Zef Kovaçi bujtës në Ulqin

January 11, 2016   | Reportazh / Reportaža

Zef-Kovaci-UlqinZef Kovaçi na tregon simbolin iliro-arbëror të gjarprit në një objekt të përdorimit të përditshëm

REPORTAZH

Mbresa udhëtimi nga dita e parë e 2016-s mes shqiptarëve të Malit të Zi. Rrëfimi i plakut të urtë, Zef, dhe si jetojnë shqiptarët atje; kërkesat e tyre në vesh të shurdhër dhe përpjekjet për të mbajtur gjallë mes hallesh të shumta kulturën dhe doket e vjetra shqiptare

Engjëll SERJANI

Ishte një vendim i përbashkët, që në ditën e parë të vitit 2016 të vizitonim qytetin më të madh shqiptar të Malit të Zi, Ulqinin. Vendimit tonë iu bashkua me plot dëshirë edhe juristja amerikane, Kethleen Imholz. Ndonjëherë, vizitat jashtë sezonit, në qytetet e njohura të plazheve, si: Saranda, Vlora, Durrësi, Shëngjini, Ulqini, Tivari, Budva, kanë një shije dhe ndjesi të veçantë. U nisëm mesditën e datës një janar nga Tirana. Qëndrojmë së pari në Shkodër. Shkodra me hiret e saj të tërheq si magnet. Ndalojmë në hotel-restorant “Iliria” në të djathtë të rrjedhës së qetë të Bunës. Prej këtu, nën dritën e kuqërremtë të perëndimit, pamja e Rozafës dhe qyteti janë mahnitëse. Ngjajnë si në peizazhet e udhëtarit dhe piktorit britanik, Eduard Lear.

 

Në Zogaj, ku puna të rehaton jetën

Pa shumë vonesa, kalojmë pikën doganore të Muriqanit. Ndonëse nata kishte nisur të merrte dritën e ditës, përsëri kishte mundësi për të soditur fshatrat rreth Ulqinit, gati të zbrazura nga banorët. Popullsia është e përzier me shqiptarë e malazezë. Dikur këtu kishte vetëm shqiptarë. Me gjithë muzgun, nuk ishte aspak e vështirë të konstatoje se edhe në ato pak shtëpi me banorë që ende jetojnë këtu, toka pjellore e zonës punohet. Duke udhëtuar prej Shkodrës, deri në 4-5 kilometra në brendësi të territorit malazez, deri në fshatin Zogaj, arin të konstatosh dhe diferencosh qartë dëshirën për t’u marrë me tokën, me bagëtitë, me punën e banorëve, këtej dhe andej kufirit. “Puna e bën më të rehatshme jetën”, do të na thoshte një ditë më vonë një banor i Zogajt, që kishte “rënë” dhe jetonte në Ulqin. Ultësira e Ulqinit posedon 60% të sipërfaqes së punueshme të Malit të Zi dhe kjo është një pasuri e madhe, që për shkak të politikave diskriminuese frytet e kësaj pasurie nuk i përfitojnë shqiptarët.

Lamë pas fshatrat e Malësisë midis Shkodrës dhe Ulqinit. Mbrëmja na gjeti në hyrje të Ulqinit. Pritëm disa minuta njërin prej pronarëve të hotelit ku do të qëndronim, aty ku në udhëtim e sipër rezervuam fjetjen nëpërmjet një numri telefoni, që e siguruam nga një operatore turistike shkodrane, Roza Rupa. Qyteti i bukur i Ulqinit, njohur si i pari qytet i turizmit shqiptar, dhe qytet thesar i Malit të Zi, qyteti me histori të lashta kapedanësh, luftëtarësh, lundërtarësh, peshkatarësh, çuditërisht, në ditën e parë të vitit nuk e kishte humbur aspak gjallërinë e sezonit të verës. Me sa duket, shumë kosovarë, kryesisht të moshave të reja, kishin bërë të njëjtë zgjedhjen që bëmë edhe ne, të kalonin ditën e parë dhe natën e dytë të vitit 2016, në qytetin ku plazhi, rëra, uji dhe dielli, edhe pse ishin po aty, ia kishin lënë vendin, mikpritjes tradicionale ulqinake, natyrës së bukur, kuzhinës ulqinake, qetësisë dhe pastërtisë të dëshiruar prej nesh, turistëve dimërorë.

