“Art Club” boton librin “Përkryerja e shiut” të autorit Basri Çapriqi

April 19, 2013   | Kulturë / Kultura

Basri CapriqiShoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Përkryerja e shiut” të poetit dhe studiuesit Basri Çapriqi. Libri është një zgjedhje nga krijimtaria më e mirë poetike e autorit, ku janë përfshirë 121 poezi të krijuara në periudha të ndryshme.

Në kritikën e tij, studiuesi Ag Apolloni thotë se poeti Basri Çapriqi bën pjesë te përjashtimet në poezinë shqipe, por madje edhe këtu është i veçantë, aq sa mund të konsiderohet poeti i parë me vetëdije postmoderniste, ngaqë e përdor më shumë se çdo poet tjetër shqiptar ironinë, figurën kryesore të postmodernizmit dhe i dekanonizon standardet kulturore e letrare.

Poezia e tij është reaguese dhe reflektuese. Reflektuese, sepse përsiat mbi gjërat që e rrethojnë dhe që e preokupojnë, ndërsa reaguese, sepse gjithçka e filtron nëpër figurën e ironisë, duke mbajtur qëndrim estetik karshi realitetit politik.

Sipas Apollonit, “poezia e Basri Çapriqit, krahas vlerës estetike, ka edhe vlerë historike në kuadër të zhvillimit të poezisë shqipe, sepse ajo e ka çliruar poezinë shqipe nga patetika dhe retorika e thatë; e ka sfiduar mentalitetin shqiptar nëpërmjet figurës së ironisë; mendimin pamor e ka bërë esencë të vargut; ka sjell motive të shumta urbane në poezinë shqipe, e cila dallohet për diskursin rural; ka sjell elemente të poezisë së mëhershme dhe aktuale anglofone; e ka dekanonizuar gjuhën dhe i ka dhënë frymë ikonoklastike poezisë shqipe”.

Redaktor i librit është Ali Salaj, recensent Ag Apolloni, redaktor teknik dhe artistik Qazim Muja. Libri është një botim luksoz me lidhje të fortë dhe është shtypur në Entin Botues “Gjergj Fishta” në Lezhë. Ai është botuar me mbështetjen financiare të Komunës së Ulqinit në kuadër të konkursit për organizatat joqeveritare.

Prof. Dr. Basri Çapriqi punon në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron stilistikë dhe semiologji në Degën e Letërsisë Shqipe dhe në Degën e Letërsisë së Përgjithshme dhe të Krahasuar. Është përfshirë në disa antologji të letërsisë shqipe. Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, plonisht, serbokroatisht, maqedonisht. Është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe nënkryetar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Deri tani ka botuar këto libra: “Ullinj me dy mijë unaza” (1983), “Në fund të verës” (1986), “Ma qet gjuhën” (1989), “Mikrostruktura e tekstit” (1990), “Aksidenti i orës shqiptare” (1993), “Frutat bizarre” (1996), “Përmasat e kontekstit” (1998), “Grass on the Window” (1996), “Simboli dhe rivalët e tij” (2005), “Burimi nën gjuhë” (zgjedhje) (2005), “Paradigma kadareane” (2006), “Zbutja e gjarprit” (2006), “Deschiderea scoicii” (2010) dhe “Savršenstvo kiše” (2012).

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 90 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

FARSA E FATIT

 

Përjashto veprat e tre-katër poetëve, poezia shqipe deri në dekadën e fundit të shekullit të kaluar është ose poezi rurale, ose poezi ideologjike. Basri Çapriqi, i cili krijimtarinë e tij e nis më 1983, bën pjesë te përjashtimet. Madje edhe te përjashtimet është i veçantë, aq sa mund të konsiderohet poeti i parë me vetëdije postmoderniste, ngaqë e përdor më shumë se çdo poet tjetër shqiptar ironinë, figurën kryesore të postmodernizmit dhe i dekanonizon standardet kulturore e letrare, nga vëllimi i parë (Ulli me dymijë unaza, 1983) deri tek i fundit (Zbutja e gjarprit, 2006).

