Interviste: Rëfimet e një Ulqinaku, Zyhni Beqiraj – Video

April 2, 2015   | Intervista / Intervju

Zyhni.Beqiraj-Nga Xhevahir Gradica 

Dikush e thërret profesor e të tjerë deputet. Ka shumë personazhe në jetën politike në Durrës që kanë gëzuar dy, tre e më shumë mandate parlamentare, por në këtë qytet vetëm njëri vazdhon të gëzojë nderin për ta thërritur Deputet. Zyhni Beqiraj e fitoi këtë respekt në saj të ndereve që u bëri qytetarëve të tij, në saj të përpjekjeve të pareshtuara për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve ndaj tyre, në saj të përkushtimit për të çuar deri në fund mbajtjen e premtimeve. Aktiv në arsim, në politikë, në art, në administratë. Gjthandej i kujdesshëm, i matur, tolerant, këmbëngulës dhe serioz. Pak fjalë, pak pushim, pak argëtim. Shumë sakrifica për vite me rradhë, por edhe shumë respekt e vlerësim. E nisi karrierën në Kukës. Atje u bë mësuues i mirë, mik i respektuar, bashkëshort shembullor. E vijoi në Durrës fillimisht shkollë më shkollë e më pas zyrë më zyrë për të ngjitur shkallët e Parlamentit. 70 kompozimet e këngëve të tij kanë vënë në rresht këngëtarët më të dëgjuar të cilët kanë pritur me shumë kënaqësi bashkëpunimin me Beqiraj.Tani ka lënë mënjanë politikën për t’iu përkushtuar artit, hulumtimeve për Ulqinin e zemrës, për ulqinakët dhe botimet. Zyhni Beqiraj është drejtori i fundit komunist i shkollës industriale; shefi i fundit komunist në arsim dhe në komitetin ekzekutiv; deputeti i fundit komunist në komunën Katundi Ri; drejtori i fundit komunist në Agjensinë Kombëtare të Privatizimeve.

YouTube Preview Image
Larg e afër Ulqinit
Zyhni Beqiraj është lindur në Durrës. Gjyshi tij,Rizai, qe vetëm 15 vjeç kur u shpërngul nga Ulqini për t’u vendosur në Shkodër. Në dheun e të parëve familja mbante mbiemrin Ustabeqiri. Breza me rradhë janë marrë me ndërtimin dhe riparimin e anijeve tregtare dhe falë punës arritën të bëheshin pronarë të mëdhenj. Bombardimet e Fuqive të Mëdha i bënë dëm të madh deri të pallogaritshëm. Plot 25 anije iu dogjën e mbytën nga këto bombardime. Në të tilla rrethana, Mustafa Ustabeqiri mori familjen dhe u vendos në Shkodër. Këtu u njoh me figura të rëndësishme atdhetare e patriotike duke u rreshtuar përkrah tyre në luftën e zhvilluar në Tarabosh të Shkodrës. Së bashku me familjen Ustabeqiri mori me vete edhe të gjithë floririn e grumbulluar nga tregtia, flori që i shërbeu për të nisur nga e para tregtinë. Duke qenë njohës shumë të mirë dhe ndërtues të përkyryer të anijeve menduan të kërkojnë një vend për të nisur nga e para ushtrimin e mjeshtërisë. Zgjodhën Semanin në Fier, por pasi provuan ushtrimin e tregtisë, u rikthyen në Shkodër. Gjatë Luftës së Parë Botërore të gjithë floririn e konvertuan në monedhën austriake dhe me rënien, falimentimin e kësaj perandorie, u zhvlerësua edhe monedha duke u sjellë Ustabeqirëve një goditje të dytë dhe shumë të fortë ekonomike. Në qytetin verior Ustabeqiri, që do ndërrojë mbiemrin në Beqiraj, miqësohet me familjen Fani, edhe ajo e shpërngulur nga Ulqini. Kjo miqësi u kurorëzua me martesën e Rizait, djalit të Mustafait, me një vajzë të famijes Fani. Rënia e trojeve shqiptare nën pushtimin e Malit të Zi nxiti shumë familje ulqinake të emigrojnë ngase e kishin të pamundur të duronin pushtimin. Shkodra qe ndalesa e para e tyre e zgjedhur së pari për shkak të afërsisë me vendlindjen e tyre dhe së dyti ngase ky qytet kishte Bunën dhe detin, gjë që u jepte mundësi të merreshin me lundrim, tregti e peshkim. Në Shkodër lind edhe brezi i parë i ulqinakëve të shpërngulur. Këtij brezi i përkasin edhe Mahmud e Hava Beqiraj, prindërit e Zyhniut. Shpresa e kthimit në Ulqin zbehej vit pas viti për shkak të rrjedhave të kohës. Kjo qe edhe arsyeja që ata shitën shtëpinë tek Banushët në Shkodër dhe u vendosën në mesin e shekullit të kaluar në Durrës. Një nga një në qytetin bregdetar të Durrësit erdhën 70 familje ulqinake. Të parët qenë Kapidani, pas tyre Fani, Bajrami, Bilali, Gorana…Familja Beqiraj u strehua me qera tek Jarecët e Dakolët dhe më pas nisën të ndërtonin strehën e vet.
