Art Club botoi vëllimin me poezi “Gati u harruem” të autorit Ibrahim Berjashi

February 15, 2013   | Kulturë / Kultura

POEZI MATANË KLISHEUT

(Fragment i recensionit)

Dorëshkrimi me poezi “Gati u harruem” i Ibrahim Berjashit imponohet në radhë të parë si një kompleks tematiko-motivor. Ky kompleksitet përqëndrohet në radhë të parë në aftësinë autoriale që të amalgamojë përvoja të ndryshme brenda një teksture poetike: historinë me të gjitha reminishencat e saj, mitin dhe legjendën me referencialitetin e tyre të gjithëkohshëm, aktualitetin me të gjitha segmentet e tij që ndërvepron me ndërgjergjen njerëzore.
Ibrahim Berjashi - ballina e librit_Gati u harruem

Duke u lidhur me një kompleks të tillë tematik, autori edhe priret nga zgjidhja më e drejtë:  rrëfimi poetik si mënyrë e artikulimit të preokupimeve poetike. Ky rrëfim poetik nuk është një narracion i simplifikuar deri në shqiptimin e një thënieje, por një shqiptim sintetizues, ku shpalosen këto përvoja. Autori rrëfen përmes një të foluri rudimentar, në të cilin figura është epiqendra prej nga vjen rrezatimi në radhë të parë kuptimor, kurse njësitë e tjera janë në funksion komplementar.

Në dorëshkrimin me poezi “Gati u harruem” në plan të parë është ambienti lokal, ai farë “color local”, siç do të thoshin pretendentët e kritikës tematike që do të kërkonin sistemin e  mekanizmave të motivacionit që do të riprodhonin një moment obsesiv poetik. Ky ambient dhe ngjyrë vendore është bazamenti mbi të cilin zhvillohet drama poetike. Por pjesë të kësaj drame janë edhe akterët e historisë, mitit, legjendës, por edhe të aktualitetit. Po kjo është arsyeja pse nëpër poezitë e tij shfaqen “personazhet lirike” të tipit të Anzotika ilire, Konstandini dhe Doruntina, Ago Ymeri, Gjergj Elez Alia, Gjeto Basho Muji apo edhe Gjoni nga baladat popullore, sikundër edhe Homeri me Trojën, Don Kishoti, Shekspiri, Dante, Khajami, Salvador Dali, Marathonomaku dhe shumë akterë nga kujtesa aktuale kulturore. Po edhe përditshmëria është segment i rëndësishëm saqë autori nuk i lë pa i përmendur edhe akterët e përditshmërisë të të gjitha sferave. Mirëpo vlera e kësaj poezie është se gjithë këtë empiri të këtij spektri befasues arrin t’i japë tretman artistik, ta aktualizojë në radhë të parë estetikisht e në rend të dytë edhe si problem me të cilin ballafaqohet njeriu ynë.

Poezia e dorëshkrimit “Gati u harruem” dallon edhe për “gjuhën poetike”: është shkruar në një gegnishte të pasur letrare. Mënyrat e trajtimit të temave dhe tretmani gjuhësor që u jep dëshmon faktin se autori di ta dallojë gjuhën e letërsisë nga gjuha letrare, sepse gjuha e letërsisë është ajo që i fle në zemër dhe vesh autorit dhe që atë tingull, atë emocion, atë kolorit gjuhësor dhe atë sens gjuhësor sublimues do ta shndërrojë, dhe këtë e bën me sukses, në gjuhë poetike. Kjo do të thotë se autori synon të krijojë poezi matanë klisheut, që shprehjen e vet poetike ta personalizojë, të japë atë tingullin shpirtëror të vetin dhe koloritin që e kap vetëm syri i tij në botën e gjërave dhe dukurive.

  Ramadan Musliu, kritik letrar – Prishtinë

 

 

Ibrahim-Berjashi

CV e Ibrahim Berjashit  

Ibrahim Berjashi ka lindur në Ostros (Krajë) më 1948. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, Normalen në Ferizaj, Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, kurse Gjuhën e Letërsinë Shqipe e ka studiuar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Ka bashkëpunuar me shumë gazeta e revista në gjuhën shqipe në Titograd (Podgoricë), Prishtinë, Shkup, Ulqin: “Jeta e Re”, “Fjala”, “Jehona”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Fati”, “Zana” etj.

Në periudhën 1975-2002 ka qenë korrespondent i rregullt i gazetës “Rilindja”, kurse më pas i të përditshmes “Bota sot”.

Ishte nismëtar dhe kryetar i parë i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me qendër në Ulqin dhe njëri ndër organizatorët e veprimtarisë “Kalimera Poetike”.