Poezia e Basri Çapriqit nuk mund të shihet në relacion me poezinë paraprake shqipe, sepse vetë poeti nuk ka model ndonjë poet shiptar. Poezia e tij duhet të shihet në relacion me poezinë moderne dhe postmoderne të poetëve anglofonë. Ajo është poezi që asimilon brenda vetes praktikën poetike të modernistëve dhe shkruhet në korrent me poezinë e postmodernistëve botërorë, prandaj ajo në njërën anë ka: ironinë e Ezra Pound-it, karakterin eksplorues të veprave të T. S. Eliot-it, pastërtinë e imazhit të William C. Williams-it, kurse në anën tjetër: detajet urbane të John Ashbery-t, ujin dhe kripën e Louise Glück-ut, apo edhe disponimin kosmopolitan të Charles Wright-it.

Si e tillë, poezia e Basri Çapriqit sjell një frymë dhe formë të re në letërsinë shqipe, në të cilën ai, edhe pse kurrë s’e ka dashur patetikën dhe fjalët bombastike, është poeti më i guximshëm dhe opozitari i vetëm i poezisë shqipe. Mjafton të lexohet poezia e tij Liria në librin Frutat bizare (1996), për t’u pajtuar me këtë konstatim. Derisa të gjithë poetët shqiptarë e himnizojnë konceptin e lirisë nacionale, Çapriqi e ironizon skajshëm duke e krahasuar me jashtëqitjen:

 

liria është një mut i madh dhe s’e vlen më as jetën

ta japësh për të as atë cikrrimë lirie si s’i lodh

ata hanë hekur me dhëmbë liria është një faj i

rëndë që bartim lidhur në qafë e shpiejmë diku larg

ku s’dinë as ata që hedhin hapa mamutësh liria

është një mut i madh të lodhin heronjtë dhe kurvat

 

Madje kjo poezi ka nxitur edhe reagimet e një poeti tjetër shqiptar, i cili po ashtu në vargje ka shprehur mospajtimin me këtë poezi ikonoklastike. Reagimi është bërë në vargje tradicionale, duke himnizuar lirinë. Ky reagim flet për përplasje brezash dhe poetikash dhe, gjithashtu, flet për një individualitet të ri poetik, të cilin poetët tradicionalë edhe kur nuk e pranojnë, nuk mund ta injorojnë.

Pra, poezia e Çapriqit është një poezi që në letërsinë shqipe nuk ka kaluar dhe as që mund të kalojë në heshtje, sepse ajo përmbys një mentalitet të vjetër dhe sjell një sensibilitet të ri; ajo është një lirikë e liruar nga metarrëfimet, e shkruar në vargje të lira dhe në formë të hapur.

Megjithatë, poezia e tij ka brenda vetes mitin dhe historinë, porse të trajtuara me një humor të zi që i rifunksionalizon dhe i risemantizon ato. Infiltrimi i mitit nëpërmjet humorit të zi ringjallë ide të reja nga figurat e vjetra, ndërsa metaforat priren kah simboli. Vetë titulli i librit Frutat bizare i referohet fikut biblik për të shënjuar mëkatin jo si faj, por si ligj të botës njerëzore.

 

Filozofia e ujit

 

Sipas Talesit, elementi i parë i jetës është uji. Këtë filozofi e përqafon edhe poezia e Basri Çapriqit: vdekja do të marrë fund se fillon uji (Shkretinë). Pra, uji është jetë. Dhe këtë e thotë poeti që vjen nga Ulqini, vend ky që njihet për detin. E, deti gjithmonë na e kujton ujin, që është figurë primare në librat poetikë të këtij autori, i cili ujin nuk e sheh vetëm si metaforë, por edhe si simbol të jetës. Në poezinë e tij, uji është kryefigurë edhe kur është i pranishëm edhe kur mungon, siç mund të shihet qartë veçmas te libri i sistemuar, Zbutja e gjarprit (2006), ku metafora e ujit i përshkon gjashtë ciklet. Në ciklin e parë uji deh, në ciklin e dytë shiu pikëllon, në ciklin e tretë uji i avulluar shfaqet në trajtë reje, në ciklin e katërt shfaqet përroi, në ciklin e pestë shkretëtira shënjon mungesën e ujit dhe në ciklin e fundit shfaqet uji i trazuar. Gjithandej, uji na shfaqet si denotacion, ndërsa shiu, reja, përroi, lumi jepen si konotacione me domethënie poetike të veçanta. Poeti më shumë e çmon ujin sesa guacën, e cila tradicionalisht shënjon diçka të shtrenjtë. Te poezia Guaca përmbyset kuptimi tradicional i guacës dhe metaforikisht tregohet izolimi dhe dëshira për jetë të lirë:

 

Hapu se

Dua të dal

Të pi ujë drejt nga qielli 

 

Nëpër vargjet e këtij libri uji merr kuptime të panumërta. Na ka zanë rob uji, vrima në ujë, litarët e qullur, erë e shiut, fryma e ujit, janë vetëm disa nga shprehjet që argumentojnë polivalencën e ujit dhe kreativitetin e poetit, i cili pajtohet që uji është jetë dhe për këtë e merr shembull shkretëtirën. Uji mund ta ngjallë tokën e vdekur, ndërsa toka mund ta sëmurë detin, siç ndodh te poezia Tokë e det, ku pasi grinden toka me detin:

 

deti është sëmurë

specialisti konstaton

sëmundja ka prejardhje toke

 

Dhe ai që e shëron detin nga ileti, meriton të shpërblehet me çmimin Nobel për Paqe:

 

Shëroni detin po të mundeni

shpërblim do t’ju japim

tërë grurin e tokës

bekimin e Palestinës

dhe çmimin Nobel

të Nënë Terezës

 

Sipas Heraklitit, njeriu nuk mund të lahet dy herë në të njëjtin lumë, sepse uji ecë vazhdimisht. Pra, në ujë nuk përsëritet asgjë, lumi është rrjedhë e përhershme. Në librin Ma qet gjuhën (1989) gjendet një poezi që ka referencë te filozofia e Heraklitit dhe shpreh pajtimin me atë filozofi, ngaqë e kundërta e saj do të ishte tragjedi. Te poezia Sa herë lahesh në të njëjtin lumë, poeti lë hapur një pyetje që i kundërvihet përsëritjes:

 

edhe sa kohë mund të na vrasin

këpucët e shekullit të kaluar

 

Sipas J. L. Borges-it, ne nuk mund të kalojmë dy herë nëpër të njëjtin lumë jo vetëm pse lumi ndryshon, por pse vetë ne ndryshojmë. Ne jemi si lumi, thotë ai. Kështu, lumi nuk është thjesht një rrjedhë që ecën nëpër një shtrat, lumi është një rrjedhë e gjërave, prandaj poetin e shqetëson mungesa e rrjedhës, e ndryshimit, sepse uji i ndenjur është në kundërshtim me frymën e jetës dhe me filozofinë e lashtë. Në këtë plan, poezia e Basri Çapriqit është poezi e esencës humane.

 

Filozofia e udhës

 

Poezitë për fatin e subjektit lirik të Basri Çapriqit janë farsa poetike, të cilat, si të tilla, i përshkon gjithandej ironia. Humori i zi dhe fati i zi japin e marrin nga njëri-tjetri, ndërsa absurdi është filozofi dominuese e këtyre poezive që i referohen një realiteti në të cilin veprimet shpesh janë të privuara nga motivimet.

Në poezinë Ta sjellim Evropën në gisht (libri Në fund të verës, 1986) poeti u sugjeron udhëtarëve të shtiren sikur nuk kanë mall për vendlindjen, për të mos e treguar veten të dobët para të tjerëve:

 

Kur të mbaroni pushimin në vendlindje

e niseni përsëri për punë të përkohshme

në botën e jashtme

aman udhëtoni me aeroplanë luksozë

dhe bëhuni sikur

shkoni në udhëtim zyrtar

apo në vikend ta zëmë

t’i rreni gjithë rrugën

bashkudhëtarët

 

Nëpërmjet një humori të zi, këtu na shfaqet sikuri magjik (magic if) i aktrimit si mënyrë e vetme ˝e mbylljes˝ së plagës së mërgimit. Udhëtimi i shtirur jo vetëm që nuk e zhduk tragjiken, por, për më shumë, e shndërron fatin në farsë.