Arsimi
Zyhni Beqiraj kryen arsimin e mesëm në gjimnazin “Naim Frashëri”. Falë përkujdesjes së prindërve dhe vullnetit të tij arrin të dalë me rezultate shumë të mira duke mundur t’i sigurojë vetes edhe të drejtën për të vijuar shkollën e lartë. Studimet i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Fizikë në vitin 1969. Si të gjithë bashkëstudentët, i riu nga Durrësi e ka cilësuar si fat në formimin e tij të përgjitshhëm dhe profesional marrjen e leksioneve nga pedagogët shumë të njohur si: Sotir Kuneshka, Kleanthi Qendro, Niko Thoma, Flamur Zela, të gjithë me tituj e grada shkencore. Me përfundimin e universitetit ulqinaku emërohet në Kukës, në gjimnazin e qytetit. Atje dha Fizikë, Astronomi, Vizatim teknik, Elektroteknikë, Dituri natyre. Nga mëngjesi deri në mbrëmje, me nxënës të shkollës së ditës, të mbrëmjes, korespondencës në pedagogjike dhe gjeologjisë. Së bashku me kolegët e tij Kujtim Lluri, Sajmir Xhafa, Mehmet Karapici u sistemua tek një dhomë në shkollën 8-vjeçare e cila u shërbeu si fjetinë, ndërsa rrobat e bataniet i dërgonin në lavanteri në Qaf Palush. Katër vite qëndroi në qytetin verior. Kukësi ishte një nga destinacionet e pashmangshme për dhjetra e dhjetra djem e vajza nga Shqipëria e Mesme dhe ajo e Jugut që kryenin studimet e larta. Kushtet e vështira, orët shumë të gjata të punës, klima e ashpër nuk ndikuan aspak në dëshirën dhe këmbënguljen e ulqinakut për të punuar sa më shumë. Kanë kaluar 45 vite nga ajo kohë e rinisë së tij dhe Zyhni Beqiraj ruan edhe sot mbresa të forta e të pashlyeshme për kolegët, nxënësit dhe qytetarët. Edhe kuksianët e ruajtën emrin e mësuesit. Jo një e dy a tre vite. Letra, kartolina, ftesa në gëzime familjare Beqiraj vazdhon të marrë edhe sot nga miqtë e kolegët e Kukësit. Me rastin e festimit të 20-vjetorit hapjes së gjimnazit në Kukës, mësuesi Beqiraj ka qenë një nga të ftuarit e nderit. Pritja e veçantë dhe nderimet që i janë bërë nga kolegët Beqir Osmani, Myrteza Bardhi, Kadri Spahiu, mësuesit, nxënësit dhe kuksianët e emocionon sa herë që ua tregon miqve atë festim. Ngrohtësia me të cilën u prit djaloshi nga Durrësi e nxiti të merrte pjesë edhe në aktivitetet artistike. Beqiraj drejtoi ansamblin e gjimnazit dhe në konkurimet jashtë rrethi u dërgoi kuksianëve çmime e vende nderi. Ndërsa në Dibër do të merrte vendin e parë, si më i miri ansambël artistik, në Durrës do të rrëmbente flamurin për ta dërguar në qytetin verior. Emri mësuesit të Fizikës u bë kështu shumë i admiruar, ndërsa Beqiraj lozi vet në dramat e vëna në skenë duke shfaqur talentin edhe si aktor. Atje, në qytetin e largët, djaloshi krijoi edhe familjen. Një vit pas tij, në Kukës emërohet mësuese e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë Lidia Mema e cila kishte kryer studimet në Shkodër. Nëna ulqinakut dhe nëna e vajzës Mema njiheshin prej vitesh dhe kjo i afroi shumë të rinjtë të cilët e shpallën dashurinë . Lidia u caktua në Çinamakë, lokaliteti Suroj, 6 orë larg nga Kukësi në këmbë, për t’u transferuar më pas brenda në qytet, ku ishte edhe Beqiraj. Pas transferimit ulqinaku do të emërohet zëvendësdrejtor në shkollën e muzikës në Durrës, kurse