Iliriana Gjoni me një koncert recital në Ulqin – Video

December 17, 2014   | Lajmet / Vijesti

Iliriana GjoniArtistja Iliriana Gjoni do të mbajë koncert recital në Ulqin, në Shkollën e muzikës, me 27 dhjetor, në orën 19.

Ajo sjell një program nga kompozitorët J.S. Bach, L. v. Beethoven dhe F. Chopin.

Iliriana u lind në Ulqin në vitin 1986. Mësimet e para të pianos i merr në moshën 9 vjeçare pranë Shkollës së muzikës të qytetit të saj. Në vitin 2001 mbaron shkollën fillore të muzikës dhe atë të përgjithshme, duke u cilësuar si nxënëse e gjeneratës e të dy shkollave. Në të njëjtin vit njihet me pianistin e pedagogun e famshëm malazez, Boris Kraleviq, me të cilin fillon një bashkëpunim intensiv i cili do të zgjaste 5 vjet. Paralelisht studimet e saj i vazhdon në klasën e prof. Lidija Skender pranë Shkollës se mesme të muzikës “Vasa Paviq” në Podgoricë, nga e cila do të cilësohej nxënëse e gjeneratës në vitin 2005.

Në shtator të 2005 regjistrohet në Akademinë e arteve në Tiranë, Departamenti i Pianos në klasën e prof. Nora Çashku, ndërsa diplomohet në qershor të 2009 me notën 10. Nga korriku i 2006 mundi të frekuentonte një masterclass – të organizuar nga Akademia – të pianistes dhe pedagoges së shquar italiane Lucia Passaglia, me të cilën fillon një kurs perfeksionimi. Fituese e një burse studimi të dhënë nga Qeveria italiane transferohet në Itali ku regjistron kurset universitare të nivelit të dytë (master) në Konservatorin e Pescaras, në klasën e prof. Silvio Feliciani.

Në semestrin dimëror të vitit akademik 2010/2011 pranohet në klasën e Prof. Michael Uhde dhe Markus Stange në Universitetin e muzikës në Karlsruhe (Gjermani), si fituese e një burse shkëmbimi, Erasmus. E mahnitur me shkollën e disiplinën gjermane, ajo vendos të vazhdojë studimet e saj pranë këtij universiteti, gjë që pati si pasojë kalimin me sukses të një provimi pranues në shkurt të 2011. Në korrik të 2012 diplomohet me notën më të lartë dhe i jepet grada „Master of Music – Piano“. Në prill të po atij viti pranohet në drejtimin Master – Muzikë dhome. Poashtu me notën më të lartë dhe titullin „Master of Music – Chamber Music“ përfundon studimet në këtë degë në shtator të 2014.

Iliriana ka marrë pjesë në konkurse të shumta republikane, federative, kombëtare e ndërkombëtare duke u cilësuar deri më sot me mbi 20 çmime nga të cilat veçohen: 4 Lira të arta në Garat kombëtare të Malit të Zi, 3 Vende të para në Konkursin mbarkombëtar shqiptar EPTA, Çmimi i parë absolut në Garat evropiane të mbajtura në Itali dhe së fundmi Çmimi i parë në Konkursin ndërkombëtar Guardiagrele (CH). Për studimet e saj në Gjermani ajo përfitoi një bursë të Ministrisë së kulturës së Republikës së Malit të Zi.