“Art Club” boton përmbledhjen me poezi “Zhdukja e heshtur” të Hajredin Kovaçit

December 31, 2014   | Kulturë / Kultura

Zhdukja e heshtur të autorit Hajredin KovaciNë kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini sot doli nga shtypi vëllimi me poezi “Zhdukja e heshtur” e poetit Hajredin Kovaçi.

Përmbledhja përbëhet nga 77 poezi, të ndara në tre cikle. Në fillim të librit janë botuar vështrimet mbi librin të poetëve Arjan Th. Kallço dhe Salim Memishi, kurse në fund të tij albumi me disa fotografi nga pjesëmarrja e autorit në veprimtari të ndryshme kulturore.

Sipas redaktorit të librit, dr. Basri Çapriqi, “edhe me librin e ri, Hajredin Kovaçi ka vendosur të mbetet një regjistrues i vëmendshëm i përditshmërisë, i gjithë mozaikut social që i del përpara një komuniteti, i gjithë sfidave që i rrinë shoqërisë në rend për t’u zgjidhur e nuk zgjidhen dot. Autori ka ruajtur gjithnjë qëndrimin autorial kritik, shpesh të drejtpërdrejtë e herë-herë diskret, duke futur një ton ironik që pretendon të ngritet në një dominantë stilistike”.

Ndërsa recensenti i librit, Jeton Kelmendi, shprehet se “duke lexuar poezitë e Hajredin Kovaçit vërtet kam ndier kënaqësinë që të jep lirika e poezisë së tij. Duke ruajtur stilin e tij gjithmonë në frymën e traditës shqiptare, poeti Kovaçi këngëton me gjuhën e tij poetike, duke dëshmuar përkushtim dhe dashuri për artin e fjalës”.

Redaktor i librit është Basri Çapriqi, recensent Jeton Kelmendi, lektor Ismet Kallaba, redaktor teknik Gazmend Çitaku dhe autor i ballinës Agron Ujkashi.

Libri është shtypur në Entin Botues “Gjergj Fishta” në Lezhë dhe botimin e tij e ka mundësuar Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave i Malit të Zi

“Zhdukja e heshtur” është libri i katërt i Hajredin Kovaçit, i cili më parë ka botuar vëllimet me poezi: “Ecje pa mbarim”, “Fundi është larg” dhe “Vrasja e frikës”. Ai ka marrë pjesë në shumë manifestime kulturore, si brenda dhe jashtë vendit, ku është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje.

SHAI “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

       Ulqin, më 30. 12. 2014                                                                             SHAI “Art Club”