Përmbytjet në Shkodër, 315 shtëpi të izoluara, nis evakuimi – Video

March 15, 2013   | Lajmet / Vijesti, Rajoni / Region

Shkodër – 2000 ha tokë janë nën ujë në Shkodër, 315 shtëpi janë të izoluara. 120 familje janë evakuar, ndërsa Shtabi i Emergjencave bën të ditur se krahasuar me një natë më parë situata është përmirësuar.
Reshjet e pandërprera dhe tejfryrja e lumenjve Kir, Buna, Drin dhe Gjadër ka rënduar gjendjen, e cila për banorët që përballen për të disatën herë me këtë situatë, konsiderohet e dalë jashtë kontrollit. Pas bllokimit të një nate më parë rruga Shkodër-Lezhë është e kalueshme. Në bashkinë Shkodër janë përmbytur 200 ha tokë në Bahçallëk, Ajasëm, lagjen “Mark Lulaj” dhe “Pedonale”, duke izoluar rreth 60 shtëpi banimi dhe objekte.
Në komunën Ana Malit janë përmbytur rreth 1800 ha, duke izoluar rreth 161 shtëpi në fshatin Obot, 19 shtëpi në fshatin Gorricë dhe 11 shtëpi në Muriqan. Në komunën Guri i Zi janë 800 ha tokë të përmbytura, 20 shtëpi të izoluara në fshatin Rrenc, 20 shtëpi në fshatin Kasapë.
Në komunën Bërdicë janë përmbytur 500 ha tokë dhe 55 shtëpi janë izoluar. Janë evakuuar 20 familje në Ajasëm, 55 familje në Bërdicë, 20 familje në Bahçallëk dhe 45 familje në Kuq. Disa familje janë akomoduar në konviktin e shkollës Industriale, ndërsa disa të tjera tek të afërmit.

Kjo situatë ka qenë e befasishme për banorët e Shkodrës, pasi u njoftuan se shkarkimet nga hidrocentralet ishin të kontrolluara por që në fakt përmbytjet nuk u shmangën.

Bruna Gjoka
Albanian Screen

YouTube Preview Image