Esat Mehmeti: Jeta e të rinjve tanë – në maje të hundës !

December 25, 2014   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

rINIA-uLQINShkruan: Esat Mehmeti, gazetar i radio Ulqinit

 

Gjithmonë është thënë se rinia është e ardhmëria jonë. E ardhmja e një shoqërie, e një kombi, e një shteti dhe në duart e tyre do të bartin përgjegjësistë dhe obligimet për të udhëhequar, edukuar, zhvilluar dhe për të çuar përpara shoqërinë.

 

             Jo vetëm në këtë mjedis, por edhe më gjërë, ku jetojnë shqiptarët, asnjëherë nuk ka qenë aq lehtë të jetohet, madje edhe kur ishin kohët më të mira dhe më të liga. Mirëpo, në dekadën e fundit, popullata e këtij mjedisi po ballafaqohen me këtë të dytën më tepër, çka do të thotë i ngjanë njëfarë inercioni, praktikisht asaj që ta ruajmë tretmanin e të varfërit, apo më të pazhvilluarit. Por, kjo nuk është rezultat i përpjekjeve tona, kryesisht, është pasojë e aspiratave e të fortëve, e atyre që mbajten dhe mundohen edhe sot ta mbajnë situatën e tendosur.

Në këtë mjedis, praktikisht ekonomia shoqërore, siç e quanim është në rënie e sipër, apo më mirë të thëmi në shkatërrim. Në një situatë të këtillë, të rinjtë tanë edhe ashtu të paktë në numër, i janë rrekur hapjes se disa firmave private tregtare, por duhet cekur se ka shumë pak përpjekje e investime në reparte prodhuese, qofshin ato më të voglat.Tregtia është vetëm një segment i jetës. E vërteta është se njerëzit tanë nuk kanë kapital, andaj dhe në një situatë të tillë nuk mund të priten edhe investime të mëdha.Këtij fakti ia shtojmë edhe disa të tjera, të cilat e aktualizojnë më tepër këtë mjedis dhe trevat të tjera të banuara me shqiptarë. Përveç rrethanave politike dhe kushteve social-ekonomike, rezulton bilanci përfundimtar se jeta e të rinjve tanë është në angth.

Ndërsa, anën tjetër të kësaj medalje, me të madhe e ngacmon s h p ë r n g u l j a . Rinia shqiptare sot po kalon momente shumë të vështira dhe ndodhet në një udhëkryq të madh ? !.Largimi i tyre vazhdon çdo ditë. Motivet të cilat nxisin rininë shqiptare për të migruar nëpër vendet të ndryshme të botës, janë të shumta dhe nga më të ndryshmet; Amullia e realiteteve, apatia dhe pa perspektiva në një anë, dhe varfëria e skajshme në anën tjetër, janë nga faktorët që shtresën më vitale të shoqërisë sonë e kanë kushtëzuar që të orientohet në horizontet e paqarta. Këta faktorë kanë ndikuar dhe gjithnjë ndikojnë, që shtresa më e nevojshme e kombit tonë, t’i lëshojë vatrat e tyre shekullore dhe të shpërndahet nëpër metropolet e Evropës, Amerikës dhe më gjerë. Shumica e të rinjve tanë dëshironin ta braktisnin vendin e tyre sepse nuk shohin ndonjë perspektivë të ndritshme. Kjo gjendje e paperspektivë e ka frikuar secilin qytetarin tanë, por më së tepërmi i ka goditur të rinjtë, të cilët janë vënë në lëvizje dhe në mënyrë ilegale ua kanë mësyrë rrugëve të botës për të kërkuar punë, për të fituar një kafshatë bukë, për veti dhe familjen. Këto rrugë, shpeshherë bartin në vehte edhe rreziqe të shumta. Ikja masive e shqiptarëve, në veçanti, largimi i të rinjve nga vendi drejt një ëndrre imagjinare për një jetë më të lumtur, është një problem që duhet t’a brengosë çdo qytetar.