gjarpri gdhendur në gurin e një porte në KrajëSimboli iliro-arbëror i gjarprit, gdhendur në gurin e një porte në Krajë të Malit të Zi

 

Bujtës në hotelin me emër mitik

Bashkudhëtarja jonë njujorkezja Kethleen Imholz, kur dëgjoi se kishim rezervuar fjetje në një hotel të njohur me emër mitik, qeshi dhe u gëzua. Ajo, edhe pse juriste shumë e njohur, ka një pasion të jashtëzakonshëm për arkeologjinë, mitet dhe legjendat shqiptare. “A e dini që tek ilirët dhe ndër shqiptarët ka një hyj a perëndi ujërash që quhet Bindi?”. Më ka treguar miku im, Neritan Ceka, vazhdon juristja amerikane, se ai është një hyj që e kanë adhuruar gjithandej në zonat veriore të Shqipërisë dhe ekziston akoma adhurimi i këtij miti duke vënë ende emra njerëzish. Por fjalët e saj shërbyen vetëm sa për të hapur “oreksin” tonë të historive dhe legjendave, pasi ato të cilat do të dëgjonim më pas nga mikpritësi ynë, pronar i hotelit, ishin sa e sa interesante. Im bir, Enea, student në Arkitekturë, nisi të interesohet për kalanë e vjetër mbi 2 mijë e 500-vjeçare, me themele mbi shkëmb ndanë detit dhe për hotel “Mediterane”, që sipas tij, ishte një ndërtim i kohës së Titos, por që ishte përshtatur fort bukur me funksionet dhe elementë të arkitekturës së kohës. Por, plaku i urtë, Zef, mërgimtar i vjetër, rikthyer në vendlindje pas viteve ‘90, që kishte punuar në Gjermani e më pas në Australi për më shumë se 25 vjet, preferon ta nisë rrëfimin e tij, jo 2500 vjet më parë, por më thellë akoma në lashtësi. “Kemi kohë të flasim për kalanë dhe hotelet me emra të bukur, por jo ilirë e shqiptarë: “Vjena”, “Mediterane”, “San Remo”, të flasim njëherë për “Bindin”, se Bindi ishte perëndi ilire, Zoti i Ujërave dhe i Detit, që te grekët e vjetër haset me emrin Poseidon”, nis të rrëfimet ulqinaku i vjetër, Zef. Të parët tanë ilirët, besonin te Zoti i Detit, që e përfytyronin si një gjarpër të madh. Edhe te grekët e lashtë përmendet që Poseidoni merrte formën e gjarpërinjve të mëdhenj të Detit, apo të disa gjallesave të tjera të frikshme. Por gjarpri, vazhdon Zefi, ka qenë dhe është një ndër figurat dhe simbolet më interesante të mitologjisë shqiptare. Pastaj, nga muret dhe hapësirat e hotelit, barit dhe restorantit Zefi sjell për dëshmi disa fotografi dhe antikuarë të vjetër, me simbole të gjarprit si dëshmi të ekzistencës së mitit të Bindit. “Edhe pse disa gjetje arkeologjike kushtuar Bindit janë zbuluar në fund të shekullit të 19 dhe fillim të shekullit të 20, sipas prof. dr Ruzhdi Ushaku, trajta të shumta të emrit të këtij hyji janë të përhapura ndër emra shqiptarësh në Kosovë e Ulqin si; Bind në trajtë origjinale, Binda, Bindit, Bindan, Ilirbind, Bindor, Brinda etj”, na thotë plaku i urtë ulqinak, Zef Kovaçi, i cili me emrin e këtij hyji ilirjan ka pagëzuar e zbukuruar hotelin e tij. Uliqinakët janë krenarë për historinë e tyre të lashtë. Sipas Zefit, “Në Grop të Shestanit janë 6-7 fise shqiptare që në rras të vorreve t’vjetra ash skalit simboli iliro-arbnor i gjarpnit”. Në shekullin e 10, mbreti bullgar Samuel (970-1014) në marshimin e tij të tmerrshëm pushtoi gjysmën e Ballkanit, por nuk pushtoi dot Ulqinin.