bashkëshortja e tij do të qëndrojë për dy vite në pritje të hapjes së një vendi pune. Dy vite më pas do të transferohet për në shkollën e mesme Luz i Vogël në Kavajë. Edhe atje shkollë e mësim nga mëngjesi në mbrëmje pasi kishte edhe shkollë mbrëmje. Rrugëtimi në arsim i nisur në gushtin e vitit 1969 do të vazdhojë pareshtur. Edhe Kavaja la jo pak gjurmë në kujtesën e tij pasi atje erdhi në jetë djali, Mentori. Kthimi në qytetin e lindjes, në Durrës, do e “degdisë” sa tek njëra shkollë, tek tjetra. Fillimisht në atë “Hasan Koçi” e më pas në industrialen “Leonik Tomeo”, gjimnazin e Shkozetit. Diku mësues, diku zëvendësdrejtor e drejtor. Me afrimin e pluralizmit emërohet në seksionin e arsimit, ku edhe e mbyll karrierën pedagogjike për t’iu përkushtuar politikës me të njëjtin vullnet e pasion.
Politika
Marsi vitit 1992, kohë e ndryshimeve të mëdha politike në vend, e gjen Zyhni Beqirajn në pozitat e zëvendëskryetarit të komitetit ekzekutiv në Durrës për ekonominë dhe që aty në funksionin e sekretarit të Partisë Socialiste. Politika do i sjellë kënaqësi, por në jo pak raste edhe zhgënjim e telashe. Ndonëse kishte marrë parasysh çdo gjë, ngjarje dhe episode të shumta kanë lënë shumë gjurmë. Ai është dëshmitar i situatave dhe prapaskenave të thurura në kohën e nismës për mocion mosbesimi ndaj Fatos Nanos. Beqiraj, Bardhyl Agasi, Moikom Zeqo, Fatos Muça, Miri Hoti qenë mbështetës të Nanos, kurse Sërvet Pëllumbi, Ilir Meta, Namik Dokle kundërshtar e micionist të fortë. Pozicioni i tij i hapur i kushtoi pasi në vitin 1996 e largojnë nga funksioni i sekretarit politik të degës socialiste në Durrës. I bindur se kishte bërë më të mirën e mundshme, nuk demoralizohet, ndërkohë që vijoi të qëndronte në forumet politike. Dalja Nanos nga burgu pason me kandidimin e Beqirajt për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, mandat të cilin e fiton për legjislaturën 1997-2001. Durrësi përfaqësohej në Parlament nga socialistët Beqiraj, Bardhyl Agasi, Spartak Braho, Natasha Paço, Ilirjana Kërçuku dhe Aluash Gjihani, ndërsa demokratët vetëm me Ferdinand Xhaferrin. Zyhni Beqiraj flet me shumë krenari për përkushtimin në ato vite në shërbimin ndaj qytetarëve. Vendosja e raporteve shumë të mira me qeverinë e ministrat, miqësia e ngushtë me Nanon i dha mundësi të merrte shumë fonde duke bindur ministritë në efektivitetin e projekteve të paraqitura. Në një periudhë të shkurtër u investua në shtrimin me asfalt i rrugëve të Katundit të Ri; rikonstruksioni të gjitha shkollave në këtë komunë; ndërtimi shumë kabinave elektrike; pastrami kanaleve kryesore për të shmangur përmbytjet e tokave bujqësore; shtrimi linjës së ujt të pishëm për banorët në Jub e në Fllakë; ndërtimi nënstacionit të madh elektrik në Rrashbull. Investimi në rrjetin elektrik përmirësoi ndjeshëm furnizimin duke e rritur me 25p ërqind. Ndërkohë Beqiraj nuk u ndal deri sa arriti të shkëpusë Durrësin nga Tirana përmes lidhjes me sistemin 35 kilovoltsh (kV) dhe 100 kilovoltësh (kV). Ndërsa janë të shumta nderët që u bëri kolektivisht qytetarëve të tij në Katundin e Ri dhe në Durrës, deputeti kujtohet edhe sot për zgjidhjen e problemit më të mprehta që doli