Kapedani Hasan Cano Karamanaga

July 4, 2014   | Reportazh / Reportaža

Detaria e Ulqinit-1Familjet detare të Ulqinit

Detaria ulqinake e ka historikun e vet mjaft të pasur. Kjo edhe mbështetet në shumë dokumente, ku bëhet fjalë lidhur me flotën tregtare, të cilën, gjatë shekujsh, Ulqinin e bëri të njohur nëpër shumë limane dhe dete të Adriatikut, të Jonit, të Mesdheut dhe më gjerë. E vërteta është se deri më sot u shkrua dhe u trajtua kjo speifikë dhe veçori ulqinake. Aty u pasqyrua roli dhe rëndësia e detarëve dhe e detarisë së këtij qyteti me tradita të rralla lundrimi. Kuptohet, këto do të plotësonin edhe më mirë po qe se shkruhet libri monografik për familjet detare ulqinake, ku do të përfshiheshin ato të fundshekullit 19 dhe atij 20. Kjo do ta plotësonte një zbrazësi që është dhe shërben si imperativ i kohës që aq shpejt kalon dhe shumë gjëra të rëndësishme i qet në harresë. Pikërisht për këtë më shërben motiv njëra ndër familjet që detin dhe lundrimtarinë e pati profesion dhe pasion – Familja Karamanaga. Familjarët e saj ishin banorë të vyerë të Kalasë shekullore të Ulqinit. Kjo familje i dha detarisë ulqinake detarë t  njohur dhe sypatrembur. Në këtë mes duhet veçuar Jusufin, Sulejmanin, Selimin, Maliqin, Hasanin, Nailin, Basriun – kuptohet edhe pasardhësit e tyre meshkuj.
Hasan – Cano – Karamanaga-
Një ndër detarët më të njohur të familjes Karamanaga ishte edhe babai im, kapedan Hasan – Cano – Karamanaga. Bashkëkohësit e tij e çmojnë detar me nam. Në biseda me ta kam kuptuar, por edhe ai tregonte, kur evokonte kujtime të detit, se, qysh si fëmijë filloi të punojë nëpër anije me vela, si muço. Anijet me vela, thoshte ai, ende lundronin brigjeve të Mesdheut në fillimtë shekullit l9, por edhe të atij 20 –të. Asokohe Ulqini dhe detaria shqiptare në përgjithësi kishte pak anije me makina – motorë me avull. Në limane të Afrikës Veriore, në qytetet e njohur si Aleksandria, Tripoli, Algjeri e shumë të tjerë, detarët ulqinakë ngarkonin mallra me vlerë dhe këto me kohë i sillnin tek ne në Adriatik dhe në limane të ndryshme të Italisë. Kuptohet, nga brigjet e Adriatikut ngarkonin për eksport, për pronarë të ndryshëm mallra nga këto vise si vaj ulliri, dru cilësorë dhe prodhime të ndryshme të tjera.

Si fëmijë shpeshherë kam dëgjuar tregime dhe rrëfime nga lundrimet e gjata  me velanije të pronarëve të ndryshëm, të cilat na i tregonte babai, pas kthimit nga“seferi”. “Sefer” detarët quanin lundrimin  me një barkë, një barkim, pas këtij lundrimi vinin në shtëpi. Më ka mbetur në kujtesë shprehja “deti isht padishah në vedi” e posaçërisht ajo e cila ka treguar se sa e vështirë ishte të fitohej buka në det –pasonte e thëna “deti buk e gjak”, ose edhe “deti buk me nand koje.” Në atë kohë para dhe pas Luftës së Parë Botërore, por edhe më vonë, gjatë Luftës më të tmerrshme, asaj të Dytës, ka qenë shumë vështirë të lundrohet dhe të sigurohet buka për familje. Më kujtohen tregimet nga lundrimet e pandërprera kur babai si muço dhe detar ka lundruar edhe me anije me vela. Më vonë ai u gjend edhe në anije me motorë me avull. Thoshte se në ato kohë të rrezikshme me vështirësi sigurohej nafta. Prandaj, rrëfente babai, në të shumtën lundronim me velanije. Në anije të mëdha me tre direkë detari është dashur të ketë dije,  kurajo dhe mjeshtëri të madhe – shkathtësi lundrimi.
Detaria e Ulqinit