Kostum tradicional orgjinal i zones se Shestanit ne Mal te Zi

“Masterchef” në Australi

Nëpërmjet historisë personale të Zef Kovaçit, mund të sjellësh dhjetëra histori të ngjashme të mërgimtarëve nga Ulqini, që janë rikthyer dhe kanë ndërtuar vila dhe hotele turistike në këtë vend të bekuar nga natyra dhe Zoti. Përgjithësisht vendbanimet e shqiptarëve në Mal të Zi janë pjesët më të varfra të këtij vendi, prandaj edhe shpërngulja e shqiptarëve ka qenë dhe është më e madhe se në pjesët dhe kombësitë e tjera. Më shumë se 25 vjet mërgim ka kaluar Zefi, fillimisht në Gjermani dhe më pas në Australi. Në kontinentin e largët arrin nivelin “Masterchef”, bëhet i njohur duke arritur të menaxhojë si mjeshtër kuzhine dhjetëra restorante, ku kishte arritur të themelonte edhe shkollë kulinarie. Rikthehet në vendlindje bashkë me bashkëshorten e tij, Lena, dhe tre fëmijët, dy vajza e një djalë për të ngritur bashkërisht një biznes familjar në shërbim të turizmit në Ulqin. Zefi është arratisur dhe la vendlindjen në moshën 19-vjeçare, ditën kur e thirrën për ushtar në armatën e ish-Jugosllavisë, 5 vjet qëndroi në Gjermani dhe 20 vjet shërbeu si specialist dhe anëtar i Akademisë së Gastronomisë së Australisë.

Ulqini është vend i kulturave dhe besimeve të Lindjes dhe Perëndimit. Këtu gjen myslimanë, ortodoksë e katolikë. Këtu ka objekte kulti të të tri besimeve. Këtu fliten dy gjuhë shqipja dhe gjuha serbo-malazeze. Me gjithë bujarinë dhe begatinë e natyrës për burime jetësore, këtu besohet se nuk ka asnjë vend tjetër në trojet shqiptare që pas mbas vitit 1945 e në vazhdim, fenomeni i mërgimit dhe shpërnguljes të ketë qenë kaq i madh sa në popullsia shqiptare e Malit të Zi. Sipas disa studiuesve vendas të dinamikës demografike, mendohet se janë rreth 40 mijë shqiptarë të larguar nga trojet e tyre në Mali i Zi për shkaqe ekonomike gjatë kësaj periudhe.

Pas konflikteve të armatosura që shkatërruan ish-Jugosllavinë në vitet ‘90, Ulqinin e vizitojnë më pak turistë perëndimorë. “Dikur turistët gjermanë dhe europianë e preferonin shumë Ulqinin, por numri i tyre tani është dy herë më pak se në vitet ‘70. Ndërkohë që pas luftës dhe pavarësisë së Kosovës, shumë nga shqiptarët kosovarë dhe të tjerë nga viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Serbi, kanë preferuar të pushojnë në bregdetin shqiptar, në Durrës, Shëngjin, Vlorë, Himarë dhe Sarandë dhe kjo ka ndikuar në uljen e numrit të pushuesve në Shëngjin”, të thonë pronarët e vilave dhe hoteleve. Dikur Plazhin e Madh dhe Plazhin Ada në breg të Bunës, plazh që frekuentohej nga nudistë perëndimorë, frekuentoheshin nga rreth 60 mijë turistë perëndimorë në një sezon, ndërsa tani numërohen vetëm 4-5 mijë pushues të kësaj kategorie për sezon.

