“Art Club” boton librin “Këngë popullore të shqiptarëve në Mal të Zi” të autorit Bahri Brisku

March 15, 2013   | Kulturë / Kultura

Njoftim për media

 

Bahri Brisku - Ballina Kenge popullore e shqiptareve ne Mal te Zi“Art Club” boton librin “Këngë popullore të shqiptarëve në Mal të Zi” të autorit Bahri Brisku

 

Në botim të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, studiuesi Dr. Bahri Brisku ka botuar librin “Këngë popullore të shqiptarëve në Mal të Zi”.

Në libër janë përfshirë 475 këngë, të cilat autori i ka mbledhur nga këngëtarë të të gjitha trevave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi. Këngët janë ndarë sipas tematikës në 14 kapituj: Ninulat, Këngë dhe lojra të fëmijëve, Këngë satirike, Këngë pune, Këngë dashurie, Këngë dasme, Këngët e Rilindjes Kombëtare, Këngë popullore për ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Vajtimet, Këngë të ndryshme, Këngë të mërgimit, Këngë baladike (baladat), Këngë qytetare dhe Epika (Këngët kreshnike).

Në parathënien e librit, autori thotë se krijimtaria artistike popullore, kjo pasuri e madhe shpirtërore, ka mbajtur gjallë fantazinë krijuese kombëtare nëpër shekuj. Ashtu si dhe krijimet e tjera të shqiptarëve në Mal të Zi, ajo prezanton një begati të konsiderueshme të kulturës sonë gjithëkombëtare. Megjithëse pjesa më e madhe e kësaj krijimtarie ngjan me krijimet e hapësirave të tjera shqiptare, në thesarin e këtyre prodhimeve poetike popullore të shqiptarëve në Mal të Zi qartas hetohen edhe krijime individuale, origjinale, me të cilat pa hamendje begatohet folkloristika mbarëkombëtare dhe ajo universale.

Redaktor i librit është Kahreman Ulqini, recensentë prof. dr. Zymer Neziri dhe mr. Gjokë Dabaj, lektore Teuta Brisku, korrektor Xhani Brisku, ndërsa redaktor teknik Qazim Muja. Libri është shtypur në Shtypshkronjën “Rozafa 1” në Shkodër.

Bahri Brisku ka botuar deri tani veprat: “Rudina magjike”, “Studime shqiptare”, “Lirika popullore në trekëndëshin: Ulqin – Shestan – Bregu i Bunës”, “Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare”, “Kusarët dhe detarët shqiptarë dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e autoktonisë shqiptare”, “Gjurmë dhe hije” (roman), “Polemikë lidhur me falsifikimet shkencore kundra shqiptarëve të Kapllan Buroviqit”.

Ky libër pasuron koleksionin e botimeve të SHAI “Art Club”, si botuesit më të madh ndër shqiptarët në Mal të Zi. Në kuadër të veprimtarisë së saj botuese, kjo shoqatë ka botuar deri tani rreth 85 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

    Ulqin, më 14. 03. 2013                                                                                                      SHAI “Art Club”