SABRI SALAJ: Presionet ndërkombëtare – ÇËSHTJA E ULQINIT (7)

October 20, 2014   | Lajmet / Vijesti, Opinione

SABRI SALAJMë 20 shtator erdhi flota në Ulqin, ku qëndroi dy muaj në gatishmëri për të ndërhyrë në zgjidhje të çështjes së Ulqinit, në rast se Porta e Lartë nuk do ta zgjidhte. Presioni ndërkombëtar që iu bë këtij qyteti të vogël bëri jehonë të madhe në të gjithë botën. Vendosmëria e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre tregonte se vendimet e fuqive të mëdha nuk ishin bërë në përputhje më të drejtën e popujve por mbi bazën e interesave të tyre.

Afrimi i luftanijeve të Fuqive të Mëdha apo të “danameve të kajlave”, siç i quanin shkodranët, në ujërat bregdetare të Shqipërisë nuk trembi njeri. “Janë 20 copë të mëdha dhe vaporë të vegjël (janë) shumë-i shkruante disa ditë më vonë një tregtar shkodran korrespodentit të vet në Prizren. Kanë banda ndër daname të 6 krajlat. Por na s’e kena hiç gajlen e tyre, se ato nuk munden me ecun nëpër male ku rrimë na. Ulqini le të vijnë ta djegin se s’kemi gajle”.

Lidhja Shqiptare nuk ishte vetëm në mbrojtje të Ulqinit, ajo ishte mobilizuar në mbrojte të gjithë Shqipërisë. Rënia e Ulqinit, dhe shkëputja e tij nga trungu shqiptar jepte mundësi, që më rënien e pashmangshme të Perandorisë që ishte në proces largimi nga Ballkani, shtetet fqinje të copëtonin pjesë të tjera të territorit shqiptar.

Konsulli Depolo nga Tivari më 26 shtator 1880 tregonte për gatishmërinë e shqiptarëve në mbrojtje të Shqipërisë. Kjo del nga një fjalim që mbajti ato ditë njëri prej udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Shkodrës, emrin e të cilit konsulli Depolo nuk e thotë. “Mali i Zi, thotë ai, nuk synon të marrë vetëm Tuzin e Ulqinin por synimi i saj është drejt Shkodrës, për tu zgjeruar në ato vise ku valon lëvizja antiosmane. Prandaj- theksonte ai, – Shqipëria duhet të para armatoset dhe të qëndrojë më sy hapur kundër dëshirave të Malit të Zi”.

Tani që çështja lindore është në zhvillim të plotë, sundimi osman do të marrë fund herët ose vonë në Evropë. Zotërimet e saj në këto anë me siguri do të copëtohen. Kush do të jetë ai që do ta pushtojë atëherë Shqipërinë? Prandaj në duhet të përpiqemi të bëhemi të fortë, të bashkuar dhe kompakt për të fituar më kohë pavarësinë tonë…

Vendosmëria e Lidhjes Shqiptare në mbrojtje të Ulqinit kishte lënë një përshtypje të thellë në opinionin ndërkombëtar ku më 1 tetor 1880 revista austro-hungareze “Messager de Vienne”, shkruante: Ky qytet i vogël do të bëhet pas pak teatër ngjarjesh të tilla, të cilat historia moderne deri sot nuk ka mundur t’i regjistrojë. “Në rast se malazezët sulmojnë shqiptarët dhe munden prej tyre, atëherë komandantit të flotës ndërkombëtare, admiralit Sejmur nuk i mbetej gjë tjetër veçse të bombardonte qytetin, vazhdonte më tej gazeta”.

Porta e Lartë përpiqej që çështjen shqiptare ta zvarrite sa më shumë të jetë e mundur më qëllim që të krijonte përçarje ndërmjet fuqive të mëdha, duke përdorur faktorin shqiptare. Fuqitë e Mëdha dyshonin në luhatshmërinë e Portës, rezultat i së cilës ishte mos realizimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit. Rusia nëpërmjet satelitëve të saj udhëhiqte një diplomaci sekrete më qëllim dominimin në Ballkan dhe Mesdhe. Si rezultat i kësaj Rusia kërkonte më çdo kusht që Mali i Zi të zgjerohej në bregdet, të cilën e kishte paraparë edhe sipas Traktatit të Shën Stefanit. Rusia udhëhiqte politikën e Malit të Zi dhe kërkesat e tij drejtuar Fuqive të Mëdha.

Konsulli frëng vë në pah vendosjen e një diplomati rus në Cetinjë, me mision që ta këshillojë Malin e Zi. Pastaj flet mbi korrespodencën e përditshme në mes Cetinjës dhe Petrogradit duke cituar: Princ Nikolla nuk bën asgjë, absolutisht pa kërkuar autorizimin e Shën Peterburgu. Më një fjalë, Princi mbretëron, Rusia qeverisë, pastaj u dërgohen dekoratat e perandorit të Rusisë, luftëtarëve të dalluar malazezë (dok 30 marsit 1880) shihet qartë përzierja në çështjet e brendshme shqiptare të nën konsullit rus, (dok.nr.38 i 12 prillit 1880).

