Konference per media e kryetarit të UDSH-së Mehmet Zenkes – Video

July 18, 2013   | Politika

MEHMET ZENKA-UDSH-ULQINUDSH muaj me radhë tërhoqi vërejtjen për situatën e vështir ne komunë të Ulqinit dhe për pasojat negative të cilat po i kanosen qytetit nga një menaxhim tejet i dobët dhe jo profesional nga ana e pushtetarëve aktual. Megjithëse e kishim paraparë dhe ishim te vetëdijshëm që kjo garniturë  e cila e udhëheq komunën e Ulqinit nuk ka kapacitet dhe potencial qe të menaxhoj komunën tonë, prapë se prapë nuk e kemi prit se ato do të ishin ne nivel kaq te dobët dhe kaq  joefektiv.

 

Neve jashtë gjitha rregullave  demokratike i kemi dhënë së pari 150 ditë, e pastaj e zgjatëm në 200 ditë qetësinë mediatike, duke lënë anash mënyrën tejet të shëmtuar  të ardhjes së tyre në pushtet. Prapë se prapë, për hir te mirëvajtjes së qytetit mbajtëm qëndrimin e një opozite konstruktive.


Konference per media e kryetarit të UDSH-së…

Po bëhen dy vite dhe çfarë kemi ?

 

Kemi një kolaps të vërtet të ekonomisë së një qyteti. Si ndryshe ta quajmë këtë gjendje të mjerueshme në të cilën gjendet momentalisht qyteti ynë.

Si ta quajmë këtë situatë ku brenda dy viteve krijohen 10.000.000,00 Euro humbje financiare, shifër e cila edhe për komuna shumë ma te pasura është tejet e madhe.

 

Vetvetiu shtrohet pyetja:

 

–         A ky qenka pushteti i ekspertëve ?  

–         Neve pyesim: ku janë idetë spektakulare për zhvillimin e Ulqinit ?

–         Qytetarët pyesin, ku janë premtimet qe dhatë për një Ulqin me perspektiv zhvillimore evropiane ?

 

Zotëri të nderuar, a jeni sado pak të vetëdijshëm se çfarë jeni duke i bërë qytetit tonë, a ju vret ndopak ndërgjegje për ketë kolaps ekonomik në të cilin e keni katandis qytetin tonë!? Me siguri që jo sepse këtë e dëshmojnë vendimet tejet destruktive të cilat i keni aprovua në dy seancat e fundit të kuvendit lokal.

Edhe pse kërkuam mbledhje të jashtëzakonshme për situatën kritike ne komunën tonë, ju nuk e keni pranuar dhe për pika që kërkuam te jenë pika të rendit te ditës, ju si pranuat por i trajtuat si informata dhe sa për rikujtim ato ishin pika rreth Valdanosit, ku ju e hedhet poshtë propozimin që te zhvleftësohet vendimi i kuvendit komunal te Ulqinit i vitit 1978, për marrjen e ullishtës pasi qe nuk është nënshtruar dedikimit.

 

Pika dytë te cilën e propozuam dhe ju e tërhoqët nga rendi ditës ishte pika rreth propozim ligjit për riorganizim të sistemit shëndetësor, me një fjalë, as që na lejuat të diskutojmë sado pak për ketë pik por thjesht e tërhoqët pa asnjë shpjegim .

 

Pika tretë, edhe pse është me rendësi kruciale për komunë, sepse ka te bej me një kërkesë dëmshpërblimi prej 10 milion euro prej një grupacioni ndaj komunës së Ulqinit. Kërkuam që kuvendi komunal të marr qëndrim te prerë kundrejt këtyre kërkesa tejet manipuluese dhe të cilat po që se hulumtohet ma thellë kanë edhe karakter të krimit të organizuar. Propozuam që komuna të përgatitet dhe të angazhoj avokat te mirë në këtë çështje, e jo që këtë lëndë me kaq rëndësi ta mbroj personi i cili nuk ka eksperiencë dhe kapacitet juridik që ta mbroj sado pak suksesshëm, por ja qe pushtetarët mendojnë ndryshe dhe ndaj kësaj lënde sillen sikurse kemi te bëjmë me kërkesë prej  10 euro, e jo 10 milion euro!! Ne rregull pushtetar, por mos u hidhëroni kur qytetaret dyshojnë për “dilla” të ndryshme, sepse me punën e aktveprimet tuaja ju vet i ngjallni këto dyshime.

