ku stërviten në kushte të shkëlqyera edhe skuadra të njohura nga Mali i Zi, Rusia, Serbia, apo edhe vende të tjera të Europës.

Më pas kontakti i radhës është me drejtorin e hotelit (ish-futbollist) Nikeziç (që në bisedë të lirë më të, pranon se prejardhja e tij është shqiptar, por këtu e 500 vjet më parë), i cili flet me superlativa për shqiptarët, për më tepër që në këtë rast ishte shumë vlerësues dhe mirënjohës për njerëzit e medias. Më të dëgjuar se kishte mbërritur një grup gazetarësh nga Shqipëria, në hotelin e hotelit vjen edhe një tjetër ish-futbollist dhe ish-trajner, tashmë presidenti i gazetarëve në Mal të Zi, Dragan Stojanoviç.

Edhe ai shpreh vlerësimet maksimale për shqiptarët, ndërsa menaxheri Zaganjori është në çdo hap me ne, për të përkthyer çdo fjalë. Nuk mungojnë dhuratat për ekipin tonë, nga një bluzë e ekipit kombëtar malazezm si shenjë respekti dhe vlerësimi, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen, duke kërkuar të ndërtohen urat e bashkëpunimit mes palëve.

Ide, e cila mund të përqafohet shumë shpejt në të ardhmen dhe mund të bëhet realitet. Edhe ky aspekt është një tjetër tregues dallues i atij çfarë ofron Mali i Zi, në raport me Shqipërinë. Skuadra e Kukësit është stërvitur 10 ditë në Tivar, duke lënë përshtypje mjaft të mira, në rregull, disiplinë, në kulturë, por edhe të kompletuar në gjithçka, duke u treguar si një klub i madh europian.

http://sport-1.info