Tharmi i shqetësimit: Kushtuar harmonise fetare ne mes te shqiptareve
Tharmi i shqetësimit
Edhe pse historia na tregon shumë për tolerancën fetare, prapë se prapë secili nga ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi, sipas shkrimtarit Ismail Kadare: “Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Mjafton e çara e parë serioze, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve,
Gjekë Gjonaj, Ulqin
Të gjithë ata që e njohin të kaluarën e Malësisë kanë thënë dhe thonë se malësorët janë dalluar ndër shekuj për tolerancën fetare dhe për një bashkëjetesë të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Kjo është e vërtetë e pakontestueshme ! Malësorët e shumëvuajtur, si të gjithë shqiptarët, nuk e kishn formuar këtë harmoni fetare dje, e as sot, por është kjo vlerë dhe thesar i çmuar i shqiptarëve që buron me shekuj. Ata tolerancën dhe mirëkuptimin në mes veti e kishin kuptuar si dy gjëra që duhet t’i posedojnë, t’i ruajnë dhe t’i kultivojnë nga brezi në brez. Virtyti i solidarizimit e mbajti gjallë shpirtin e malësorëve dhe atëherë kur ishin buzë greminës. Myslimanë apo i krishterë nga çdo cep i Malësisë ishin një dhe të pandarë. Motoja e tyre kryesore ishte dhe duhet të jetë: Ta duam njëri – tjetrin, si vëllau – vëllanë, si shqiptari-shqiptarin. Po nuk e deshtëm kombin, gjuhën, historinë, flamurin, gjakun e veten tonë, nuk mund të presim se do të na dojë dikush tjketër”. Këtë parim ata e bazonin në faktin se për të gjithë shqiptarët, sikur edhe te popujt e tjerë, mbi të gjitha duhet të jetë interesi kombëtar dhe se feja nuk duhet të jetë element ndarjeje në mes të shqiptarëve.
Shembuj të tolerancës ndërfetare ndër malësorët
Dëshmia më e mirë e harmonisë fetare në jetën shoqërore të malësorëve na vërtetohet historikisht në shumë raste si në luftë e në mbrojtje bashkë, në dasma, në festa, në gëzime, në hidhërime bashkë. Po të nismim dhe të rendisim shembuj në lidhje me tolerancën fetare ndër malësorët gjatë shekujve, nuk do të mundemi t’i përmbledhim me një shkrim kaq të shkurtër. Por le të jetë kjo një përpjekje modeste për t’i kontribuar sadopak tolerancës dhe harmonisë ndërfetare të malësorëve,e cila gjatë historisë ka pasur edhe sprovat e veta, që për fatin tonë të mirë janë kaluar me guxim e gjakëftohtësi. Nga biseda me personalitetin e nderuar ish kryeimamin e Tuzit, Rexhep Lika, i cili 21 vjet ka shërbyer me dinjitet si udhëheqës shpirtëror në Malësi veçojmë këta shembuj:
- 1. Me rastin e festës së madhërueshme të Kurban Bajramit, në vitin 1967 priftërinjtë katolikë të Malësisë kishin ardhur për ta përgëzuar Likën në shtëpinë e tij. Kur ata hynë mbrenda gjetën vetëm bashkëshorten e Rexhepit, Hatixhen. Ajo nuk i ka njohur mysafirët, por i ka mirëpritur dhe shërbyer sipas traditës e riteve fetare. Në ndarje u ka dhuruar nga një palë çorapë, kurse me ardhjen e Rexhepit në shtëpi e mori veshë se kush kanë qenë mysafirët për të të panjohur.
- 2. Kur ambasadori i Vatikanit ka vizituar Kishën e Tuzit kryeimami Rexhep Lika ka qenë i ftuar dhe ka marrë pjesë në meshën shejte. Ai me këtë rast u mirëpritë dhe u respektua nga të gjithë besimtarët. Madje disa besimtarë të pranishëm në kishë kanë bërë kryq në shenjë miradije për pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni fetare.
