Ardita Rama, falënderon zonjën e parë të republikës së Shqipërisë, Odeta Nishanin, për donacionin me tri mijë libra për bibliotekën e Ulqinit

April 24, 2015   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Ardita-Rama-Odeta-NishaniTiranë, më 22 prill 2015

E nderuara Zonjë e Parë e Republikës së Shqipërisë, Zonja OdetaNishani,

Të nderuar anëtarë të kabinetit të Presidentit,

Të nderuar drejtorë e përfaqësues të shtëpive botuese dhe të Qendrës së Studimeve Albanologjike,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar të pranishëm, dashamirë të librit,

Zonja dhe zotërinj,

 

Jam shumë e nderuar që sot jam këtu në mesin Tuaj, në këtë ambient të bukur të Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për të pranuar donacionin e librave të grumbulluara nga Ju, Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, për Bibliotekën e Ulqinit.

 

Është kjo me siguri një ditë e cila duhet të mbahet mend, jo vetëm për vlerat e librave të cilat po na i dorëzoni, në prag të Ditës Botërore të Librit, por edhe për rëndësinë e këtij kujdesi që Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, që institucioni më i lartë i shtetit amë po tregon për shqiptarët në trojet e veta, sot në Malin e Zi.

 

Zonja dhe zotërinj, bibliotekat janë institucione të rëndësishme të kulturës dhe një shoqëri e civilizuar nuk mund të paramendohet pa to. Ato janë quajtur “një ndër shtyllat e qytetërimit”, ndërsa poeti gjerman Gëte, i quajti “kujtesa e njerëzimit” – “Gedächtnis der Menschheit”.

 

 

2

 

Shërbimet bibliotekare janë vegla / mjete të rëndësishme dhe shumë lehtë të përdorshme për promovimin e leximit, arsimit dhe kulturës. Edhe Biblioteka e Ulqinit mund të krenohet për traditën e vet mbi 130-vjeçare, për zhvillimin me sukses të veprimtarisë bibliotekare në komunën e Ulqinit. Si një nga bibliotekat e para në Malin e Zi e në rajon, brenda hapësirave të saj ruhet me fanatizëm trashëgimia kulturore e grumbulluar me mund, sakrifica e përkushtim profesional e kombëtar, vetëm me një qëllim, i cili është i përbashkët për të gjitha bibliotekat kudo në botë, që kjo trashëgimi t’i vihet në dispozicion e shërbim gjeneratave që vijnë.

 

Në këtë drejtim dua të theksoj se një segment me rëndësi i veprimtarisë së Bibliotekës së Ulqinit është ruajtja dhe afirmimi i trashëgimisë e kulturës kombëtare shqiptare. Përveç grumbullimit, përpunimit, ruajtjes dhe dhënies në lexim të çdo materiali bibliotekar në gjuhën shqipe, ajo afirmon e promovon kulturën shqiptare përmes aktiviteteve të ndryshme tash disa dekada. E pasur me material bibliotekar në gjuhën shqipe, ajo është njëkohësisht e vetmja bibliotekë në territorin e Malit të Zi, ku librat në gjuhën shqipe edhe përpunohen në gjuhën shqipe, si dhe ku përveç katalogut në gjuhën zyrtare,

malazeze, ekziston edhe katalogu i librave në gjuhën në përdorim zyrtar, në gjuhën shqipe.

 

Sa i përket aktiviteteve kulturore, Biblioteka e Ulqinit që nga themelimi i saj njihet si qendër e jetës kulturore në komunën e Ulqinit. Vazhdimisht këtu organizohen përurime të librave të rinj, të revistave, mbrëmje letrare, takime me shkrimtarë e studiues të ndryshëm, ekspozita e tryeza të rrumbullakëta, seminare e punëtori të cilat kanë trajtuar tematika jo vetëm lidhur me kulturën apo letërsinë, por edhe me problemet aktuale në shoqërinë tonë.

 

Mirëpo, edhe telashet janë të mëdha. Në njërën anë, mungesa e mjeteve financiare paraqet një vështirësi të vazhdueshme për pasurimin e rregullt të fondit të bibliotekës me botime të reja, e në anën tjetër libri elektronik është gjithnjë e më i pranishëm në shumë shtëpi tona. Të mbahet lexuesi, të mbahet interesimi i tij te, në dhe për librin e shkruar, paraqet një sfidë të vërtetë për çdo bibliotekë. Vlerësoj se e vetmja mënyrë që kjo të realizohet është ofrimi i formave dhe llojshmërive të ndryshme të marrjes së informacionit. Bibliotekat tona vështirë e mbajnë hapin me këtë zhvillim të shpejtë të teknologjisë, por unë personalisht mendoj që gjithsesi vëmendja duhet të qëndrojë në librin tradicional, ndërsa libri elektronik të mos shihet si armik, por bashkëudhëtar e bashkëpunëtor drejt afirmimit të leximit, dijes e përvojës, në shërbim të zhvillimit dhe avansimit të mirëqenies, paqes, stabilitetit, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe luftës kundër diskriminimit, varfërisë dhe vobegtësisë intelektuale.

 

Në këtë kontekst, po i kthehem donacionit të librave nga Zonja e Parë e Shqipërisë për Bibliotekën e Ulqinit. Si erdhi deri te kjo?