Është e dhimbshme kur në çdo bisedë me të rinjtë dëgjon dëshirat dhe planet e tyre për të migruar në vendet evropiane dhe më larg. Është edhe më shqetësuese kur sheh se si planet e së ardhmes, thuajse janë shuar. Ato çdo ditë shprehin pasigurinë e tyre për një të ardhme. Ata kanë mbetur udhëve, pa farë interesimi nga se jeta iu ka ardhur në fyt. Me fat është ai i cili ka “luksin” të frekuentoi ndonjë kafiteri, i shoqëruar me cigarën e duhanit dhe një kafe në ditë dhe më pas, kur nuk ka ç’bën tjetër, mbanë lugën në gojë !.

Tashmë, janë të kuptueshme shkaqet e këtij   e g z o d i ; shkatërrimi i ekonomisë, me qëllim të krijimit të gjendjes të papërspektivë …? Të rinjtë tanë po largohen, po braktisin vatrat e të parëve. Vargu i gjatë të rinjve që po marrin botën, si për ironi të fatit, po kalohet symbyllas, nuk po shikohet vala e pastrimit që është një skenar i përgatitur nga regjimi i kahershëm tradicional. Janë mbyllur shumë shtëpi. Një fat të tillë e presin edhe shumë e shumë të tjera, madje edhe banorë të tërë të disa fshatrave shqiptare janë shpëprngulur.Fenomeni i mërgimit tek ne nuk është i kohës së sotme, për fat të keq, ky fenomen mund të krahasohet me arratisjet më të mëdha të popullit tonë gjatë historisë. Por, sot, ky fenomen i dhembshëm dhe tragjik është intensifikuar tej mase dhe ka marrë përmasa universale. Individë dhe agjenci të ndryshme sikur bëjnë gara se kush më shumë përcjell shqiptarë për në vende të huaja. Stihinë e largimit të të rinjve tanë po e shfrytëzojnë ato për qellimet dhe interest vetanake. Kështu, pjesën më vitale dhe të shkolluar po ua japim shteteve të tjera dhe po shfrytëzohen për të mirat e tyre .

                   Të rinjtë tanë, si pjesa më e ndritshme dhe më vitale, i kemi lënë jetim, pa përkujdesje dhe pa angazhim në ndonjë vend të punës.

E vërteta është se rinia kërkon të ndërtojë të ardhmen e saj, por ndeshet me problemet të cilat shpesh janë shumë të vështira për t’u zgjidhur.Problemi më i madh cilivizues, del ai i organizimit të brendshëm politik, institucional, ai i solidaritetit të përgjithshëm, i veprimit konkret.Me gjendjen e krijuar të rendit politik e social, mund të kalohet vetëm me veprime konkrete, të udhëhequara dhe të organizuara mirë. Për të ndaluar këtë proces, për të pënguar këtë shpërngulje të madhe. Nuk mjafton që të mbesim vetëm me konstatime e teori ; se rininë tonë e kemi të kulturuar, të shëndetshme, vitale dhe më të renë në Evropë. Të rinjtë kanë nevojë për ndihmë, të jemi më afër tyre e të krijohen vende të reja të punës për ta. Edhe partitë politike, si forcë e vetëdijes kombëtare, si këtu, ashtu, në Shqipëri, Kosovë e gjetiu, të koordinojnë më shumë aksione konkrete, për t’iu lehtësuar hallet dhe për të hapur perspektivë më shumë. Këta, përveç deklaratave boshe, nuk janë në gjendje që të ndërmarrin ndonjë veprim konkret, në pengimin e këtij fluksi, i cili duket se do ta zgjasë edhe më shumë, deri atëherë kur qytetarët tanë do të ndjehen të barabartë me të tjerët. Andaj, fitohet bindja se këta autoritarë, qoftë brenda këtij mjedis dhe më larg , nuk kanë vizion të qartë se si të rinjtë t’i angazhojmë dhe t’i punësojmë. Pa mëdyshje, të rinjtë tanë janë e ardhmja jonë e ndritshme. Rinia shqiptare ka një potencial të madh, i cili duhet shfrytëzuar për një të ardhme më të mire të kombit tonë.

Plaga e mërgimit është e dhimbshme, është e rëndë. Vërtetë, është një rrugë e gjatë për të gjetur ilaçin shërues të kësaj plage. Andaj , me të drejtë, N Ë N A T tona, më shumë vajtojnë f a t i n e të gjallëve se sa të vdekurin.