Pse po zbrazet veriu i Malit të Zi

June 7, 2015   | Shtypi / Mediji

Foto-VijestiFoto: Vijesti Online

Eksodi prek edhe veriun e Malit të Zi. 30 njerëz largohen çdo ditë. Qeveria: “Lidhet me ardhjen e sezonit të ndërtimit”. Ende asnjë raportim për përfshirje të shërbimeve të huaja. Përfaqsuesit e organizatës joqeveritare “Euromost” kanë evidentuar 10 autobusa që janë larguar me njerëz vetëm këto dy ditët  fundit, bëjnë të ditur mediat malazeze.

Gazeta“Shekulli” përcjell në faqen e vet online një lajm që flet për eksodin që ka prekur edhe Malin e Zi. Madje jo zonën që banohet me shqiptarë, por edhe veriun e vendit.

Mali i Zi po braktiset gjithnjë e më shumë nga qindra e mijëra qytetarë. Të dhënat e fundit të organizatave joqeveritare tregojnë se nga veriu i vendit, largohen çdo ditë rreth 30 njerëz. Situata e rëndë ekonomike në veri të Malit të Zi, papunësia e madhe, mungesa e investimeve, janë vetëm disa nga arsyet pse kohët e fundit, qytetarët po largohen drejt Europës, shkruan “AA”.

Qeveria e Malit të Zi shprehet se nuk ka vend për panik, ndërsa disa parti politike kërkojnë reagim urgjent të qeverisë. Sociologët paralajmërojnë se veriu i vendit mund të përjetojë fatin e njëjtë të fshatit malazez, i cili është sot pothuajse i zbrazët.

Nga Qeveria tani për tani nuk ka reagime të mëdha ndaj fenomenit të largimit të njerëzve nga veriu i vendit. Zëvendëskryeministri Rafet Husoviç thotë se ardhja e sezonit të ndërtimit është arsyeja kryesore për udhëtim, ndërsa shton se populli i Malit të Zi shkon tek të afërmit jashtë vendit, për të gjetur punë të përkohshme.

Të dhënat e Entit për Statistika së Malit të Zi (MONSTAT), tregojnë se nga veriu i vendit në dy muajt e parë janë larguar 179 qytetarë. Këtë pjesë të Malit të Zi, e braktisin tre banorë në ditë.

Ambasadorja e Gjermanisë në Podgoricë, Elizabet Shtajnaker apeloi që qytetarët nga veriu i Malit të Zi të mos shkojnë në vendin e saj, sepse atje nuk do të marrin azil. Ajo tregoi se disa familje tashmë janë kthyer në Mal të Zi.

Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, numri më i madh i azilkërkuesve vjen nga Serbia dhe Kosova, ndërkohë që qytetarë e Malit të Zi nuk janë të njohur si “emigrantët problematikë”.

Sipas vlerësimeve të Institutit Demografik Amerikan në vitin 2050, Mali i Zi do të ketë për 10 deri 11 përqind më pak banorë, ose 60 mijë banorë më pak.

/Shekulli Online/