Shqiptarët rrezikojnë humbjen e Ulqinit për një pazar…mbi një ashensor!

November 18, 2015   | Real Estate

Ashensori-ne-KalaShqiptarët po rrezikojnë sërish të humbin komunën e vetme në Mal të Zi, atë të Ulqinit, vetëm pasi nuk kanë rënë dakord për një pazar mbi një ashensor që do të ngjisë turistët në majë të kalasë së vjetër të qytetit.

Siç mësohet, partia Forca ka përgatitur një mocion për të rrëzuar kryetarin Fatmir Gjeka dhe po bëhen negociata edhe me parti malazeze për të ndryshuar kreun e komunës, i cili zgjidhet nga këshillit komunal.

Që të jemi më të qartë, Fatmir Gjeka, i ka dhënë koncesionin e ndërtimit të një ashensori për t`u ngjitur në kala një biznesmeni, por të tjerët mendojnë se dikush po i merr të gjitha paratë dhe ata po mbeten thatë.

Për këtë kanë vendosur të rrëzojnë kryetarin dhe ende nuk është vendosur për emrin dhe njerëzit që do ta votojnë. Por edhe kryetarin aktual e mbështet një votë e brishtë e Dritan Abazoviçit, i cili është zgjedhur nga një parti malazeze.

Problemet filluan që në ditën e parë të formimit të pushtetit, kur u pa qartë se disa pjesë të ekzekutivit po vazdojnë të punojnë me avazet e vjetra.

Pika më e nxehtë ishte çështja e ashensorit në kala, e cila edhe më tepër i ftohu marrëdhëniet në koalicion, kurse pika kulminante ishte llogaria përfundimtare, të cilën një pjesë e këshilltarëve të pozitës e konsideron skandaloze.

Aktualisht ende nuk dihet se si do të rrjedhë situata, koalicion i ri, apo edhe zgjedhje të parakohshme  në pranverë.

Por nuk është çudi që shqiptarët të humbin përfundimisht pushtetin politik në Ulqin. Kësaj rradhe për një ashensor.

/tesheshi.com/