Thaçi të shtunën në Mal të Zi për demarkacionin

May 19, 2016   | Rajoni / Region

Thaci-GjukanivicPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të udhëtojë të shtunën për në Podgoricë të Malit të Zi ku do të takohet me kryeministrin e këtij vendi, Millo Gjukanoviq, dhe Presidentin Filip Vujanoviq, njofton Klan Kosova.

Ky takim mes Thaçit dhe udhëheqësve malazias, vjen pas lajmeve të fundit se mund të rinegociohet marrëveshja për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Për këtë takim dypalësh Thaçi ka njoftuar derisa ishte në një vizitë në Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

“Do të kem takim me Kryeministrin dhe Presidentin e Malit të Zi për këtë çështje, por e theksoj se ne duhet t’u besojmë njerëzve tonë dhe miqve tonë”, ka thënë Thaçi.

“Po ashtu dua  të besoj që në të ardhmen e afërt kjo çështje duhet të trajtohet në Parlamentin e Kosovës dhe nuk duhet të politizohet si diçka partiake, por duhet të shikohet si çështje e interesit shtetërore dhe mos të harrojmë që tanimë Mali i Zi është edhe anëtar i NATO-s”.

Thaçi ka deklaruar edhe se e mbështet çdo takim dhe përafrim qëndrimesh mes liderëve politikë kosovarë në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi shtetërore.

“Përgëzoj çdo takim mes liderëve të Kosovës dhe do të mbështes çdo iniciativë që çon drejt përafrimi dhe rritjes së kohezionit mes spektrit politik. Vetëm puna e përbashkët mundëson forcimin e institucioneve”.

“Në kuadër të këtij konsolidimi dhe forcimi edhe çështja e Demarkacionit duhet të bashkojë spektrin politik kosovar në mënyrë që të përmbyllim këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm”, ka deklaruar Thaçi nga Mitrovica.

Presidenti, që në Mitrovicë ishte për të parë punimet që po zhvillohen në kampusin e universitetit të qytetit, tha se projekti mundëson standarde më të mira për studentët e Mitrovicës dhe studim më cilësor.

Zëri