 

Zotërit pushtetar kishin premtime te mëdha në lidhje me Të Mirat detare dhe çfarë kanë bërë për dy vite, përpos qe dolën në mënyrë pompoze me deklarata që “gjysma e të hollave tani do te derdhen ne Ulqin”. E gjitha ajo zhurmë gjoja për suksesin e tyre te arritur rezultojë me ngritjen e çmimeve 100%  nga ana e Të Mirave detare ndaj qiramarrësve të Ulqinit. Kështu që Të Mirat detare prapë se prapë te njëjtën shumë të hollave vjelin nga Ulqini, ndërsa me ngritje të çmimeve gjoja ka plotësuar një kërkesë politike plotësimi i së cilës e dëmtoj dhe rëndoj edhe më shumë buxhetin e qytetarit.

 

Pyesim zotërit,  ku është “kontrata e famshme me qytetarin” me anë të cilës jeni drejtuar qytetarëve të Ulqinit dhe i keni premtuar projekte për punësimin e tyre (sa për rikujtim keni premtuar 1500 vende pune)?

 

Ku janë ato projekte zhvillimore për të cilat keni deklaruar se janë gati dhe qe me ardhjen e juaj ne pushtet do ti nxirrni  dhe do ti veni ne zbatim?

 

Kulmi i të gjitha aktveprimeve te ndërmarra nga pushtetarët ma dëmtarë ne historinë e re pluraliste ishte edhe vendimi për marrjen e kredisë prej            2 milion euro, veprim i cili  koston e ardhjes së tyre në pushtet e ngriti në        10 milion euro borxhe të reja për komunë te Ulqinit. I pyesim ekspertët a mos nuk është shumë qe për dy vite jo te plota të krijoni aq borxhe sa qe kësaj komunë do ti nevojiten dekada mi kthye?

 

Qe kjo fatkeqësi mos te jetë vet, pushtetarët aktual duke i ndej besnik  veprimeve te veta destruktive dhe tejet dëmtare, e ndërmarrin edhe një veprim tjetër  i cili dhe me të cilin komuna jonë bie në pozitë vasale kundrejt pushtetit qendror .Ketë dëm Ulqinit ja sjellin ekspertët e famshëm me nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrin e financave. Një marrëveshje e tillë me Ministrinë e Financave nuk është gjë tjetër veçse  vendosja e masave te jashtëzakonshme  te kamufluara ne çadrën e programit për  sanim.

 

Edhe pse sezoni turistik nuk është duke u zhvilluar siç është prit dhe se gjendja ekonomike e popullit të Ulqinit vazhdon e rendohet, juve zotëri pushtetar ne vend që të merrni masa për zbutjen e pasojave, ju veproni të kundërtën e saj, duke lejuar që inspekcionet e profileve të ndryshme të ndërmarrin ekspedita kundrejt qytetarëve tanë.

 

Zotëri pushtetar, te cilët ushtroni pushtetin si koalicion i cili funksionon si brirët në thes ju pyesim: a jeni te vetëdijshëm se çka jeni duke bërë ?!

 

Ndaluni zotëri pushtetar, sepse për dy vite e keni pru Ulqinin ne robëri financiare prej te cilës as edhe idenë nuk e keni se si të dilni.

 

I drejtohemi eksperteve te famshëm në emrin tonë dhe  ne emër te qytetarëve, që të na kurseni prej eksperimenteve tjera, të na kurseni prej zbatimit të programeve të famshme zhvillimore, sepse këtij qytet dhe popull po i merret fryma dhe shëndeti prej tyre.

 

         Mendojmë dhe vërtetojmë që janë pjek kushtet për zgjedhje te jashtëzakonshme mbas sezonit veror sepse gjendja aktuale kërkon zgjidhje dhe se situata nuk pret.       

 

 

 

 

                            Shërbimi informativ të UDSH-së