Para dhe gjatë Kongresit të Berlinit, delegati i Malit të Zi në Kongres deklaronte se të drejtat e Malit të Zi duhet të jenë më të zgjeruara. Ai theksonte posaçërisht vijën kufitare me Shqipërinë dhe dëshmoi se pa tokat pjellore në bregdet, Mali i Zi nuk do të mund të jetonte. Ndërsa konti Petar Shuvalloviqi me urdhër të qeverisë tij ruse kërkoi prej Kongresi që Malit të Zi t’i jepej rajoni i kërkuar deri në Bunë dhe Shkodër. Mali i Zi nuk ishte i kënaqur me vendimet e Kongresit të Berlinit. Këtë e shprehte edhe princ Nikolla kur theksonte: Më e rëndë për mua është që jashtë kufijve mbeten lumi Buna, arterie e jetës sonë dhe Ulqini. Princi e urdhëroi Stanko Radoniqin që përpara se të përshëndetej e të largohej nga Berlini të njoftonte çdo anëtar të Kongresit se Mali i Zi nuk është shpërblyer drejt dhe se kufijtë e rinj janë caktuar në mënyrë të padrejtë. Kjo tregonte se që nga Kongresi i Berlinit, Mali i Zi kishte tendenca bregdetin dhe portet e tij, prapa se cilave qëndronte diplomacia ruse. Mosrealizimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Porta e Lartë, si rezultat i së cilave në skenën ndërkombëtare Fuqitë e Mëdha nxorën çështjen e Ulqinit, bëri që diplomacia ruse të shkonte drejtë qëllimit të saj, për dominimin në Ballkan dhe Mesdhe.

Presioni i Rusisë në drejtim të fuqive të mëdha për dorëzimin e Ulqinit, bëri që të merren të gjitha masat dhe të jepet ultimatum i fundit Portës së Lartë në zbatimin e marrëveshjes. Autorizimi i Dervish Pashës për zbatimin e marrëveshjes tregonte vendosmërinë e Portës së Lartë në realizimin përfundimtar të marrëveshjes.

Fuqitë e Mëdha e kërcënuan Perandorinë Osmane se po të mos e detyronte me forcë Lidhjen e Prizrenit që kjo t’ia dorëzonte Ulqinit Malit të Zi, ato do të ndërhynin në Ulqin me flotën e tyre luftarake dhe në të njëjtën kohë do të zbarkonin në skelën turke të Izmirit.

Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Ulqinit u përgjigj duke shpallur se për të mbrojtur trojet e tyre e atdheun e tyre shqiptarët ishin të vendosur për të luftuar edhe kundër Perandorisë Osmane ose Fuqive të Mëdha.

Dervish Pasha në fillim përdori aspektin diplomatike më qëllim të arritjes së një marrëveshje më shqiptarët që në mënyrë paqësore të bëhet dorëzimi i Ulqinit.

Më 11 nëntor 1880 Dervish Pasha e thirri parinë e Lidhjes Shqiptare që të bisedonte me ta rreth dorëzimit të Ulqinit në mënyrë paqësore, sipas urdhrave të Portës së Lartë dhe vendimeve të Fuqive të Mëdha. Përgjigja e parisë së Lidhjes Shqiptare ishte: “Ne kemi vendosur të luftojmë kundër kujtdo qoftë që dëshiron ta copëtojë qytetin tonë. Është e pamundur për ne të jetojmë nën qeverinë e një shteti për natyrën e të cilit nuk dimë asgjë e as nuk na pëlqejnë zakonet e tij, të një shteti më të cilin nuk kemi asgjë të përbashkët…”.

Në të gjitha anët diskutohej për çështjen e Ulqinit, ku vullnetarë në mbrojte të tij vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë duke rrit kështu intensitetin në mbrojtje të vatanit. Kjo bëri që Dervish Pasha të merrte të gjitha masat për sulm të përgjithshëm, për të pushtuar Ulqinin. Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Ulqin më 16 nëntor 1880 iu dërgon protestë fuqive të mëdha duke iu bërë me dije vendosmërinë e banorëve të Ulqinit në mbrojtje të vatanit nga çdo agresion. Në protestë thuhej: “Kur morëm vesh që qyteti ynë, Ulqini, duhet t’i jepet Malit të Zi patëm nderin t’ju njoftojmë në kohën e duhur se të gjithë banorët e qytetit tonë, pa dallim feje, kanë vendosur njëzëri ta kundërshtojnë këtë vendim dhe të mbrojnë vatrat e tyre më armë në dorë”.

Veprimi i koordinuar ndërmjet Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë kundër Lidhjes Shqiptare bëri që Ulqini të dorëzohej Malit të Zi. Lidhja Shqiptare pas një beteje në dy fronte dhe një veprimtarie të dendur diplomatike bëri që duke mbrojtur Ulqinin, çështja shqiptare të ndërkombëtarizohej duke bërë jehonë të madhe në të gjithë arenën ndërkombëtare. Po ashtu Lidhja Shqiptare pas dorëzimit të Ulqinit, Malit të Zi, shpalli qeverinë e përkohshme dhe pavarësinë e Shqipërisë, duke zhvilluar një luftë të përgjithshme më Perandorinë Osmane. Kur ra Ulqini dhe iu dorëzua Malit të Zi, u hoq nga rendi i ditës i ashtuquajturi “problemi verior i shqiptarëve” me Malin e Zi, por para Konferencës së Ambasadorëve në Berlin shtrohej një problem tjetër i madh, ai i Shqipërisë së Jugut, i rregullimit të kufijve me Greqinë.