Hajrullah Koliqi: Një jetë e tërë në shërbim të arsimit kombëtar

March 17, 2016   | Kulturë / Kultura

Hajrullah KoliqiSkicë për jetën dhe veprën e prof.dr. Hajrullah Koliqit

Gjekë Gjonaj
Prof. dr. Hajrullah Koliqi është personalitet i shquar i arsimit dhe i mendimit pedagogjik shqiptar, i lindur në fshatin Kështenjë të Krajës. Fillimisht punoi si mësimdhënës i Gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Shkollën fillore të Ostrosit . Më pas doktoroi në vitin 1982 në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku për vite të tëra shërbeu si mësimdhënës i Historisë së pedagogjisë dhe i Andragogjisë. Ai në vazhdueshmëri u mor me kërkime, studime e botime të thelluara në fushën e arsimit dhe ka një bilanc më se 40 vjeçar veprimtarie të gjerë e të sukseshme arsimore, studimore dhe botuese. Penës së Hajrullah Koliqit i takojnë një numër i madh veprash nga fusha e pedagogjsë shqiptare dhe botërore. Ai është autor i një numri të madh punimesh shkencore, publicistike, fejtoneve, teksteve etj, të publikuara në revista e gazeta të ndryshme shekncore e kulturore. Zëri i shkencëtarit Hajrullhah Koliqit apo kumtesat e tij janë dëgjuar në shumë forume shkencore kombëtare. Për më tepër profesor Koliqi me veprën e tij është ai që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë me sukses si model dhe pikënisje për kërkime në fushën e pedagogjisë për studiuesit e rinj të këtij drejtimi . Ai tregoi interesim edhe për historinë kombëtare, për të cilën gjë dëshmojnë edhe monografitë kushtuar vendlindjes së tij Krajës.
Prof .dr. Hajrullah Koliqi po të shprehem me një fjalë është “ një Rumi pune”, të bërë në mbi katër dekada. Në saj të saj ai është rreshtuar në grupin e plejadës së intelektualëve shqiptarë që vendosi gurë të çmuar në arsimin kombëtar. Me mendjen e tij të ndritur shkencore u angazhua pandërprerë për ta çuar përpara arsimin kombëtar. Mbi dyzet vjet pedagog janë një jetë e tërë në shërbim të çështjes së madhe, arsimit kombëtar. Kontributi i profesorit të nderuar është shumë i madh e shumë dimensional. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij të deritashme arsimore veçmas në fushën e shkencave pedagogjike, pati një synim, binomin punë dhe atdhetarizëm. Këto ishin dy shtyllat kurrizore që nuk e lanë të gabojë kurrë.
Figura e tij në Kosovë , por edhe në hapësirën mbarëshqiptare jo vetëm se kujtohet nga ata që e njohin, por opusi i tij shkencor lexohet dhe citohet në kontinuitet. Doktor Koliqi gjatë gjithë veprimtarisë së tij është shquar si veprimtar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare, qoftë në Prishtinë, apo në vendlindje, në Krajë. Përveç se është autor i 22 veprave dhe teksteve universitare botimeve nga fusha e historisë së pedagogjisë, Koliqi është autor edhe i disa monografive për Krajën, si “Kraja e Shkodrës”, “Kraja ndër mote”, “ Kraja jonë” etj. Po ashtu është autor edhe I rreth 250 punimeve , përfshirë artikuj, studime, fejtone, vështrime etj, të botuar në gazeta dhe revista të ndryshme.
Në fillim të viteve 70-të të shekullit të kaluar, ishte nismëtari i themelimit të Klubit të studentëve nga Kraja në Universitetin e Prishtinës “Shqiponja”, edhe ishte kryetari i parë i kësaj organizate studentore. Koliqi asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen. Vazhdimisht ka marrë pjesë nëpër simpoziume shkencore në Ulqin në veçanti edhe kontributi i tij studimor është vlerësuar lartë.
Kontributin e tij dhënë në sferën e pedagogjisë dhe të veprimtarisë kombëtare në shërbim të popullit dhe vendit të tij shqiptarët nuk do ta harrojnë. Çdo herë do ta vlerësojnë këtë studiues të shquar të fushës së arsimit dhe të mendimit pedagogjik , këtë publicist të njohur, këtë bashkëbisedues erudit dhe i pasionuar për çështjen e arsimit tonë dhe këtë njeri të ndritur të historisë më të re shqiptare.
Jam i bindur që jo vetëm ne, por edhe të gjithë ata që kanë pasur shansin ta njohin dhe të punojnë me profesor Koliqin e nderojnë për kontributin e çmuar pedagogjik e kombëtar të tij.