Futbollistët e Prishtinës prej sot në Ulqin

February 15, 2013   | Sporti / Sport

FK PRISHTINAAshtu siç ishte paralajmëruar, futbollistët e Prishtinës një pjesë të fazës përgatitore do ta kryejnë në Ulqin ku do të qëndrojnë të paktën dhjetë ditë. Në fakt, Ulqini është vendi që po preferohet nga prishtinasit, të cilët pothuaj çdo vit e kryejnë një fazë të përgatitjeve këtu. Ekspedita e Prishtinës prej 30 anëtarëve, 25 futbollistë dhe shtabi teknik, pritet që sot në mëngjes të niset për këtë vend bregdetar ku përveç ushtrimeve do t’i zhvillojë edhe disa ndeshje kontrolluese.

Në ekspeditë gjenden pothuaj të gjithë futbollistët në të cilët kryetrajneri Afrim Tovërlani llogarit për vazhdimin e kampionatit, ndërkohë që në mesin e udhëtarëve nuk do të jetë qendërsulmuesi Suad Saliagiq, i cili duket se ende ka telashe me lëndimin që e kishte lënë më shumë se një edicion jashtë fushës së futbollit.

“Për Suadin është më mirë të qëndrojë këtu e të merret me fitnes sesa të vijë në Ulqin ende pa e sanuar mirë lëndimin”, tha kryetrajneri i Prishtinës Afrim Tovërlani, duke konfirmuar se gjatë kësaj kohe Prishtina do t’i zhvillojë 4 ndeshje kontrolluese, mundësisht me skuadra të ligës së parë të Malit të Zi.

B.B.
Burimi: Zëri