Xhelal Sveçla: Shqiptarët e Malit të Zi mes kolonizimit dhe largimit kolektiv

June 28, 2013   | Opinione

Xhelal SveclaShqiptarët në Mal të Zi janë duke u ballafaquar me shkeljen e rëndë të të drejtave politike, sociale dhe ekonomike. E po ashtu dhe me riaktualizimin e fenomenit të kolonizimit dhe largimit kolektiv. Këto kryesisht në Malësinë e Madhe që ende mbahet dhe administrohet nga Komuna e Podgoricës.

Largimi kolektiv po ndodh në grupe të shqiptarëve, kryesisht të moshës së re, të cilët i lënë trevat e tyre meqë rrethanat ekonomike dhe pavëmendshmëria shtetërore e institucionale ja pamundësojnë sigurimin e jetesës.

Me gjithë kërkesat e përpjekjet Malësia e Madhe ende nuk e gëzon statusin e Komunës. Edhe pse janë paraqitur mjaftueshëm argumente të cilat dëshmojnë qëndrueshmërinë ekonomike, juridike dhe politike të Komunës, përsëri pushteti malazez këmbëngul në mosdhënien e statusit të Komunës Malësisë së Madhe.

Pas këtyre përpjekjeve propozimi nga autoritetet malazeze për mbajtjen e Referendumit për ngritjen ose jo të Komunës,  në kushtet kur përbërja demografike po transformohet çdo ditë  në disfavor të popullsisë shqiptare përbën një akt tjetër ndalimi dhe diskriminimi. Asnjë Komunë në Malin e Zi nuk është ngritur apo themeluar me referendum. Nën citimin formal të të drejtës demokratike për referendum po kërkojnë të cënojnë pakthyeshëm të drejtën për të vetëqeverisur në nivel komunal shqiptarët.

Si pasojë e  mospasjes së një Komune më vehte shqiptarët nuk mund t’i administrojnë pasuritë natyrore e as të zhvillohen ekonomikisht sajë tyre. Njëjtë dhe me pronat, trashëgiminë kulturore, institucionet e arsimimit dhe çështjet e punësimit.

Malësia ballafaqohet aktualisht me problemin e pronave duke qenë se aty nuk njihet prona kolektive edhe pse ajo mbrohet nga Konventat ndërkombëtare. Pushteti po përpiqet që këto prona t’i tjetërsojë dhe me çdo mënyrë t’ia marrë Malësisë. Raste të tilla po paraqiten në Vuksanlekaj, Milesh, Karabushko Pole, Dinoshë e po ashtu edhe në Valdanosin në Ulqin që njihet si një nga tokat më të mëdha, në Mal të Zi, e mbjellë me ullinj.
Mehmet-Bardhi-priti-Albin-Kurtin-Xhelal-Svecla

Në fshatin Martinaj në Plavë të Gucisë po ngrihet një deponi e cila është paraparë që të jetë 350 metra larg vendbanimit të shtëpive shqiptare dhe që shtrihet nën kalanë e Mbretëreshës ilire Jerina. Kjo do të dëmtonte një nga bukuritë më të mëdha të Plavë e Gucisë, do ta rrënonte plotësisht mundësinë e zhvillimit të turizmit lokal e mbi të gjitha në vazhdimësi do të detyronte banorët që të shpërnguleshin prej andej.

Për këtë banorët shqiptarë kanë iniciuar një peticion në prill të këtij viti si dhe kanë mbajtur protesta për ta kundërshtuar.

Në hyrje të fshatit Vuthaj është vendosur një postbllok. Për të hyrë aty kërkohet të paguash një taksë me justifikimin se zona në fjalë është zonë e  mbrojtur. Ky veprim ia vështirëson dhe madje pamundëson shqiptarëve të zonave përreth edhe ta vizitojnë fshatin por edhe ta shfrytëzojnë bjeshkën duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e tyre jetojnë nga blegtoria.

Në fshatin Martinaj, në pronën e familjes Prelvukaj,  50 civilë serbë dhe po aq policë, më 15 maj 2013, provokuan banorët shqiptarë duke tentuar të fillonin punimet në themelet e një kishe të viteve të 30-të trualli në të cilën këto themele gjenden i ishte grabitur dhunshëm pronarëve në atë kohë.

Momentalisht përqindja e të punësuarve në administratën publike, e pjesës së shqiptarëve është më pak se 1%. Kodi zgjedhor i Malit të Zi sipas kësaj formule që është nuk mundëson marrjen e ndonjë mandati nga përfaqësues shqiptar për në Parlament.

Mali i Zi nuk i njeh si qytetarë të shtetit të vet  popullsinë shqiptare që jeton në diasporë, por siç është e ditur Diaspora përbën në 2/3 e shqiptarëve në Mal të Zi. Kështu atyre i ndalohet ushtrimi i të drejtës për të votuar e për t’u votuar, si dhe për të marrë pjesë në zhvillimet ekonomike e sociale të vendit të tyre

Ende nëpërmjet ligjit për rendin publik dhe qetësinë ndalohet përdorimi i simboleve kombëtare edhe në institucionet ku shqiptarët përbëjnë shumicë.

Po ashtu nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme u ndalohet që të përdorin librat nga Tirana ose Prishtina në procesin e tyre mësimor. Kjo me arsyetimin se ato nuk përputhen me plaprogramet mësimore të hartuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave në Mal të Zi.

Në këto kushte subjektet politike shqiptare në Mal të Zi tashmë e kanë jetike bashkërendimin e veprimeve e të ngritjen e zërit për çka po ndodh me shqiptarët e po aq dhe këmbëngulësinë në kërkesat e tyre ndaj institucioneve në Kosovë e Shqipëri.
Xhelal Svecla-Albin-Kurti-Ulqin

Ndërkohë që Qeveria dhe disa institucione në Kosovë të cilët, së fundi pranuan formalisht njohjen si minoritetit kombëtar për komunitetin malazez në Kosovë, që do të thotë sipas kushtetutës aktuale të Kosovës, privilegje në nivel qendror, lokal e më tutje, para se të jenë zemërgjerë me çdo kërkesë nga autoritetet malazeze kanë detyrimin të angazhohen për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.

Po ashtu, vizitat dhe shkëmbimet formalo-diplomatike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë nuk po rezultojnë në asnjë përmirësim të gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi.

Është tashmë e rëndësisë së veçantë që të kërkohet nga Qeveritë në Prishtinë e Tiranë të monitorohet e faktohet nga BE dhe organizma ndërkombëtarë gjendja e rëndë e shqiptarëve në Mal të Zi, në mënyrë që institucionet e këtij shteti të kushtëzohen qoftë në forumet rajonale e në ato të Bashkimit Evropian për sa kohë nuk përmbushen të drejtat legjitime të shqiptarëve. Përpjekjet vetëm diplomatike tashmë nuk mjaftojnë.

Autori është Sekretar për marrëdhënie me jashtë në VETËVENDOSJE!

 

Burimi: Orientalizmi Shqiptar