Mali i Zi – Shqipëri, takim për menaxhimin e ujërave ndërkufitare

April 11, 2014   | Ekonomia / Ekonomija

1
Në Podgoricë të Malit të Zi, u mbajt sot takimi i Komisioneve Ndërshtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, të ngritur nga ministritë përgjegjëse për administrimin e ujërave, në lidhje me “Realizimin e masave për rregullimin e regjimit ujor të liqenit të Shkodrës dhe të lumit Buna”. Komisioni Ndërshtetëror operon në zbatim të Memorandumit të Mirëkuptimit të datës 14.12.2010, me fokus menaxhimin e ujërave ndërkufitare që ndajnë dy shtetet fqinje.

Komisioni ndërshtëror nga pala shqiptare kryesohej nga zv. Ministrja e Mjedisit Znj. Djana Bejko, e cila në fjalën e saj vuri theksin në masat e marra nga qeveria Shqiptare për rregullimin e regjimit të ujërave sipërfaqësore Liqeni i Shkodrës – Lumi Buna. Rregullimi i regjimit ujor, mbajtja e kuotave të përcaktuara mes dy shteteve fqinje dhe menaxhimi me efikasitet i burimeve të përbashkëta ujore ishin kryefjala e këj takimi.

Gjatë fjalës së saj, Znj. Bejko u përqëndrua në situatën aktuale të kuotave ujore në argjinaturat e lumit Buna si dhe si dhe rakordimin e kuotave me palën malazeze përcaktuar në Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy shteteve fqinje.

Implementimi i aktiviteteve për fazën e mëtejshme, si dhe mbi programi i veprimtarive në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit ishin në qendër të diskutimit të Zv. Ministres së Mjedisit e cila garantoi, mbështetjen dhe angazhimin e plotë të palës shqiptare për realizimin me sukses të hapave të mbetura, mbështetur në këtë Memorandum mirëkuptimi dypalësh.

Gazeta Shqip