Promovimi më i bukur i vlerave turistike

April 15, 2016   | Opinione, Sporti / Sport

Fed-Cup-Ulcinj-Norveska-Crna-Gora-Gjekë Gjonaj

Kjo javë mund të quhet sportive për qytetin e Ulqinit.  Në terrenet e Klubit të  Tenisit “ Bellevue”  në Plazhin e Madh   më 11 prill  ka filluar të mbahet  turneu  prestigjioz ndërkombëtar  i tenisit për femra  “ Fed Cup” . Kjo është hera e tretë  që  Federata e  Tenisit e Malit të Zi  në bashkëpunim  me  Federatën Botërore të Tenisit ia ka besuar këtij qyteti  mbajtjen e  këtij evenimenti. Nuk është vetëm një garë   tenisi por edhe një festë e madhe e cila ka mbledhur  qindra teniste dhe tenistë nga 17  shtete të botës nga  Mali i Zi, Kosova, Maqedonia,  Greqia, Norvegjia, Tunizia, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Armenia, Irlanda, Islanda, Madagaskari, Qiproja, Algjeria, Mozambiku dhe Maroku. Tenistet me të mira të   shteteve  pjesëmarrëse  gjashtë ditë radhazi do të shfaqin talentin e tyre para  një numri të madh  të dashamirëve  dhe adhuruesve të  këtij sporti gjithnjë e më atraktiv dhe më i   popullarizuar në Ulqin. Pritet që  ekipet pjesëmarrëse  të shfaqin lojëra shumë cilësore dhe në terren të  ketë një rivalitet dhe luftë të madhe. Kjo për tri arsye kryesore.  E para  këta sportistë  po mbrojnë ngjyrat  e shteteve të tyre. E dyta   janë duke shërbyer si ambasadorët më të mirë të vendeve të veta. E treta po garojnë  për tu kualifikuar në grupin  e dytë të kësaj garë në konkurrencën e femrave.  Me angazhimin dhe rezultatet e tyre tenistet vendase dhe të huaja   po përcjellin mesazhin më të mirë për përfaqësueset e veta, pa folur fare.  Nga na tjetër ato,  përveçse gjallëruan Ulqinin dhe  zgjuan interesimin e jashtëzakonshëm të adhuruesve të tenisit,   do të promovojnë  anë e kënd rruzullit tokësor vlerat   jo të pakëta të këtij qyteti të lashtë me traditë më se 2500 vjeçare.

Ulqini edhe këtë vit, sikurse edhe dy vitet e mëparshme, u bë qyteti i tenisit, vendi ku u tubuan  shumë  teniste të  reja nga Evropa dhe Afrika që do të përçojnë vibrime pozitive,  ku  u bë  dhe po bëhet  gjithçka  për ruajtjen e gjithë bukurisë që përmban ky sport.  Poashtu ky qytet   në prag të sezonit veoror   tash tri vite përmes  lojës së tenisit   po promovon në arenën ndërkombëtare vlerat dhe potencialet  turistike. Kjo ngjarje madhore dhe madhështore është dëshmi e gërshetimit   të  sportit  si veprimtari universale që i bashkon popujt dhe turizmit si degë e rëndësishme ekonomike.  Duke krijuar modele të këtilla   me arritje ndërkombëtare në fushën e sportit  organizatori ka shtruar rrugë të ndriçuara suksesi për gjeneratat e ardhshme.   Sepse, është frymëzuese  të shohim  në Ulqin  sportistë   pothuaj nga e gjithë bota  nga secili grup etnik, fetar dhe social  të bashkuar  jo vetëm për të luajtur tenis, por edhe  për t’u njoftuar, shoqëruar dhe për të ndarë gëzmin me njëri-tjetrin. Përmes këtij kompeticioni  tenistet dhe tenistët e huaj do të bëhen të vetëdijshëm për resurset që mbart Ulqini dhe për vlerat e tij kulturore, muzeale, arkeologjike e të tjera, të cilat do t’i përcjellin në vendin e origjinës së tyre.  Ky është një shembull i mirë i punës së palodhshme dhe një përfaqësim mjaft i mirë që i bëhet këtij qyteti  përmes tenisit.

Fed-Cup-Tenis-Ulqin-Kosova-2

Ulqini bashkë me ofertën e kapaciteteve strehuese me çmime të volitshme  në sektorin shoqëror dhe privat i ka kushtet për t’u zhvilluar në një qendër të rëndësishme sportive e turistike. Tani  ky qytet i tenisit   në të ardhmen  duhet  të bëhet qytet i sportit, vendi ku sportistëve dhe klubeve të këtushme   do t’u krijohen kushte për zhvillimin e sporteve të ndryshme. Turizmi dhe sporti do të duhej të jenë të lidhura në mes veti  në dokumentet strategjike të kësaj komunë. Me një infrastrukturë tani më të rregulluar sporti dhe turizmi mund të bëhen motor i rritjes së qëndrueshme ekonomike, hapjes së vendeve të punës dhe të krijimit të të hyrave financiare.  Është me rëndësi  që përmes sportit të nxitet dhe të promovohet turizmi ngase në këtë mënyrë stumilohen investimet në projektet e infrastrukturës siç janë rrugët, fushat dhe komplekset sportive – projekte këto prej të cilave do të kenë përfitim edhe vetëqeverisja vendore edhe vizitorët shfrytëzues të saj. Sporti dhe turizmi janë lëmi të cilat në raport të ndërsjelltë mund të kontribuojnë në imazhin jo vetëm të vetadministrimit lokal, por edhe zhvllimit të gjithmbarshëm dhe të  promovimit të programeve sportive-rekreative te popullata. Kësaj arritjeje do t’i gëzoheshin të gjithë qytetarët e kësaj komunë.