Babai im, Hasan Cano Karamanaga arriti, në saje të dijes dhe të shkathtësisë së tij të bëhet nostromo, oficer i parë në anije, në moshën 27 vjeçare. Pak më vonë arriti të bëhet edhe kapedan i anijeve. Është dashur t’u ruhej minave në det dhe anijeve luftarake, posaçërisht nëndetëseve. Gjithmonë kemi qenë të rrezikuar se do të kthehemi të gjallë në shtëpi, thoshte ai. Dëshmi për këtë ishte lundrimi me anijen “Bojana” e cila edhe është fundosur para gjirit të Valdanosit. Babai së bashku me ekuipazhin e kësaj anijeje moderne dhe mjaft të madhe për atë kohë, meqë kishte edhe motor një makinë angleze me avull patën fat dhe shpëtuan gjallë. Pas kësaj ngjarjeje, babai im, një kohë punoi në Kriporen “Bajo Sekuliq” të Ulqinit si shef i një reparti në prodhimin dhe transportimin e kripës deri tek anijet të cilat i kanë ngarkuar në molon e Portomilenës. Pas Luftës së Dytë Botërore sërish barkohet në anije dhe i kthehet dashurisë më të madhe – detit.

Ka folur disa gjuhë, ndër të tjera ka shkruar dhe ka folur turqishten dhe arabishten, ka lexuar Kur’anin, një ekzemplar i rrallë sot ruhet dhe gjendet në shtëpinë time në mesin e shumë librave të çmuar që kam. Këtë ekzemplar e ruajti si kujtim të shtrenjtë nga babai i tij, e gjyshi im, mulla Ismail Karamanaga. Babai im ishte besimtar i rrallë. Ramazanin e agjëroi shpeshherë gjatë lundrimeve nëpër dete e limane të ndryshme. Në anije i kreu të gjitha obligimet fetare. Nganjëherë, si kapedan i rryer që ishte, në kohën e Jugosllavisë titiste, e ka bërë pushimin edhe në shtëpinë tonë në Kala. Më kujtohet protokolli para dhe pas iftarit dhe pastaj namazi i taravisë në xhaminë e Kalasë. Ne, si fëmijë, gjithmonë i kemi përjellë “kalalitë” në xhami dhe kemi qëndruar ty deri kanë përfunduar lutjet dhe falja në xhami. Pastaj, burrat shkonin të pinin kafe te komshitë.

Detaria e Ulqinit-2

Ndoshta ishin kohë shumë më të vështira se këto që i jetojmë sot, por me siguri ka pasur më shumë dashuri. Është jetuar pa strese dhe kam përshtypjen se njerëzit ishin më të kënaqur. Ne,”kalalitë” gjithmonë dhe gjithnjë detin e kemi pasur dhe e kemi ende në gjak. Shumë nga ne, ende edhe sot, lundrojnë deteve dhe oqeaneve, kuptohet në kushte dhe në rrethana të tjera. Mendoj se nuk është mirë të bëhen krahasime ndërmjet kohës së kaluar dhe kësaj të sotmës në detari. Mendoj se dikur detarët kanë qenë më të “fortë”se këta sot. Lundrimi ishte më i vështirë, ndaj kërkohej mjeshtëri më e madhe. Sot,”navigacioni” është më i lehtë në saje të teknikës dhe të satelitëve të  cilët pandërprerje ofrojnë informata për lundrime të sigurta.

Është mirë të përmenden personalitetet siç ishte ndër shumë të tjerë edhe babi im, kapedan Hasan Cano Karamanaga. Është mirë që ai dhe një plejadë e madhe detarësh të dalin në shesh dhe nga harresa. Në këtë mënyrë i dalim borxhit duke përkujtuar kështu veprën dhe trashëgiminë tonë të lavdishme detare. Unë, në librin tim “Kalaja, legjendë dhe art”, por edhe më vonë në revista të ndryshme, kam shkruar për disa figura të cilat kanë lënë gjurmë në trashëgiminë tonë, në kulturën tonë dhe në jetën tonë. Mendoj se edhe babai im gjendet në mesin e tyre dhe prandaj, këta padyshim meritojnë të shënohen dhe të mos harrohen kurrë.

Ismet Karamanaga

Koha Javore