SABRI SALAJ: Ulqini si arenë diplomatike – ÇËSHTJA E ULQINIT (2)

September 15, 2014   | Lajmet / Vijesti, Opinione

SABRI SALAJVendimi i Fuqive të Mëdha për shtypjen e Lidhjes Shqiptare nga Porta e Lartë më qëllim dorëzimin e Ulqinit, kishte bërë jehonë të mëdha në korrespodencën evropiane ku gazeta “Obzor” vinte në dukje se Evropa, duke mos pasur mundësi të luftojë kundër shqiptarëve në brendinë kontinentale e detyroi Turqinë që ajo më të gjitha forcat ta luftonte Lidhjen Shqiptare dhe ta shtypte atë përbrenda. Përndryshe, flota evropiane do të përsëriste rastin e viteve njëzetë të shek. XIX në Egje me rastin e konflikteve Turqi – Greqi, marionete e Anglisë, përkatësisht, se flota do ta shkatërrojë Stambollin në ngushtica Bosfor-Dardanele. Për këtë qëllim Evropa e tërhoqi flotën nga Ulqini dhe e nisi drejt Stambollit.

Porta për ta ruajtur kryeqytetin e Turqisë në një anë dhe në anën tjetër, për shkak se autonomia dhe pavarësia e Shqipërisë do t’ia hiqte nga dora edhe pjesët e fundit në viset kontinentale dhe bregdetare të Adriatikut në Ballkan – shtypjen e Lidhjes Shqiptare e shtroi si punë urgjente të qeverisë turke. Për këtë qëllim Porta e dërgoi në Shqipëri Dervish Pashën, i cili konsiderohej si pashai më i rreptë dhe armiku më i përbetuar i shqiptarëve.

Ulqini-ne-vitet-1901

Me çështjen e Ulqinit çështja shqiptare u kthye në agjendë ndërkombëtare dhe kishte filluar të trajtohet si e tillë duke qenë prezent në të gjitha kancelaritë më të mëdha diplomatike. Lidhja Shqiptare në mbrojtje të trojeve të veta etnike kishte fituar një popullaritet të madh në arenën ndërkombëtare. Shqipëria ndodhej në një zonë ku nga aspekti gjeostrategjike dhe gjeopolitike përplaste interesat e të gjitha Fuqive të Mëdha duke bërë që çështja e Ulqinit të ishte një arenë diplomatike, prapaskenat e të cilës rrezikonin një luftë të përgjithshme. Tendencat cariste për realizimin e projektit të tyre të Shën Stefanit, vëzhgoheshin më kujdes të lartë nga ana e diplomacisë angleze, e cila kishte rolin dhe pozitën më të mirë në marrëdhënie ndërkombëtare. Anglia mbronte idenë e autonomisë së Shqipërisë, si pengesë për zgjerimin e shteteve sllave drejt Ballkanit, por edhe si një kontribut për zgjidhjen e çështjes lindore. Përfaqësuesi i Anglisë në Komisionin ndërkombëtar Fricmoris ishte për një autonomi shqiptare brenda vilajeteve shqiptare. Idenë e tij për formimin e një shteti shqiptar në Ballkan Fritzmaurice e kishte arsyetuar me këto fjalë: “(…).Nëse ndodh shuarja e Perandorisë Osmane, përkundrazi, me formimin e një Shqipërie të fortë, do të zhdukeshin të gjitha arsyet për një okupim të saj nga ndonjë fuqi e huaj. Shqipëria do t’i mbyllte lidhjet veri-jug si dhe Siujdhesa Ballkanike do të qëndronte nën sundimin e racës me banorë të atjeshëm”.

Kjo politikë e Anglisë në mbrojtje të çështjes shqiptare kishte një theks të veçantë në qeverisjen e Lordit Beaconsfield- Disraeli duke parë edhe rrethanat në të cilat ndodhej politika ndërkombëtare në atë kohë, kurse me ardhjen në pushtet të lordit Gladstone diplomacia angleze ndryshoi edhe kursin e politikës për çështjen shqiptare. Kjo vinte si rezultat i krijimit të rrethanave të tjera, kështu që u detyrua të rreshtohej dhe të ishte në përputhje me interesat gjeopolitike që diktonte dhe synonte gjeopolitika dhe diplomacia ruse në raport me Ballkanin dhe sllavët.

Lordi anglez Gladston, politikën dhe diplomacinë e tij britanike e orientoi tërësisht në drejtim të kundërt me çështjen shqiptare, pra në një drejtim krejt tjetër, të pafavorshëm për synimet, përpjekjet dhe aspiratat e shqiptarëve. Diplomacia angleze dhe politika e jashtme e saj, me ardhjen e Lordit Gladstone në krye të qeverisë britanike, tanimë ishte në përputhje dhe e rreshtuar me interesat gjeopolitike që diktonte dhe synonte gjeopolitika dhe diplomacia ruse në raport me Ballkanin dhe sllavët.

Publicistja e njohur angleze Mery Edith Durham lidhur me vendimin e Fuqive të Mëdha që Ulqini t’i jepej Malit të Zi, e akuzonte veçanërisht qëndrimin e kryeministrit britanik Glledston (Gladstone). Ajo nëpërmjet tjerash nënvizon “(…) Ndonëse kishte njohuri të cekëta mbi kishën ortodokse, ai Gladstone kultivonte simpati të jashtëzakonshme për te, ndërkaq duke qenë i bindur në idenë e pagabueshme se çdo mysliman ishte turk, ai u pajtua që Malit të Zi t’i jepej Ulqini, qytet i pastër shqiptar (…) Ky ishte vendim tejet i padrejtë dhe mizorë. Ulqini në kohën e [sundimit të] mbretërve serbë [gjatë Mesjetës] ruajti autonominë e vet, një kohë bile shtypte edhe monedhën e vet. Të gjithë udhëpërshkruesit e kohëve të shkuara shënojnë se atje flitej gjuha shqipe. Malazezët nuk ia dolën ta marrin atë dhe nuk kanë të drejtë mbi te. Vetëm demonstrimi i detar i Fuqive i detyroi shqiptarët ta dorëzonin qytetin – ishte kjo ndër aktet kërcënuese më të shëmtuara të Fuqive deri në atë kohë”. (M. Edith Durham, Twenty Years of Balkan Tangle, London: George Allen&Unwin LTD, 1920, P.35.)

Sa i përket Gadishullit Ballkanik Rusia në konkurrencë për ndarje të zonave të interesit kishte Austro-Hungarinë. Ketij rivaliteti në mënyrë indirekte pas bashkimit iu shtua edhe Italia e cila filloi të bëhej faktor i rëndësishëm në politikat ndërkombëtare. Anglia dhe Franca interesat e të cilave nuk ishin në një vijë me fuqitë e tjera kërkonin dhe hartonin strategji që t’i zgjidhnin sa më shpejt çështjen e Ballkanin, ku si synim kishin mos krijimin e konflikteve tjera zonë e interesit të tyre. E gjithë kjo përplasje ndërmjet fuqive të mëdha, që çështja e Krizës Lindore të zgjidhej, pa prekur interesat e tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike për faktorin shqiptar dhe çështjen e Shqipërisë së Veriut në veçanti përbënte betejën me të madhe mbi të cilën dhe si duhet të ndërtohet mbrojtja e trojeve të tyre etnike.