“Art Club” shënon 23-vjetorin e themelimit

December 28, 2013   | Kulturë / Kultura

Kalimera-Poetike-Art-Club-Ulqin-1Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi sot 23-vjetorin e themelimit me një takim pune të anëtarëve të saj, ku u prezantuan rezultatet e arritura gjatë vitit 2013.

Pavarësisht ndihmës së vogël institucionale për kulturën, sidomos në këtë kohë krize, viti që po lëmë pas është vazhdim i punës së deritashme të suksesshme të “Art Club”-it për ruajtjen dhe afirmimin e kulturës, letërsisë, artit dhe shkencës shqiptare në Malin e Zi.

Në fushën e veprimtarisë botuese, gjatë këtij viti me firmën e “Art Club”-it, i cili është botuesi më i madh ndër shqiptarët në Mal të Zi, janë botuar 11 tituj të rinj, ndërkaq katër libra të tjerë gjenden në procesin e shtypit dhe pritet të botohen së shpejti. Krahas kësaj, është realizuar me sukses edhe një edicion i manifestimit “Kalimera Poetike”, duke sjellë në Ulqin emrat më kulmorë të letërsisë shqipe dhe ballkanike, dhe është mbajtur për të parën herë në Ulqin manifestimi “Ditët e filmit dokumentar dhe të shkurtër shqiptar”, ku janë prezantuar të arriturat e fundit në këto gjini të kinematografisë shqiptare. Po ashtu janë organizuar edhe disa përurime të librave dhe shënime të përvjetorëve.

SHAI “Art Club” falënderon të gjithë donatorët që e kanë mbështetur në realizimin e projekteve të tij.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve të Ulqinit. Ajo është një ndër shoqatat më të vjetra të shoqërisë civile të krijuara në periudhën e pluralizmit, jo vetëm ndër shqiptarët, por në tërë Malin e Zi.

Ulqin, më 28 dhjetor 2013