Shqiptarët dhe romët, të padëshiruarit në Mal të Zi

October 22, 2013   | Reportazh / Reportaža

kunder-diskriminimitSipas anketës së fundit të organizatës CEDEM, distanca etnike në Mal të Zi që nga pavarësimi i shtetit, është ne rritje. Kjo distancë më së shumti vërehet kur behet fjalë për popullsinë shqiptare dhe atë rome, të cilët në kontekstin social e politik janë më të padëshiruarit në këtë shtet.

Ishin pakicat kombëtare të cilat kryesisht mbështetën pavarësinë e Malit të Zi, votat e të cilëve krijuan diferencën pro-pavarësisë së bashku me malazezet, ndërsa serbet ishin kundër.
Kjo situatë dhe krijoi një aleancë joformale kombëtare në mes të pakicave, kryesisht shqiptarëve e boshnjakëve/myslimaneve me “shumicën” malazeze.
Duke qenë se opsioni pro-pavarësisë ballafaqohej me ata të cilët deklaroheshin serb, fushata e referendumit të vitit 2006 kishte karakter të një konfrontimi politik aq sa edhe kombëtarë.

Mali i Zi në atë kohë (por edhe sot) gjendej në një krizë të identitetit kombëtarë, të kombit i cili përfaqëson shumicën, ai malazez apo serb. Në të vërtet, nuk ka asnjë dyshim se etnikisht nuk ka asnjë ndryshim në mes të atyre të deklaruar si malazez dhe atyre serb. Ndoshta i vetmi ndryshim është ai politik, gjë e cila më së miri u vërtetua gjatë referendumit.

Pakicat kombëtare përkrahën opsionin e pro-pavarësisë duke shikuar interesat e tyre kombëtare, nisur nga logjika se shteti më i vogël do të u garantoj atyre një pozitë më të mirë në arritjen e të drejtave të tyre. Në fakt, kjo nuk ndodhi ende as në kontekstin social dhe as politik, sidomos jo kur flasim për shqiptarët.

Në anketën e fundit të organizatës CEDEM (viti 2007), niveli i distancës etnike në Mal të Zi është shqetësues dhe po të krahasohet me anketën e vitit 2004, distanca etnike është në rritje.

Në pyetjen “Për të jetuar në shtetin tim”, rezultatet kanë treguar se distanca më e madhe ekziston ndaj shqiptarëve. Pothuajse çdo i dyti qytetar i Mali të Zi nuk do të donte që shqiptarët të jetojnë në të njëjtin shtet me ta.
Sipas rezultatit, vetëm 52% e qytetareve të Malit të Zi do të pranonin shqiptarët të jetojnë në shtetin e tyre. Pastaj, 62% amerikanin, 63% romin, 72% rusin, 75% boshnjakun, 91% serbin dhe 96% malazezin.

Në pyetjen tjetër “Për të jetuar në lagjen time (në të njëjtën ndërtesë apo rrugë)”,
më shumë se gjysma e qytetarëve të Malit të Zi nuk do të donin shqiptarët për komshi.
Sipas rezultatit, vetëm 48% e qytetareve do të donin shqiptarin për komshi. 53% romin, 61% amerikanin, 71% boshnjakun, 92% serbin dhe 95% malazezin.

Në pyetjen “Të kam bashkëpunëtor në punë”, më shumë se gjysma e popullsisë nuk do të donte të kenë bashkëpunëtor në vend të punës shqiptarin dhe romin.
Vetëm 47% do te pranonin shqiptarin për bashkëpunëtor në punë, 48% romin, 70% rusin, 71% boshnjakun, 91% serbin dhe 94% malazezin.

Në pyetjen “Të kam epror në vend të punës”, 2/3 e qytetareve në Mal të Zi nuk do të donin të shohin shqiptarin apo romin si eprori i tyre në punë.
Vetëm 34% do të pranonin romin, 35% shqiptarin, 57% boshnjakun, 84% serbin dhe 90% malazezin.

Të jetë mësues i fëmisë tim”, tregon se 70% e qytetarëve të Malit të Zi nuk do të duan shqiptarin apo romin të jetë mësues i fëmisë së tyre.
Vetëm 30% do të pranonin që shqiptari të jetë mësues i femisë së tyre, 30% gjithashtu për romin.

Çështja e komunikimit social, në pyetjen “Të ketë shok/shoqe”, madje edhe në këtë çështje, distanca është relativisht e lartë ndaj shqiptarëve dhe romëve.
Më shumë se gjysma e qytetarëve të Malit të Zi nuk do të pranonin për shok/shoqe shqiptarin apo romin. Vetëm 44% e tyre do të pranonin shqiptarin, po aq edhe romin, 70% rusin, 70% boshnjakun, 92% serbin dhe 96% malazezin.

Në pyetjen “Të ketë pozitë udhëheqëse në shtet”, distanca ndaj shqiptarëve dhe romëve tregon se ¾ e popullsisë nuk do të i pranonin në pozita udhëheqëse në shtet.
Vetëm 25% do të pranon romin, 27% shqiptarin, 47% boshnjakun, 78% serbin dhe 91% malazezin.

Lidhjen martesore të kushëririt apo kushërirës me një shqiptarë nuk do ta donin më shumë se 70% e qytetarëve, kurse lidhje martesore nga vetë ose fëmijët e tyre me shqiptarët, nuk do të pranonin 78% të qytetarëve të Malit të Zi.

Distanca etnike ndaj shqiptarëve është në nivelin më të lartë kurse niveli me i ultë i distancës etnike është ndaj serbeve dhe malazezeve.
Në këtë anketë në proporcion janë anketuar edhe shqiptaret dhe të gjitha pakicat tjera kombëtare, përndryshe distanca ndaj shqiptarëve sigurisht do të ishte edhe më e thellë.

Nga CEDEM sqarojnë se distance etnike në Mal të Zi është në rritje që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi.
Duke u bazuar në këto të dhëna dhe zhvillimet politike nga viti 2007, kur u zhvillua anketa e fundit, distance etnike nuk pritet të ketë pësuar ndryshime të dukshme, sidomos jo në uljen e nivelit të distancës etnike ndaj minoriteteve. /MALESIA.ORG/

Burimet janë marrë nga CEDEM “Centre for Democracy and Human Rights”