për çështjen e sigurimeve shoqërore. Disa ndërmarrje si plan teks, kimike, nish cigare nuk kishin derdhur detyrimin për sigurimin e të punësuarve. Mbyllja e aktivitetit të tyre i dërgonte punëmarrësit në asistencë dhe në pension. Por mospagesa sigurimeve nxirrte jashtë skeme qindra ish punëtorë. Beqiraj kujton se i është dashur shumë përpjekje dhe ndërhyrje në Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Financës dhe drejtoritë qendrore për të bërë të mundur zgjidhjen e problemit të mbartur. Qeveria u detyrua të nxjerrë një ligj të veçantë për të subvencionuar shumën e cila duhej arkëtuar për llogari të sigurimeve shoqërore. Pas këtij veprimi nisi edhe plotësimi librezave, përfitimi asistencës dhe pensionit për qindra ish punonjës të ndërmarrjeve të lëna jashtë skemës së sigurimeve. Por deputeti Beqiraj ka edhe të tjera merita të cilat kanë të bëjnë me këmbënguljen e tij për heqjen e mbetjeve të rrezikshme nga magazinat e depot në kimiken e Porto Romanos si dhe në zgjidhjen e strehimit për familjet në nevojë emergjente. Përpjekja për të fituar një mandat të dytë deputeti e vendos në zonën e Katundit të Ri, zonë elektorale që kishte edhe lagjen numër 15, 18 të Durrësit. Ndërsa Beqiraj kishte sigurinë e plotë në fitore, ndodhi ndryshe. Mandati kaloi në anën tjetër. Qëndrimi gjatë gjithë natës i kutive të votimit në dorën e dy personave në KZAZ ndryshoi rrjedhën. Përpjekjet për t’i shkuar së vërtetës deri në fund erdhën e u shuan për shkak të mosfunksionimit të strukturave përgjegjëse të shtetit. Vendi kishte shumë të freskët ngjarjet e vitit 1997, pasojat e të cilave ishin të dukshme.
Miqësi politike
Zyhni Beqiraj është një nga miqtë e afërt të Fatos Nanos. Edhe pse kanë kaluar disa vite dhe Nano nuk është më aktiv në politikën shqiptare si më parë, miqësia tyre vijon të mbetet e fortë. Komunikojnë në telefon e përmes rrjeteve sociale, ndërkohë që takohen sa herë që Nano kthehet në Tiranë. Mikun e tij Beqiraj nuk e braktisi edhe atëherë kur Nanos ia kthyen kurrizin shumë politikanë të majtë. Madje e takoi edhe në Tepelenë, në burg. Ka qenë një dredhi e përdorur nga Iljaz Labi që i dha mundësi Beqirajt, Bardhyl Agasit dhe Moikom Zeqos ta takojnë Nanon në oborrin e burgut. Iljazi i këshilloi që të gjenin një rreng dhe të prezantoheshin jo si persona të politikës, por si të afërm të Nanos. Tek ish kryetari tij, deputeti sheh njeriun me formim të madh intelektual dhe natyrën humane. Ka qëndruar për shumë vite në krah të tij dhe sjell ndërmend episode pambarim për tolerancën deri në tepri të Nanos si në kohën kur ishte kryeministër, edhe atëherë kur drejtonte Partinë Socialiste. Janë takuar në ditë të vështirë, kohë që ka forcuar miqësinë mes tyre. Të veçanta ditët e shpërndarjes së ndihmave nga Pelikani, trazirat e vittit 1997, mandati qeverisës i kryeministrit Nano. Beqiraj ka qenë dhe mbetet ndër njerëzit më të afërt të Nanos sa herë që ish kryeministri ka ardhur në takime pune dhe tryeza kafeje në Durrës. E vlerëson për tolerancën dhe humorin e thellë. Beqiraj ka edhe të tjerë miq me emër në politikë si Ethem Ruka, Maqo Lakrori, Flamur Hoxha, Ejup Tabaku, Bardhyl Agasi, Spartak Braho.