 

Me 43% të të mirave bregdetare…janë më të varfrit

Shumica e ndërtimeve u përkasin mërgimtarëve, të cilët kanë punuar në vendet perëndimore qysh në kohën e ish-Jugosllavisë së Titos. “Por, ulqinakët, edhe pse zona më e pasur e Malit të Zi, me fusha, me kodra, me det, me ujë, me energji, janë sot një nga vendet më të varfra në Mal të Zi. Kjo gjendje, jo vetëm se është e vështirë të sigurosh jetën për një vit, nga marrja e qirasë për 3 muaj nga turistët e sezonit veror, por edhe sepse qeveria e kontrolluar tërësisht nga malazezët, me korrupsion e tenderë, na diskriminon dhe na thith gjithë të ardhurat nga plazhet e bregdetit të banuar nga shqiptarët. Edhe pse 43 % të të mirave bregdetare gjenden këtu, Ulqini është komuna më e varfër bregdetare e Malit të Zi”, të thonë banorët e qytetit. Sipas tyre, shqiptarët janë të parët që emigrojnë jashtë vendit dhe kur ikin, autoritetet malazeze i largojnë edhe nga evidenca dhe u heqin nënshtetësinë. Trajtimi dhe zhvillimi i pabarabartë sjell pakënaqësi.

“Ne shqiptarët jemi pak ose aspak të përfaqësuar në organet shtetërore. Për shembull, në Ulqin ku 90% e banorëve janë shqiptarë, shefi i policisë është malazez. E njëjta gjë edhe në institucionet e drejtësisë 90% e gjykatësve në Komunën e Ulqinit janë malazezë, në Gjykatën e Lartë nuk ka asnjë gjyqtar shqiptar”, tregon Zefi. Njerëzit e thjeshtë në Ulqin ankohen jo vetëm për diskriminimin e politikës zyrtare të Podgoricës, por edhe për politikanët dhe partitë shqiptare që nuk janë unikë në kërkesat e tyre për më shumë të drejtat. Ata ankohen edhe për politikanët shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës, të cilët edhe pse bëjnë vizita zyrtare në këtë vend, nuk marrin kontakte me njerëzit e thjeshtë në qytete dhe në Malësi për të njohur hallet dhe problemet. “Kërkesat tona janë modeste, ashtu si pakicat kombëtare në Kosovë, ku bën pjesë edhe pakica malazeze, kërkojmë reciprocitet, të kemi edhe ne të drejtat tona. Kemi nevojë për tekste shkollore, duam përkrahje nga Shqipëria dhe Kosova për hapjen e një universiteti në gjuhën shqipe. Një nga dy vajzat e mia e mbaroi universitetin në Tiranë, por për në Tiranë ka pak të drejta studimi për ne këtej kufirit”, thotë Zef Kovaçi. Ulqinakët thonë nuk kanë përfituar “kurrgja” nga procesi i privatizimeve, sepse ai kontrollohet tërësisht nga qeveritarët malazezë. Bie fjala; administrata e falimentimit të Kripores, ndërmarrja më e madhe dhe më e vjetër në gjithë rivierën malazeze, rreth 15 milionë metër katrorë, sipas administratorit malazez Ognjer Jovoviq nuk tenderohet pasi “…në kushtet ekzistuese shitja e Kripores është e pakuptimtë” (?!)

 

Ndërtime pa leje – dukuri e shëmtuar mbarëshqiptare.