Ka qenë kryeredaktor i revistës “Fati”, redaktor në gazetën “Shpresa” (gazetë për të përndjekurit kosovarë në Mal të Zi) dhe revistën “Koha” (Titograd 1978-1988). Aktualisht është gazetar-redaktor në Televizionin “Teuta” – Ulqin.

Është recensent i shumë veprave letrare të autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria. Poezia dhe proza e Ibrahim Berjashit është e përfaqësuar në tekstet shkollore në gjuhën shqipe në Malin e Zi.

Deri më tash ka botuar këto vepra:

“Lule prej guri” (poezi për të rritur), Titograd (Podgoricë), 1980.

“E tej malësi e det” (poezi për të rritur), “Rilindja”, Prishtinë, 1984.

“Veloret e bardha” (vjersha për fëmijë), Podgoricë, 1985.

“Lundra e humbur” (tregime për fëmijë).

“Orët e vetmisë” (poezi për të rritur), “Art Club”, Ulqin, 1996.

“Dritaren lëre hapur” (Antologji e poezisë shqipe – bashkautor), “Art Club”, Ulqin, 1996.

“Floçka e liqenit” (tregime për fëmijë), “Art Club”, Ulqin, 2006.

“Orët e Rumisë” (përzgjedhje), “Art Club”, Ulqin, 2009.

“Gati u harruem” (përzgjedhje me poezi), “Art Club”, Ulqin, 2013.

 

Poezi nga libri “Gati u harruem”

T’KAM GJITHÇKA…

Qengj i urtë që vjen nga nostalgjia ime

T’kam gjithçka.

T’kam më shumë se  verën e kuqe

Më shumë se ullirin me dymijë unaza

T`kam më shumë se diell

Edhe më shumë se zjarr

Që gufon nga brendia e trupit tim

T’kam më shumë se dëshirë

E gjithë ç’kam n’shpirt

Je ti e tëra,

T’kam shikim t’vetmin

T’kam mall pranvere, t’kam

T’kam më shumë se shpresë

Toka ime e ëmbël

 

ZBRITJE SOLEMNE

Ditën kur zbrite ti

Kishte kjen Hana e plotë

Edhe mëngjes i virgjër

Magjia e qershisë

Përjetësisht

Skuqur t’i ka buzët

Nën qerpikun e syrit

E ke nxan peng qiellin

K`ktu s`ka romantizëm

Sa ambël kafshon

Edhe pafundësisht nuhat

Aromën e djersës që m’përmbyt

Mbretëreshë,

Vetëm atë ditë pihet verë

Edhe ulërijmë si bishat n`ujëdhesë

 

AFRESKË

Grua, ti qenke shndërruar në zanë

Me leje,

A mund të shikoj vetëm dy sekonda,

Edhe të mbetem ai që jam tash

 

Grua, qenke rilindur dafinë,

–          Ka këtu afër busulla

Për të mos humbur toruan

–          Apo duhet gurëzuar n’greminë?

 

Grua, ti  paske ardhur nga P a r a j s a

Edhe stinët veshur i ke yje,

–          Sa larg t’shkëlqen buzëqeshja

–          Ti, mbretëreshë e fisit të engjujve je?

 

PUHIZË

Bëhem xheloz i çmendur,

Me hipokrizinë e detit,

Që vrapon pas hijes sate…

Ti vjen butë,

P u h i z ë,

Miklon shpirtin tim të trazuar.

Njëmijë herë më qorton:

–          Përse mërzitesh si bebush?

Derisa më fundos të tërin,

Qengj me ninulla molle,

Në guacat e oqeanit të ëndrrave,

Dua të jam shi,

Edhe të pikoj yll,

Nga qerpiku i syve tu.

Struku, pra

Brenda meje,

Me freskinë e buzëve të kuqe.

Ulërijmë deri në përjetësi…

Novelë erotike

 

UNË, TI DHE JESENINI

Z. C.

Pse m’shikon ashtu nënsy

Edhe me heshtje m’flet shumë…

“Miku im i shtrejtë, lamtumirë,

ty këtu në shpirt të kam ta dish…”

A s’më thue ç’kishte t’re n’Spi,

A i binte kush lahutës?

Po këmbonë ogiçi, kishte

Dedë Gjo Luli,

A mbushej frymë me valvitjen

E flamurit n’Bratilë?

Po, ç’asht ky mllef n’mue,

Më ngrysesh me vetulla korb,

Edhe nostalgjia me bore,

Na merr rrëmujë lugut t’Cemit,

Pamëshirshëm na bart deri n’Rumi,

Lule ilire hedhim mbi veshë:

“Lamtumirë mik pa fjalë e lot…”