Farsë është edhe poezia Këpuca gjenealogjike:

 

Tash hajde binde një fqinjin tim

Se s’më mungon këmba por këpuca

Që s’eci dot që s’eci dot që s’eci

 

Ashtu si uji, edhe udha nënkupton ecjen, përparimin, ndryshimin. Në poezinë e Çapriqit udha është e gjatë me mijëra vjet. Udhëtimi nuk bëhet vetëm nëpër tokë e qiell, po edhe nëpër det:

 

Te Porti e kam parë Homerin

në nisje të Odisesë për kthim

unë e percolla me Liburnë 

 

Mandej udhëtimi merr dimensionet e baladës dhe invarianti shfaqet si një nyje në rrjetin intertekstual, duke na e shfaqur variantin e ri:

 

U nisa me kalë

Më varrosën në Qafëpremë

Në Shtegvashë u ringjalla

 

Rruga e kthimit zgjatej e zgjatej

 

Qëllimisht kjo poezi (Homerin e lashë te porti) nis me Odiseun dhe mbaron me një udhëtar që vrapon me kalë si në baladën e Aga Ymerit. Dhe si për ironi të fatit, në këtë realitet absurd, rruga në vend se të shkurtohet, zgjatet. E, diku një ulli me dy mijë unaza pret të kthehen njerëzit nga toka dhe deti (Ulli me dy mijë unaza, 1983):

 

E njoh një ulli me dy mijë unaza

një rrënjë e shtron nën rrugë

bregut tjetrën

një degë e hedh mbi asfalt

detit tjetrën

 

Subjekti lirik i Çapriqit nuk është hero, por një Odise modern me fat Sizifi. Ai edhe kur hipën mbi kalë ngelet në vend sikur të ishte duke qëndruar në karusel. Si në Antikë, ashtu edhe sot njeriu ka mbetur lodër në duart e fatit, i cili luan një shaka të hidhur në kurriz të njeriut. Kështu që, farsa është derivat i fatit ironik, i cili paraqitet nëpërmjet imazheve, që nënkuptojnë njohje dhe ndjenjë dhe që kanë status të një aktiviteti mendor.

 

Gjuha dhe imazhi

 

Poezia e Basri Çapriqit në planin sintaksor dallohet me përdorimin e elipsës, ndërsa ton dominant i këtij diskursi është ironia, e cila e mundëson përmbysjen e seriozitetit patetik nga i cili ka vuajtur aq shumë poezia dhe mbarë letërsia shqipe. Ironia nuk nënkupton vetëm lojë intelektuale, por edhe guxim moral për të desakralizuar çdo gjë të idealizuar. Ironia është një tallje thumbuese, një humor i zi, i cili e përshkon gjithandej diskursin poetik të këtij poeti, poezia e të cilit është e heshtur dhe e paideologjiuzar karshi shumicës së poezisë shqipe që vuan nga patetizmat dhe nga metarrëfimet.

Në shekullin e britmave, çfarë ishte shekulli i kaluar në hapësirën shqiptare, vargu eliptik e ironik nuk ka bërë zhurmë, duke pritur shekullin e ri për të gjetur veshin e duhur. Prandaj, sot kur lexuesit e lexojnë poezinë jo për peshën kombëtare, po për vlerën letrare, poezia e Çapriqit është e favorizuar. Në të lexuesi gjen elemente nga shkollat poetike moderniste dhe postmoderniste, sidomos nga bitnikët dhe imazhistët. Derisa nga bitnikët e San Francisco-s kjo poezi përvetëson temat e vogla dhe gjuhën e dekanonizuar, nga imazhistët trashëgon pastërtinë fotografike të mendimit, aq sa poezia e tij antologjike, Jastëku, është jo vetëm një fotografi e pastër, por edhe një fotografi lëvizëse, madje një skenë filmi. Prandaj, në këtë poezi gjen mbështetje sugjerimi i William C. Williams-it që të mos mendojmë me fjalë, por me gjëra. Madje vetë poezia e Çapriqit shndërrohet në gjë (send). Ajo bëhet pasqyrë në të cilën shihet absurdi duke krehur kokën tullace.

Imazhi alternohet me ironinë dhe së bashku krijojnë poezinë e veçantë. Ironia ia shkel syrin receptuesit për atë që e ekspozon imazhi, si, ta zëmë, te poezia Berberi e cila shfaq punën e berberit, duke aluduar në një pushtet të hekurt dhe duke ironizuar me fije floku.

Ironia është figurë që e karakterizon tonin e poezisë së Çapriqit. Poeti në poezinë Përvoja ime me luftërat thotë tjetër për tjetër.