Shtëpitë janë të gjitha në formë vilash moderne me kopshte e pemë përreth. Por si kudo në hapësirat dhe viset shqiptare shfaqet njëlloj ajo dukuri e shëmtuar e të ndërtuarit pa leje. Ndoshta jemi i vetmi popull a kombësi që në shekullin 21 ndërtojmë pa urbanistikë, pa rregull, pa leje. Jo vetëm zakon i shëmtuar, por edhe i dëmshëm për të ardhmen e qyteteve tona të mbizotëruara nga ky zhvillim i egër urban. “Mjerisht, në të gjitha trojet shqiptare ndërtohet pa leje, këtu në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, në Ulqin, në Preshevë, kudo i njëjti kaos dhe papërgjegjshmëri në ndërtime. Ku shkojmë ne kështu?”, më pyet një pronar i picerisë në Plazhin e Vogël të Ulqinit. Ulqinaku vazhdon bisedën me tim bir që studion për Arkitekturë dhe i tregon se ai ka punuar dhe jetuar në disa vende të Europës dhe Afrikës si emigrant, por askund nuk ka parë një turp të tillë. “Shqipëria festoi 100-vjetorin si shtet i pavarur, por edhe në kohën e pushtuesve osmanlinj kishte më shumë rregull në ndërtime. Shiko Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës, Çarshinë e Gjakovës, Beratin dhe Prizrenin e vjetër, që janë ndërtuar disa shekuj më parë dhe kanë aq shumë rregull e lezet, edhe pse janë ndërtuar shekuj e kohë më parë. Kjo është një shëmti mbarëshqiptare që duhet të marrë fund”, shprehet i shqetësuar ish-mërgimtari nga Ulqini. Askush nuk na e ka fajin, përveçse zyrtarët tanë të korruptuar e të papërgjegjshëm, përfundon biseda e mërzitshme për ndërtimet pa leje.

 

Diskriminimi në arsimin dhe kulturën shqiptare

Sipas banorëve të Ulqinit, krahas diskriminimit me pasoja tragjike në asimilimin e popullsisë shqiptare, abuzimit me shpërndarjen e pabarabartë të pasurive natyrore, mungesa e të drejtave të shqiptarëve shfaqet dukshëm në arsim dhe kulturë. Vetëm në katër shkolla të mesme dhe 12 shkolla fillore, mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Por edhe në këto pak shkolla historia kombëtare, gjeografia dhe muzika folklorike kombëtare mësohen fare pak. Sipas një deputeti kosovar të Vetëvendosjes, në tekstet shkollore të përkthyera në gjuhën shqipe nuk lejohet përdorimi i toponimeve dhe emrave shqip. Çerdhet e fëmijëve në gjuhën shqipe mungojnë në shumë vendbanime shqiptare. Ndërkaq, drejtorët e shkollave ku mësohet shqip, nuk janë shqiptarë. Ka edhe mësimdhënës që japin mësim në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, por nuk dinë të flasin shqip. Arsimi universitar është edhe më i mangët. Në Universitetin e Malit të Zi ekziston vetëm një program në gjuhën shqipe për kualifikimin e mësuesve, ndërkohë që në Komisionin Parlamentar të Arsimit nuk është asnjë anëtar shqiptar.

Mediat publike në gjuhën shqipe janë pothuaj inekzistente, pasi në televizionin publik të Malit të Zi emitohet çdo ditë vetëm 30 minuta program në gjuhën shqipe. Simbolet kombëtare në Mal të Zi janë të lejuara për individë, por në institucione përdorimi i tyre kufizohet vetëm në festa kombëtare. Aktivitetet kulturore të shqiptarëve, sidomos ato që lidhen me historinë dhe kulturën kombëtare nuk financohen nga institucionet shtetërore, mandej në Ministrinë e Kulturës nuk punon asnjë shqiptar.