- 3. Kryemimami Rexhep Lika bashkë me 20 besimtarë myslimanë merrë pjesë në Festën e Zojës së Grudës në Qelën e Kishës në Grudë, ku për të gjithë të pranishmit ishte shtruar dreka.
- 4. Një ditë, si shumë herë të tjera, kryeimami Rexhep Lika dhe patër Gjergji rrinin së bashku në një kafene të Tuzit. Një malësor i ulur jo larg tyre i pyet : “Ju pini kafe bashkë e dikush prej nesh e shikon njëri-tjetrin me sy të keq ?!” . Patër Gejrgji iu përgjigj: “Të urtit rrinë bashkë e pinë kafe, kurse të tjerët mund të shikohen shtrembër”.
Porosia
Kryeimami Rexhep Lika, duke folur për harmoninë e besimeve në Malësi shprehet me krenari se gjatë shërbimit të tij shumëvjeçar në Tuz ka bashkëpunuar ngushtë me priftërnjtë katolikë, patër Gjergjin, patër Kolën, Patër Dedën dhe patër Zefin, duke shtuar se nuk ka kaluar asnjë javë që mos të pijnë kafe së bashku me ndonjërin prej tyre. Lika nuk mban mend të ketë pasur asohere ndonjë situatë konfliktuale ndërmjet dy konfesioneve në Malësi. Ai shprehet: “ Të gjithë jemi prej një nëne dhe prej një babai, të krijuar nga një Krijues, i cili ka dashtur që të gjithë të mos jemi të një feje ( besimi), por dallimi të shërbej si afrim e jo përçarje. Nëse e nderojmë atë që është e shenjtë, jetën, nderin dhe pasurinë e njëri-tjetrin, nuk ka vend për urrejtje, përçarje e mosëmarrëveshje”. Ky mesazh mendoj se i duhet sot Malësisë, në shekullin e ri , në kohën e zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha, kur shumë vlera tradicionale, historike, kulturore dhe civilizuese rrezikohen të zbehen, të ftohen dhe të zhbëhen.
Edhe pse historia na tregon shumë për tolerancën fetare, prapë se prapë secili nga ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi, sipas shkrimtarit Ismail Kadare: “Harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Mjafton e çara e parë serioze, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve, që ngrehina të shembet.”
Toleranca dhe bashkëjetesa fetare është një lule e çmuar, por edhe e brishtë, e cila thahet e prishet, po s’u tregua kujdesi i duhur. Jam i bindur se njerëzit e urtë të Malësisë, prijësit fetarë dhe politkë, do të jenë të vëmendshëm dhe do ta zgjedhin mosmarrëveshjen fetare të inicuar nga armiqtë tanë, që ndodhi më 16 janar të këtij viti në varrezat e Kishës së Shën Mëhillit në fshatin Dinoshë, e cila shqetësoi secilin shqiptarë të cilësdo bashkësi fetare , i cili ia do të mirën vetes, familjes dhe kombit. Ky tharmë i shqetësimit të malësorëve, i mbjellur kush e di se kur në Malësi, nuk është asgjë tjetër vetëm një vrasës i vëllazërimit, i rrezikshëm jo vetëm për besime ( fe) , por dhe për ekzistencën e bashkëjetesën tonë të përbashkët në këtë truall të larë me gjakun e lirisë. Prandaj malësorët duhet të ngrihen mbi ndasitë fetare dhe të jenë të bashkuar. Të ruajnë harmoninë fetare si sytë në ballë. Të mos themi ky është mysliman dhe ai është i krishterë, sespe të gjithë jemi shqiptarë, jemi një fis e një farë. Mos t’i harrojmë fjalët e At Anton Harapit se “nuk shpëton, jo, as xhamia pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njena, as tjetra pa Shqipninë… me të gjithë atdhetarët…afrim, dashuri, vllaznim”, e as fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës, drejtuar besimtarëve:”Kristianë e muslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë… Ta duam njëri-tjetrin……t’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bij të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri”.
Zoti na ndihmoftë!