 

Lufta do përkrahur

Ti mos shiko nga fëmijët gratë pleqtë

Të sëmurët

Hidhe shikimin nga faqja heroike

Përherë

 

Dhe mbaj mend

 

Të jesh përkrahës domosdo

Përkrahës

Jo të futesh brenda se

Kështu kalon më mirë

 

Ironia fuqishëm shfaqet edhe te poezia me titull “autokritik“, Kontributi im për revolucionin është zero:

 

Kontributi im është zero

Për revolucionin për historinë

Jam frikësuar si mos më keq

 

Pse thotë kështu poeti? Për t’i përgënjeshtruar kuazipatriotët që flasin me fjalë të fryra si tullumbace:

 

Të gjithë pëlcasin fjalë të mëdha

Po unë prandaj e them

T’u jap guxim Atyre

 

Ironia arrin kulmin te poezia Vullneti i popullit, në të cilën luhet me frazën aq të përdorur e të keqpërdorur nga diktatorët e sistemeve komuniste të cilët shtireshin se ishin zëri i atij vullneti dhe gjithçka që bënin e arsyetonin duke u thirrur në vullnetin e popullit, i cili prandaj ishte xhelat dhe viktimë. Si e tillë, kjo poezi ironizon filozofinë populiste, duke artikuluar vullnetin e popullit nga vetë diktatori në vetën e parë. Vargu i fundit ia çjerrë maskën sundimtarit:

 

Kur të doni ju

Do të ndrisë dielli

 

Shi do të bjerë

Kur të doni ju

 

Ju kur të doni

Do të pjellë macja

 

Ju doni

Kur Unë dua

 

Një nuancë ironie qëndron te shkrimi me A të madhe i përemrit Atyre. Ndërsa, poezia Diabolike ironizon formulën romantike ˝në atdhe është balta më e ëmbël se mjalta˝:

 

Balta nuk është më

Si mjalti Atdheu

Do pak kripë           

 

Ironia është figurë mendimi, është kripa e poezisë. Megjithatë Çapriqi nuk pozon si mendimtar, por ndjen si poet. Vargu i tij është më shumë se mendim. Poezia e tij është më shumë se formë. Edhe pse shpesh t’i kujton minimalistët postmodernistë, kjo poezi gjithmonë ka historinë pas perdes. Detaji dhe sendet e thjeshta gjithmonë të çojnë kah historitë e komplikuara. Ndërsa diskursi është gjithmonë sugjerues, kurrë imponues dhe kjo ndodh falë karakterit asociativ të imazhit dhe ambiguitetit të vargut që shpesh synon statusin e simbolit. Kjo poezi ruan ngjyrat e personales dhe lokales, por theksin e vë te globalja, sepse këtë edhe e kërkon sensibiliteti postmodern.

Poezia e Basri Çapriqit është reflektuese dhe reaguese. Reflektuese, sepse përsiat mbi gjërat që e rrethojnë dhe që e preokupojnë, ndërsa reaguese, sepse gjithçka e filtron nëpër figurën e ironisë, e cila, siç dihet, është mbajtje e një qëndrimi. E, në këtë rast, poeti edhe kur mban qëndrim, qëndrimi i tij është estetik karshi realitetit politik.

Poezia e Basri Çapriqit, krahas vlerës estetike, ka edhe vlerë historike në kuadër të zhvillimit të poezisë shqipe, sepse ajo e ka çliruar poezinë shqipe nga patetika dhe retorika e thatë; e ka sfiduar mentalitetin shqiptar nëpërmjet figurës së ironisë; mendimin pamor e ka bërë esencë të vargut; ka sjell motive të shumta urbane në poezinë shqipe, e cila dallohet për diksursin rural; ka sjell elemente të poezisë së mëhershme dhe aktuale anglofone; e ka dekanonizuar gjuhën dhe i ka dhënë frymë ikonoklastike poezisë shqipe.

Siç duket, Basri Çapriqi është i një mendje me J. L. Borges-in, se nuk ka letërsi pa poezi, sepse fiksioni i tij nga fillimi e deri sot lidhet vetëm me poezinë. Dhe me poezinë e tij e ka reformuar poezinë shqipe.

 

Dr. Ag Apolloni