Duke u ndarë me mikun tonë, Zef Kovaçi, bisedojmë edhe për gjendjen e mediave. Ai fillimisht ka dëshirë të flasë për revistën “Buzuku” ku është zgjedhur dhe kryetar nderi. Më pas na rrëfen se momentalisht në Ulqin nuk ka asnjë gazetë ose revistë tjetër në gjuhën shqipe, me përjashtim të një gazete javore që herë botohet dhe herë ndërpritet dhe revistës periodike të shoqatës kulturore “Gjon Buzuku”. Në shitoret e shtypit të përditshëm gjen gazeta e revista në gjuhën serbo-malazeze. Vetëm gjatë sezonit të plazhit ambulantët ofrojnë disa botime nga Kosova si “Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Bota sot”, revistën “Kosovarja” dhe ndonjë revistë të ilustruar nga Tirana. Veprimtaria me e madhe kulturore për banorët e Ulqinit janë shfaqjet e ansamblit “Gjon Buzuku”, i cili ruan të pastra këngët dhe vallet e Krajës dhe Shestani, është Panairi i Librit Shqip dhe Takimi Poetik me emrin “Kalimera”.

Udhëtimi ynë vazhdoi më pas edhe në qytetet e tjera bregdetare të Malit të Zi, në Tivar, Budva, Kotor dhe kudo të pranishëm bashkëkombës shqiptarë, të urtë, mikpritës dhe bujarë.

 

 

Statistikat

Shqiptarët me gjuhën e shifrave

Këtë pjesë me shifra e numra të reportazhit nga Ulqini, e bëri të nevojshëm një e dhënë që solli rastësisht në bisedë plakun Zef, tashmë shndërruar në mikun tonë më të ri në Ulqin. Sipas tij, popullsia e Komunës së Ulqinit, pra qyteti bashkë me fshatrat të përfshirë në të njëjtën njësi administrative, dikur përbëhej në masën rreth 85% nga shqiptarët, ndërsa sot shqiptarët përbëjnë vetëm rreth 71%. Shkurt, popullsi në rënie. Duke kërkuar burime të tjera më zyrtare statistikore, iu referuam shifrave të censusit të vitit 2011. Mali i Zi ka një popullsi të përgjithshme prej 620,029 banorë dhe 194,795 ekonomi familjare. Dendësia e popullsisë është përafërsisht 44.9 banorë/km2. Sipas të dhënave të të njëjtit census, mësojmë se në këtë shtet jetojnë: 278,865 (45%) malazezë, 178,110 (28.7%) serbë, 53,605 (8.6%) boshnjakë, 30,439 (4.9%) shqiptarë, 6,021 (0.9%) kroatë, 5,251 (0.8%) romë, 900 (0.1%) sllavo-maqedonë dhe 30,547 (4.9%) të tjerë, ose të padeklaruar.

Sipas strukturës fetare në Mal të Zi, llogariten 446,858 (72.07%) ortodoksë, 118,477 (19.11%) myslimanë, 21,299 (3.44%) katolikë dhe 27,756 (5.38%) të tjerë ose të padeklaruar. Shqiptarët janë pakica më e madhe jo-sllave në Mal të Zi. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Mal të Zi aktualisht llogaritet në 30,439 banorë, që përfaqëson rreth 5% të popullsisë. Pakica shqiptare jeton kryesisht në pjesët juglindore dhe lindore të vendit, gjegjësisht në komunat: Ulqin (71%), Plavë(19%), Tivar (6%), Podgoricë (5%) dhe Rozhajë (5%).

Vendbanimet aktuale me shqiptarë janë: Ulqini me rrethinë gjithsej ka 19.921 banorë, shqiptarë 14.076 ose 70,66%, Podgorica me rrethina, (ku bën pjesë edhe Tuzi), ka 185.937 banorë, nga këta 9538 janë shqiptarë, apo 5,13%, Plava gjithsej ka 13.108 banorë nga këta 2475 janë shqiptarë, ose 18,88%, Tivari ka 42.048 banorë, prej të cilëve 2515 shqiptarë, ose 5,98%, Rozhajë ka 22.964 banorë prej tyre 1158 janë shqiptarë ose 5,04%.

Burimi: Almakos

 

AA Vision: Intervistë me drejtorin ekszekutiv të shoqatës Don Gjon Buzuku.
Intervistoi: Nikollë Shabani