Pergjegje Becit: Kabineti i kryetarit të Komunës së Ulqinit

August 6, 2016   | Lajmet / Vijesti, Politika

Opstina Ulcinj PressHabit interesimi i papritur i Becit  kur  janë në pyetje  kontratat  në kohë të caktuar, sepse me ato  aspak  nuk është marrë kur ka qenë nënkryetar, e nëse ka pak  kulturë  politike,  do të duhej sëpaku të turpërohej  që për këtë të kritikojë pushtetin aktual. Nëse jo ndonjë gjë tjetër, mbase është dashur të bëjë një  krahasim  dhe të analizojë  këtë dukuri  në kohën  kur ai ka qenë nënkryetar  me gjendjen e tanishme. Këtu do të shihej  që gjendja tani  është  shume me  e mire dhe nuk mund të krahasohet, por  kjo ska dyshim që nuk I intereson, sepse atëherë  nuk do të  përmbushte  direktivat  partiake, që me  të pavërteta,  gjysëmteverteta  dhe me trillime te ndryshme të  diskreditoj  pushtetin aktual.

E njëjta  gjë mund të thuhet  edhe për asfaltimin e rrugëve. Për hirë të vërtetës, në faqen  e Komunës së Ulqinit  është  publikuar  kontrata nr 01-2356/15 prej 25.12.2015 me ndermarrjen  Putevi nga Tivari, sipas tenderimit të  publikuar  më 3.11.2015, e që është paguar  këtë vit, si obligim  nga periudha  e mëhershme, e që nuk hyjnë  në mjetet buxhetore  per  vitin 2016. Edhe Becit  besojmë se kjo  gjë i është e njohur, pavarësisht  dijes  së mangët nga  lëmija e financave, e din po ashtu  që Drejtoria  për prokurime publike  nuk do të lejonte  shpalljen e  tenderit ne faqen e saj, nëse  nuk jane paraparë  ose tejkaluar  mjetet  buxhetore, por Becit  në këto momente nuk i është e rëndësishme  e vërteta  por  fabrikimi i aferave dhe skandaleve.

Poashtu  në deklaratën  e tij  Beci,  ndalet dhe parasheh   dëmet që mund të pësojë  Organizata turistike  në masën 200,000 euro. Me këtë  pohim mund të konkludojmë  ose ky është talent  dhe ekspert I pazbuluar juridik që mund të parashohë rrjedhen e  lëndëve gjyqsore që janë në proces ose dëshiron që kjo me të vërtetë të ndodhë, që me këtë të përfitojë politikisht. E përsa i përket sezonit turistik, pavarësisht se sa i sukseshëm  apo i pasukseshëm  është ky pushtet ne  zgjidhjen  e problemeve, asnjërit nga pushtetareve të pushtetit të tanishëm, as që i ka shkuar ndërmend  që të marrë  pushimin  vjetorë  në  kulmin e sezonit turistik  dhe të lërë qytetin në mëshirë të fatit , ashtu sic e ka bërë  ish nënkryetari Beci, i cili nga 27 korriku deri më 27 gusht të vitit të kaluar ishte në pushim vjetorë.

Përsa i përket  krahasimit të rezultateve tona  ne   pjesemarrjen  e pushtetit  vendor, ktu nuk ka se çfarë të krahasohet, sepse ju në mandatin tuaj  nuk keni pasur asnjë rezultat, keni qenë vetëm dekor  dhe një person i dëgjueshëm i ish kryetarit  dhe asgjë më shumë. Është fakt që Beci në fillim të mandatit të  tij  gjithë entuziazëm, publikisht është  mburrur  që i ka mbushur sirtaret  dhe  ormaret  me dëshmi  për shkelje  të ish kryetarit, por  nga kjo shpejt ka hequr dorë, pasi  shpejt  është kënaqur me  privilegje  të vogla,  dhe  është  angazhuar  që këtë pushtet ta ruaj  deri në fund të mandatit, edhe pse i  vetëdijshëm  për të gjitha  shkeljet, por duke u arësyetuar për  gjoja rrezikun  nga ardhja e  DPS-it në pushtet.

Me këtë rast publikisht i bëjmë ftesë Becit  që të  publikojë të gjitha dokumentet  për shkeljet që i ka  grumbulluar nëpër sirtare  dhe ormare  nga koha kur ka qenë nënkryetar, e me këtë do  të dëshmonte  që qëllimi i tij  si kontrollor është menjanimi  i padrejtësive  e jo  thjeshtë marketing politik.

Është  qesharake  thënija e Becit se  vetë paska dalur nga  pushteti , e rikujtojmë se nga pushteti ka dalë kur  është prishur koalicioni  dhe  ishte paralajmëruar prekompozim  i skenës politike  ku sigurisht për  ta nuk  ka pasur  vend  në asnjë  variant, prandaj ,,vetë,, keni dalur  nga pushteti disa ditë më heret, për  gjoja  arsye principiele.

Përsa i përket pjesëmarrjes tone  në pushtetin e  mëparshëm, dhe luftën  për fotele dhe beneficione,  i rikujtojmë  ish nënkryetarit  Beci  që sekretarët nga rradhët tona  janë shkarkuar nga ish kryetari, pikërisht për atë  se nuk  kanë  pranuar që të heshtnin  në këmbim të  befenicioneve  dhe të ,,bashkëpunojnë,, me të, siç keni vepruar ju.

Do të kishim dhe shumë gjëra të tjera për të shtuar, por  me këtë, tani  e ndërpresim këtë polemikë  me kontrollorin në largim, dhe mbetet që në periudhën e ardhëshme të shpalosim dhe shumë fakte të tjera  nga  aktivitetet e Becit në periudhën kur ka qenë  nënkryetar. 

 

Kabineti I Kryetarit

Komuna e Ulqinit

 

Linku për dokumentet e përmendur në tekst:

Kontrata me DOO Putevi Bar:

 http://ulgov.me/upload/document/20151225_radovi_na_asfaltiranju_i_rekonstrukciji_p.pdf

Vendimi për pushim vjetor:

http://ul-gov.me/upload/document/20150721_safet_beci_rjesenje.pdf