Çifti Ejll dhe Age Zagreda kremtoi 70-vjetorin e martesës
Histori e vërtetë dashurie
Nga Gjekë Gjonaj
Në muajin shtator të këtij viti u mbushën 70 vjet, prej kur Ejll Zagreda ( 88 vjeç) nga fshati Reç dhe Age Palja ( 91 vjeç) nga fshati Kllezën të komunës së Ulqinit deklaruan “ po” para priftit Dom Nikollë Tusha në Kishën e Shëngjergjit.
O, more bir, a dëshiron të dish të vërtetën e martesës sonë? – më thanë të buzëqeshur me shumë dashuri në fillim të bisedës çifti shqiptar i moshuar, ditën e vizitës sime në shtëpinë e tyre madhështore në vendlindje, një ditë para kthimit të tyre në Amerikë.
Po, kam kënaqësi t’u dëgjoj – u përgjigja.
Dhe siç thotë Kanuni i Lekës i pari fillon bisedën Ejlli.
“ Babai e xhaxhai më fejuan sipas traditës në moshën 13 vjeçare, pa më pyetur fare. E fejuara ime ishte tri vjet më e vjetër. Nuk e njihja. As ajo mua. Pesë vjet ndejta i fejuar, dhe nuk arrita asnjëherë, as ta shoh e lëre më të takohem me shokun e jetës. Ndoshta sot ju duket e çuditshme, por e vërtetë. Herën e parë u pamë ditën e kurorëzimit. Duhej respektuar zakonet e martesës së familjeve fshatare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Kur isha adoleshent nuk më ka shkuar ndërmend se mund të më plotësohet ëndrra e rinisë sime. Ishin prindërit ata që vendosnin dhe lidhnin krushqi për fëmijët e tyre.Rolin vendimtar e luanin interesat e shtëpisë e jo dëshirat personale të të rinjve”, thotë me seriozitet Ejjli, burrë i ndershëm e human.
Po , po, – ndërhyn buzagaz bashkëshortja e tij Ageja – as unë deri ditën e martesës nuk dija se si duket burri im. “Në atë kohë ishte marre ( turp) me u takua me të fejuarin. Martesa e vajzave asokohe nuk varej nga dëshira e tyre, por nga interesi i familjes”, shprehet Ageja, në praninë e djalit të saj Kolës dhe kushëririt të burrit Nocit.
Edhe pse, as Ejlli, as Ageja kurrë nuk pyetën zemrat e tyre kur është fjala për martesë, por prindërit bënë si deshtën vet, me shumë dashuri e respekt e kanë pranuar jetesën e përbashkët. “ Më parë e kisha pranuar vdekjen se sa e kisha thyer fjalën ( vullnetin) e prindërve pa marrë parasysh se a jemi pëlqyer njëri me tjetrin. Deklarimi kundër vullnetit atëror do të ishte krim për mua që nuk do ta bëja kurrë”, thotë me bindje të plotë Ejlli. ”
Ejll dhe Ege Zagreda është një çift martesor model. Shembull se si duhet të jetojnë bashkë burrë e grua në harmoni dhe lumturi familjare. Me shembullin e tyre dëshmuan se dashuria, për të cilën, siç thashë, nuk i kanë pyetur zemrat, është më e fortë se gjithçka tjetër, dhe se me durim mund të jetohet edhe 70 vjet bashkë. Çifti Zagreda është modeli më i përkryer për t’u pasur një histori martese. Gjithmonë të pandarë, ata ngjallin admirim tek fëmijët, farefisi dhe miqtë e tyre. Ejlli e Ageja po ashtu mund t’ju shërbejnë si shembull i shkëlqyer çifteve të reja të sapormartuar, që për herë të parë ballafaqohen me probleme martesore. Marrëdhënia që kanë mes tyre ngjall admirim.
Është e çuditshme që gjatë kësaj periudhe 70-vjeçare që njihen, gjithmonë kanë qenë bashkë dhe përherë kanë pasur harmoni. Në çdo shaka, darkë, lëvizje, punë, në çdo moment, thonë ata, gjithmonë kanë pasur marrëveshje.
Gjatë jetës së gjatë e të lumtur bashkëshortore sollën në jetë shtatë fëmijë: katër vajza dhe tre djemë, prej të cilëve dy u kanë vdekur pa i mbushur gjashtë muaj. Gëzimi i tyre më i madh sot janë djemtë: Kola e Gjergji, dhe vajzat: Roza, Vitorja dhe Kusha , të gjithë të martuar dhe jetojnë të gëzuar me familjet e tyre në Amerikë. Pjesë e familjes së këtij çifti të rrallë janë afro 40 nipa e mbesa, disa prej të cilëve me shkollim të lartë.
Çifti i moshuar Zagreda, i cili qysh në vitin 1968 jeton jashtë vendlindjes në Amerikë, gëzon shëndet të mirë. Të dy janë vital, të shkathët, shohin dhe dëgjojnë mirë. Mendjen e kanë të kthjethtë. Ageja edhe sot vetë e shtjen penin në gjilpërë . Ndërkaq, Ejlli nget ( drejton) veturën, sikur në moshën e pjekurisë . Pleqëria e tyre e thellë deri sivjet nuk i ka penguar të vijnë e të çmallen, të çlodhen dhe të kënaqen çdo verë në vendlindjen e tyre, që e duan shumë. Dhe pas pak muajsh ku i merr malli për fëmijët kthehen përsëri në Amerikë.
Fëmijët prindërve të tyre sivjet u kanë organizuar në Nju-Jork një gosti të madhe për nder të 70 vjetorit të martesës. Përvjetorin e martesës e kanë shënuar edhe në Ulqin.
Për jubileun e tyre ka dëgjuar edhe Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Shkëlqesia e tij, çiftit Zagreda, u ka dhënë Bekimin Apostolik, në të cilin thuhet: „ Shenjtëria e tij Papa Françesku me gjithë zemër u ka dhënë çiftit të moshuar Ejllit dhe Ages Zagreda Bekimin e Tij Apostolik duke thirrur plotësinë e hireve me rastin e 70-vjetorit të martesës“.
Nga biseda kuptova se në mes të këtij çifti, që i kam miq familjar të dëshmuar, ende ka dshuri, ka respekt, ka tolerancë,ka mirëkuptim. Të dy e duan dhe e nderojnë njëri-tjetrin,tani në pleqëri edhe më shumë. Nuk munden njëri-pa tjetrin.Thonë se janë bërë një dhe se për asnjë çast nuk do të dëshironin të jetonin pa shoqin. Ka gjëra shumë konkrete që bëjnë bashkëshortët për të ndihmuar dhe mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit. Por ndoshta kontributi më i madh është emocional.
„ Fatlum është ai njeri , sidomos në pleqëri, që ka dikë me të cilin bisedon, i shpreh emocionet. Kjo rezulton në përfitime reale fizike dhe emocionale“, thonë në ndarje çifti Zagreda, të cilëve u uruam udhëtim të mbarë për në Amerikë dhe jetë të shëndetshme edhe shumë vite të tjera.
Dhashtë Zoti që së bashku të festojmë 75 vjetorin e martesës së tyre në Ulqin.