Google street view vjen në Mal të Zi

June 23, 2016   | Shtypi / Mediji

Google street view vjen në Mal të Zi Kompania Google njofton se do të fillojë udhëtimet dhe fotografimin e rrugëve të Malit të Zi për të përmirësuar shërbimin “Pamje të Rrugëve”, të Hartave të Google, një shërbim mjaft i përdorur në Mal të Zi.

“Nga 23 qershori, automjetet e Google do të fillojnë udhëtimin dhe shkrepjen e fotografive 360° nëpër qytetet e mëdha si Herceg Novi, Kotorri, Dobrota, Budva, Sutomore, Bar (Tivari) dhe Ulqini dhe nëpër zonat turistike e historike të Malit të Zi” tha kompania në deklaratën për shtyp. Shiko https://www.google.com/maps/streetview/explore/

Shërbimi në fjalë, i lançuar në vitin 2007, është i disponueshëm në 76 shtete të ndryshme të botës dhe u mundëson përdoruesve në kompjuter dhe celular të bëjnë një eksporim virtual të rrugëve përmes fotografive panoramike.

“Kemi dëgjuar nga shumë prej përdoruesve tanë në Mal të Zi se mezi presin ta përdorin shërbimin ‘Pamje të rrugëve’. Prandaj, sot jemi shumë të lumtur që ju njoftojmë për nisjen e udhëtimit si dhe për zbulimin e rrugëve dhe pikave më të bukura të Mali të Zi, për përdoruesit tanë anembanë botës. Kompanitë dhe përdoruesit do të përfitojnë gjithashtu nga te mirat e këtij shërbimi”, tha Antony Mcloughlin, Menaxher i Shërbimit “Pamje të Rrugëve” pranë Google.

Fotografimi në Mal të Zi do të fillojë nga Podgorica dhe do të përhapet përgjatë muajve në vazhdim në qytete dhe atraksione turistike. Shërbimi është mjaft i dobishëm për të përcjellë imazhe koherente të peizazhit malazias që nga qytetet bregdetare dhe malore deri te trashëgimia kulturore.

Për shkak se shërbimi do të transmetojë imazhe nga zonat e populluara të Malit të Zi, të dhënat personale dhe privatësia janë një temë mjaft e ndjeshme. Google është i detyruar të respektojë të gjitha ligjet e shtetit të Malit të Zi që mbrojnë privatësinë, për këtë arsye imazhet e “Pamje të rrugëve” do të mjegullojnë fytyrat dhe targat e automjeteve.

Pas marrjes së imazheve nga makinat e Google në rrugët e Malit të Zi, do të duhen disa muaj për përpunimin e tyre dhe bërjen të disponueshme për përdoruesit./Lajme nga Ulqini