Arti
Arti, muzika, instrumenti, ka qenë pasioni Beqiraj. Fare i ri u ngjit në skenë për të lozur rolin e Gramozit tek drama “Qielli i kuq”. Ishte mësues në gjimnazin e Kukësit kur vendosi të mbështesë të rinjtë për t’u marrë me art, me aktivitete e festival të këngës e të teatrit. Kjo qe vetëm nisja pasi me kalimin e viteve arti nis e bëhet pjesë e përditshme e jetës. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Ustabeqirët e vendosur në Durrës kanë krijuar familje artistësh. Mustafai, trashëgimtari i emrit të stërgjyshit, xhaxha i Zyhniut, është kompozitor. Adili, djali xhaxhait, kitarist. Zyhniu loz në fizarmonikë e në organo. Javeri, vëllai tij, në kitarë e xhez. Ulqinakët janë shumë të lidhur me këngën popullore. Ky është një fakt më shumë pse Beqiraj që nga rinia e tij nuk iu nda asnjëherë muzikës, artit. Teksa studionte në universitetin e Tiranës, ulqinaku i lindur dhe i edukuar në Durrës, kompozoi këngën “Fotografia”. Fabula është fare e thjeshtë. Studenti dashuron vajzën e pedagogut i cili hakmerret duke e mbetur në provim të riun. Kënga kishte shumë ritëm dhe kjo e bëri edhe më shumë të pëlqyer ndër studentë të cilët e këndonin në koridore, salla, fjetinë, mensë, biblotekë, autobus. Ritmi nuk pëlqehej asokohe megjithatë kënga qëndroi si hit për shumë breza studentësh. Madje edhe sot në valët e radios vjen herë pas herë ndonëse me pak ndryshime në tekst. Megjithatë Zyhni Beqiraj është marrë seriozisht me kompozimin pasi u tërhoq nga arsimi dhe nga politika. Kënga e parë e kompozuar pas viteve 2000 qe “Zho aris”. Teksti është përgatitur nga i vëllai, Jovani, ndërsa është kënduar nga vajza xhaxhait të tij, Iliriana. Pas saj erdhi edhe kënga e dytë në saj të popullaritetit që fitoi. Këtë herë me titullin “Mëngjesi në Durrësin tim”. Një nga një dhe me shumë admirim pasuan këngët “O nanë jemi të lirë”, “Në përjetësi”, “Të lutëm Zot”, “Kunorë dashunie o,Durrës, je!”, “Si një flutur vere”, “Fli vogëlush”… Janë më shumë se 70 këngë të kompozuara në më pak se 7 vite, ndërkohë që janë realizuar 30 prej tyre. Përgjithësisht janë këngë popullore dhe muzikë e lehtë. Beqiraj i ka kushtuar shumë vend në jetë, në kërkime e botime trojeve të të parëve, Ulqinit. 22 këngë i përkasin vetëm Ulqinit, ndërsa 10 të tjera Shkodrës. Teksti shumë shprehës dhe kompozimi cilësor kanë tërhequr vëmendjen e shumë këngëtarëve. Kështu kanë kënduar këngë të tij Qemal Kërtusha, Sherif Merdani, Kastriot Tusha, Bujar Qamili, Gëzim Myshketa, Naim Kërçuku, Julian Gjodjeshi, Ilsid Çullhai, Olta Juba. Por listës së gjatë i bashkëngjiten edhe emrat e këngëtarëve të mëdhenj popullorë ulqinak si Shaban Gjeka, Nuzo Muharremi, grupi “Burimi”. Shumë vend ka zënë kënga “Kalaja e Ulqinit” që këndohet nga kori shkollës së mesme të muzikës në Ulqin. Mësuesi i pasionuar, deputeti ndër më të respektuarit dhe artisti me vlera është ndër më aktivët në organizimin e festimeve të ditës për Ulqinin. E viziton shpesh qytetin e dashur, takon këngëtarë, politikanë, administratorë, artistë e instrumentistë. Për vite me rradhë iu përkushtua përgatitjes dhe botimit të librit “Malli për Ulqinin në këngë”, album letraro-muzikor me 415 faqe. Historia e Ulqinit, fgurat atdhetare e patriotike, arsimi, shëndetësia, detaria, monumentet, popullësia, qendrat e banuara shqiptare, origjina e popullatës, jeta shoqërore, personalitete, pasuria e të tjerajanë punë dhe përpjekje e pareshtur e Beqiraj. Ai ka kërkuar ndër materialet dhe botimet e përgatitura nga autorë ulqinakë dhe studime të ndryshme. Zyhni Beqiraj njeh me shumë se 80 përqind të muzikës popullore ulqinakase, ninullat, fabulat, histori, gojëdhëna…

Burimi: bulevardionline.com