Banorët e Ulqinit fitojnë “Betejën e Kripores”: nuk do të ndërtohet në të

August 10, 2016   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

ulcinjska-Solana BAJO SEKULICShqiptarët fitojnë betejën e kripores së Ulqinit.

Pas një beteje një-vjeçare, organizatat e shoqërisë civile, jo vetëm të shqiptarëve por edhe të ambjentalistëve malazezë, kanë arritur sukses të plotë.

Një zyrtare e lartë e Podgoricës ka deklaruar për televizionin publik se “Në zonën e Kripores së Ulqinit nuk do të ketë ndërtim dhe këtë e definojnë planet hapësinore”.

Një frazë e qartë dhe përfundimtare e dalë nga kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, enti përgjegjës që jep licensat e ndërtimeve në zona të mbrojtura.

Marina Spahiq deklaroi më pas se “Këtë përfundimisht e definon plani hapësinor në zonën e posaçme”.

“Nuk ekziston në projekt ndërtimi në Kriporen e Ulqinit. Në ministri disa herë e kemi theksuar këtë për shkak të moskuptimit të dokumentacionit projektues-planifikues”.

Spahiq shtoi se Kriporja fillimisht duhet të mbrohet në nivel nacional, pastaj edhe në atë ndërkombëtar.

ulcinjska-solana-raj-za-ptice-2

Plani hapësinor-urbanistik i komunës së Ulqinit e përcakton Kriporen si Park Natyror.

Kjo për arsye të ekosistemit të veçantë dhe mikro klimës që krijon laguna.

Vetëm në këtë vend në Ballkan shtegtojnë shpendët e rrallë si flamingot.

 

Beteja

Protesta e shoqërisë civile shqiptare nisi pas planit të qeverisë malazeze për privatizimin e Kripores dhe më pas doli në media fakti se truallin e kishte marrë një bankë që drejtohej nga vëllai i kryeministrit, Milo Gjukanoviç-Aço-ja.

Vendimi për marrjen e truallit nga banka u vendos nga Gjykata Kushtetuese, vendim të cilin deputeti shqiptar Genci Numanbegu e quajti “në dëm të interesave të shqiptarëve të Malit të Zi”.

Por përveç shqiptarëve kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.

Ambasadorja e Gjermanisë në Podgoricë, Gudrun Shtajnaker, ka paralajmëruar disa herë se nëse Kriporja nuk shpallet zonë e mbrojtur, rrezikohet rruga e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian.

Vendimi për mbrojtjen e Kripores u miratua nga Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2012 me vota të opozitës, Partisë Socialdemokrate dhe deputetëve shqiptarë.

Kriporja e Ulqinit mbulon një sipërfaqe prej 14,5 km2 dhe është e vendosur në deltën e Lumit Buna.

Para se të ndërtohet Kriporja në vend të saj, ka qenë Këneta e Zogajve, e cila ka qenë e njohur për gjuetinë e shpezëve, gjë që e tregon edhe emri “zog”.

ulcinjska-solana-raj-za-ptice-1

Fillimi i Kripores është i lidhur me rregullimin e ujit të Kënetës se Zogajve në vitin 1913, kur është hapur kanali i Port Milenës. Ajo është e rrethuar nga një kanal që drenazhon ujërat e kënetave përreth, duke mos lejuar që uji i tyre të përzihet me ujin e Kripores.

Kriporja është një pjesë e rëndësishme e sistemit të pellgut të Liqenit të Shkodrës dhe të Lumit Buna, i cili ka një sipërfaqe prej 1,000 km2.

Kriporja është e rrethuar nga disa nga vendet më të rëndësishme mjedisore në Adriatik, siç janë Plazhi i Madh, Ada e Bunës, Liqeni i Shasit dhe Liqeni i Shkodrës.

Kriporja e Ulqinit është një nga dhjetë kriporet më të mëdha  në Mesdhe. Në fund të bazenit të saj, gjenden në sasi të mëdha mbetjet e guackave dhe të kërmijve të detit.

 Përgatiti: Y.Pata- /tesheshi.com/