Më 24 mars të këtij viti, me rastin e vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotëri Bujar Nishani në Ulqin, Zonja e Parë, Odeta Nishani vizitoi Bibliotekën tonë. Për ne ky ishte një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë. Hera e parë që një personalitet kaq i lartë dhe i dashur na viziton, viziton vatrën, hambarin e dijes të këtij qyteti të lashtë iliro-shqiptar. Megjithëse koha ishte e shkurtër, unë me pak fjalë e njoftova zonjën Nishani për Bibliotekën, për historinë e saj, për fondin e saj, aktivitetet, por besa edhe për telashet. Iu ankova, si fëmija që i qahet nënës së vet, që për shkak të mungesave financiare, shumë vështirë e kemi të furnizohemi me botime të reja në gjuhën shqipe. Dhe ja, sot ky solemnitet paraqet kurorëzimin e premtimit të Zonjës Nishani që bëri atë ditë në Bibliotekën tonë, se personalisht do të angazhohet në këtë drejtim.

 

Fjalët janë të pakta që të shpreh mirënjohjen time dhe të të gjithë qytetarëve të komunës së Ulqinit për këtë gjest e veprim sa të vlefshëm dhe aq fisnik të Zonjës Nishani. Me këtë donacion Zonja Nishani dërgon mesazh përkrahjeje, jo vetëm Bibliotekës së Ulqinit e ulqinakëve, por të gjithë shqiptarëve që sot jetojnë në Mal të Zi. Kufijtë na ndanë e po na ndajnë…, por jemi një komb, me një trashëgimi të përbashkët kulturore, pjesë e asaj trashëgimie civilizuese mbarënjerëzore. Bibliotekat tona, si degë të një trungu të vetëm, duhet të gjejnë rrugë bashkëpunimi, ta avancojmë bashkëpunimin.

 

3

 

Posaçërisht, ne shqiptarët që jetojmë jashtë kufijve të shtetit tonë amë, kemi nevojë për përkrahje më të madhe institucionale, e kjo vlen edhe për Bibliotekën e Ulqinit.

 

Në këtë drejtim kjo përkrahje që erdhi e po realizohet sot nga vetë Zonja e Parë e Shqipërisë, zonja Odeta Nishani, tregon shembullin më të mirë se e respektuara zonja Nishani e njohu rëndësinë e këtij institucioni të kulturës, rëndësinë dhe fuqinë e librit. E përgëzojmë dhe e falënderojmë me gjithë shpirt.

 

Zonja Nishani, më lejoni që edhe njëherë në emër të të gjithë lexuesve-anëtarëve të Bibliotekës së Ulqinit, në emër të të gjithë qytetarëve të komunës së Ulqinit, të nxënësve, mësuesve e arsimtarëve, të prindërve, të të gjithë dashamirëve të librit e të dijes në përgjithësi dhe të kulturës e të librit shqip në veçanti dhe posaçërisht në emrin tim personal, si udhëheqëse e Bibliotekës, t’Ju falënderoj për kontributin Tuaj në pasurimin e fondit të Bibliotekës sonë! Ju nuk po dhuroni vetëm libra, dhuroni shpresë që ne mund të llogarisim në përkrahjen Tuaj! Faleminderit nga zemra!

Falënderoj natyrisht edhe të gjitha shtëpitë botuese shqiptare dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike, gjegjësisht pronarët e drejtorët e tyre që iu përgjigjën iniciativës së Zonjës Nishani dhe dhuruan botimet e tyre për Bibliotekën tonë. Uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i bashkëpunimit në mes të institucioneve tona.

Po ashtu, dua të falënderoj edhe zonjën Rezarta Mëneri, ndihmëse e Presidentit për durimin, punën dhe zellin gjatë tërë këtyre ditëve që po merreshim me këtë iniciativë, për realizimin e saj, çështjet administrative për bartjen e tyre në destinacion si dhe të gjithë të tjerët që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar që kjo nismë, ky aktivitet sot të realizohet me sukses!

 

Falënderoj edhe Firmën “KURTI”, në krye me pronarin e saj z. Kabil Kurtin, i cili, kur i tregova për çka bëhet fjalë, menjëherë na vuri në shërbim furgonin e tij për transportin e librave nga Tirana për në Ulqin.

Njëkohësisht falënderoj edhe kryetarin e komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjekën, për angazhimin e tij në renovimin e godinës së Bibliotekës, që këto libra dhe të tjerat të kenë kushtet e duhura për vendosjen, shfrytëzimin dhe ruajtjen e tyre edhe gatitshmërinë që sot, në këto momente solemne, të jetë në vendin e duhur, bashkë me ne.

Një falënderim i veçantë edhe për kryetarin e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, partisë së parë shqiptare në Mal të Zi, z. Mehmet Bardhin, për angazhimin, ndihmën e mbështetjen e tij, jo vetëm kësaj radhe, por gjithmonë kur bëhet fjalë për Bibliotekën e Ulqinit, për afirmimin e librit shqip, kulturës e arsimit, e posaçërisht për mbrojtjen e realizimin e të drejtave të shqiptarëve që sot jetojnë në Mal të Zi.

 

Zonja Nishani, ju falënderoj edhe për mikpritjen dhe për këtë solemnitet madhështor këtu në Institucionin e Presidentit. E di që nuk ka dhuratë që mund të jetë ekuivalente me dhuratën Tuaj. Mirëpo, pranoni këtë mirënjohje modeste në shenj falënderimi për angazhimin Tuaj për pasurimin e fondit të Bibliotekës së Ulqinit në emër të të gjithë atyre lexuesve të cilët do të kenë kënaqësinë t’i lexojnë këto libra….

 

Faleminderit dhe qofshi faqebardhë dhe më shëndet të mirë.

 

Ardita Rama, udhëheqëse e Bibliotekës së Ulqinit