Anton Lulgjuraj në lidhje me deklaratën e n/kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi z. Branko Raduloviq

October 16, 2014   | Ngjarjet - Events

Anton-Lulgjuraj.2Me keqardhje mora lajmin në lidhje me deklaratën e n/kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi z. Branko Raduloviq dhe deputetit të Frontit Demokratik z. Llabudoviq të cilët kërkojnë që organet kompetente të fillojnë hetimet se kush organizoi festimet në Malësi, Ulqin dhe Plavë për kombëtaren e Shqipërisë? Ata shkojnë edhe më larg duke e quajtur “çështje serioze e sigurisë”! Sa turp për këto deklarata? Sa pa serioz që jeni në detyrën që keni marrë përsipër! Mos mendoni se do i frigësoni qytetarët me këto deklarata. Ju na ndaloni shumë gjëra në shtetin tonë që quhet Mal i Zi. Ne e kemi të njëjtën shtetësi sikurse edhe ju, por kemi kombësi të ndryshme, kulturë dhe traditë të ndryshme. Por, kjo nuk duhet lejuar që të na ndajë, kjo duhet të na bashkojë në rrugën tonë evropiane.

Ju mund të na ndaloni identifikimin me simbole kombëtare, mund të na ndaloni përkohësisht të drejtën në vetëqeverisje lokale, mund të na i ndaloni librat nga shteti shqiptar, mund të na diskriminoni në baza racore, por ju asnjëherë dhe për asnjë moment nuk mund të na tregoni se për kënd duhet të bëjmë tifo. Kjo nuk ka të bëjë fare me sigurinë kombëtare dhe aq më pak me luajalitetin tuaj politik. Nuk do përfitoni asnjë të mirë nga këto deklarata. Merruni me krimin shtetëror, me kontrabandën, me kriminelët që qarkullojnë përditë në Mal të Zi. Kjo po që është çështje serioze e sigurisë. Në çdo shtet të Evropës qytetarët lejohet të bëjnë tifo për kënd të duan ata. Zvicërra i lejoi shtetasit e saj të bëjnë tifo për Shqipërinë, atëherë me ç’të drejtë i thoni këto deklarata dhe cili është qëllimi juaj të nderuar deputet? Ai shtet që mbjell frikë tek qytetarët e vet, e mbytë çdo pjesë të demokracisë dhe të së drejtës.