Me nderime dhe respekt, sot u varros Husein Bato Dukaj

April 22, 2015   | Ngjarjet - Events

Husein Bato DukajSot në QKI “Budo Tomoviq”, në Podgoricë, u mbajt mbledhja komemorative dhe me një minutë heshtje iu dha nderimi i fundit, tashmë të ndjerit, regjisorit të njohur të TV të Malit të Zi, Husein Bato Dukaj. Në praninë e familjarëve të pikëlluar, të afërmve, miqve dhe kolegëve të shumtë, për veprën e tij njerëzore dhe krijuese foli drejtori i i përgjithshëm i RTV të Malit ë Zi, Rade Vojvodiq, i cili tha se ai ishte njeri i talentit dhe shkathtësive e të tillët e kanë fatin të vdesin.

Ndërkaq, fjalën e vet mjaft emocionuese, regjisori i njohur malazias Blagota Erakoviq, e filloi me fjalët se për njerëzit siç ishte Husein Bato Dukaj është lehtë të flitet, por njëkohësisht edhe vështirë.

“Ky njeri i qetë dhe i çiltër, entuziazmin dhe dijen e vet artistike e ka shprehur në qindra realizime të vlefshme televizive gjatë tri dekadave të punës së palodhshme në TV e MZ. Vulën e fortë autoriale e vendosi duke ndërtuar ura në mes popujve nëpërmjet emisioneve të shumta të redaksisë për pakica”.

Husein Bato Dukaj vdiq para dy ditësh, në moshën 56 vjeçare. Ai pasi që diplomon regjinë në vitin 1985, në fakultetin e Arteve dramatike në Beograd, si  regjisor i parë i diplomuar, punësohet në TV e Malit të Zi. Po këtë vit filloi angazhimin e tij krijues dhe të frytshëm në Televizionin e Malit të Zi. Gjatë 30 vjetëve punë  në programin kulturo artistik, pastaj të fëmijëve dhe atë dokumentar ka realizuar emisione me vlerë të pa shlyer në zhanre të ndryshme të krijimtarisë televizive. Bato Dukaj do të mbetet në kujtesë sipas emisioneve dokumentare, festivaleve të fëmijëve të cilët i ka themeluar dhe ua ka bërë regjinë. Ai, u varros sot në varrezat familjare në fshatin e tij të lindjes Tojeq, në Dinoshë.

TVCG