KKSH-ja denon gjuajtjen drejtë Ambasadës së Shqipërisë

October 26, 2015   | Shtypi / Mediji

Keshilli KombetarMe rastin e protestave të organizuara para ca ditësh nga një pjesë e opozitës në Mal të Zi, erdhi deri tek disa incidente, për të cilët unë, si deputet shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi dhe si kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, e ndiej të nevojshëm  reagimin.
Fillimisht, shpreh shqetësim për gjestin e ulët, atë të gjuajtjes në drejtim të Ambasadës së Shqipërisë në Mal të Zi, gjest ky fare i panevojshëm të cilin e denojmë dhe e vlerësojmë, jo vetëm kundër Ambasadës së Shqipërisë, por edhe si qëndrim ndaj shqiptarëve në tërësi. Jam dakord që populli të shprehë pakënaqësitë me format demokratike, por kurrësesi ta shfaqë shqetësimin duke u treguar të dhunshëm, mbi të gjitha, të dhunshëm ndaj dikujt që nuk ka asnjëfarë përgjegjësie për proceset politike në Mal të Zi.

Ambasada e Shqipërisë NE Mal te zi

Edhe dhuna drejtuar organeve të sigurisë është gjest që duhet denuar. Të diskutohet për problemet dhe të kërkohet zgjidhja e mirëfilltë në institucione, duke u bazuar tek dialogu dhe vullneti i mirë, ky, mendoj, do të ishte një sugjerim i mirë.
Kemi apeluar para se të ndodhte, po apelojmë përsëri, duke theksuar se secili incident është një hap prapa në demokratizimin e Malit të Zi dhe në rrugën tonë të integrimeve. Si qytetarë të kujdesshëm, duhet të  veprojmë me maturi, të shpërndajmë paqe, tolerancë dhe zgjidhjet e problemeve t’i arrjmë përmes dialogut, siç u shkon përshtat vendeve demokratike.

Andaj i bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politik, që me retorikën dhe veprimet e veta, të reagojnë dhe në mënyrën më serioze dhe më të përgjegjëshme të qetësojnë tensionet e panevojshme.

Me respekt,

Kryetari

Genci Nimanbegu

Burimi: knsh.me