Hajro Ulqinaku dhe obsesioni për detin

May 25, 2013   | Kulturë / Kultura

Hajro-Ulqinaku.1(Me rastin e përurimit të librave të rinj të autorit, botuar nga Art Club,Ulqin )

Ali Salaj

 

Shkrimtari ynë i njohur , Hajro Ulqinaku ishte dhe mbeti një idhull për shumë gjenerata intelektualësh dhe krijuesish jo vetën në Malin e Zi por në tërë hapësirën shqiptare. Hajroja me metaforën e tij shumështresore dhe interesante për detin nguliti  aventurat e veçanta artistike , të cilat përditë e më shumë reflektojnë tek lexuesit e të gjitha moshave.

Sa herë që shihemi apo ndëgjohemi në telefon Hajroja gjithnjë më fton për një raki rrushi në Ranë , në strofullin e tij pranë ujit ku ndihej zhurma e valëve dhe aroma e detit. Obsesionin e tij për detin e kamë hetuar që në vitet e hershme kur me poetin e ndjerë  Rifat Kukaj, si dy boemë simpatik, pinin raki dhe thurrnin vargje pafund për detin. Deti ishte dobësia e Hajros, të cilin ai e përshkruante si “bukuri romantike, përrallore, ëndërr  verore” . Edhe në ndejat e përditshme me kolegët në Prishtinë, Hajron e shqetësonte deti dhe atë gjithnjë  e fokusonte nëpër biseda si një fëmijë që intuziazmohet pas lodrës më të dashur të tij.

Jo rastësisht Hajroja e nis  përmbledhjen “Kënga e detit” me vargjet e baladës “Ymer Agë Ulqini”:

“Ah , Ulqin ,tanë jetën të kam pasë në zemër!

Nandë vjet të kam pa natë për natë në andërr!

Nandë vjet kam dashtë me ta puth tokën!”

Kështu përcaktohet në mënyrën më të thellë malli dhe nostalgjia për vendlindjen. Ky mall i ndezur i Hajros kurrë nuk u shua, sepse në qytetin e tij e presin baticat dhe zbaticat që e lodhin dhe e bëjnë më të ndieshëm dhe më  sublim. Ky shkrimtar të përkujton  Plakun e Detin , i cili deri në frymën e fundit lufton me valët e jetës. Është ky fati i shumë intelektualëve dhe krijuesëve nga Ulqini, të cilët kanë mbetur në udhëkryq dhe asnjëherë nuk u shpërblyen as moralisht për kontributin e dhënë për qytetin, shoqërinë dhe kombin. Grekët e lashtë e kanë lënë një thënie “Në det lëshohen plot ujra të turbullta, por ai përsëri ngelet i pastër…”. I tillë është Hajro Ulqinaku, i cili i shtyrë nga magjia e detit flet me gjuhën e fëmijës duke mbetur pëjetësisht i çiltër dhe i pastër.