Faton Abdullahu: Mali i Zi mund të tërheqë njohjen e Kosovës

September 9, 2016   | Rajoni / Region
Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanovic ka deklaruar se Mali i Zi dhe Kosova mund ta dërgojnë në arbitrazh ndërkombëtar çështjen e demarkacionit nëse nuk arrijnë pajtim.
 Faton Abdullahu

Ai ka thënë se nuk duhet të lejuar që Podgorica dhe Prishtina t’i prishin raportet duke theksuar se vendi i tij nuk e do asnjë metër të Kosovës.

Por, zëdhënësi i Qeverisë Faton Abdullahu është shfaqur si specialist i çështjes duke thënë se Mali i Zi mund ta tërheq njohjen që i kishte bërë Republikës së Kosovës.

Mali i Zi dhe Maqedonia e kishin njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008, disa muaj pas shpalljes së pavarësisë – duke nxitur edhe një herë hidhërimin e Serbisë me njohjet që po i vinin shtetit të ri.

Vet Gjukanovic theksoi se Kosova nuk ka raporte të këqija me Malin e Zi por gjithë këtë e interpretoi si një luftë të brendshme ndërmjet partive politike në Kosovë.

Por tani, sipas Abdullahut, gjërat kanë shkuar aq larg sa Mali i Zi është afër tërheqjes së njohjes.

Pajtimi për demarkacionin që mund ta na sjell humbje të pariparueshme.  Nëse do të pajtohemi pozitë dhe opozitë për demarkacionin, ashtu sikur pretendon opozita, tek atëherë do të shohim çka do të humb Kosova, tek atëherë do të shohim çka do të thotë mospajtim”, shkruan Abdullahu në llogarinë e tij në facebook.

“Mospajtim dhe humbje e shansit për vazhdim të normalizimit të marrëdhënieve me Malin e Zi vend i cili pas Serbisë e ka potencialin përbrenda për të qenë kundër nesh dhe këtë në të ardhmen mund ta bëj deri në tërheqjen e njohjes së pavarësisë”, shkruan ai.

Sipas Abdullahut, ky mospajtim do të mund të ishte deri në humbjen e shansit për integrime evropiane, sepse në rrugëtimin tonë për në BE, do të na ndizet drita e kuqe.

“ Mospajtim me SHBA-të duke fituar logjika kryeneçe opozitare se ne ‘populli i përvuajtur i një vendi të vogël’ mund ta kemi mirë dhe jo SHBA-të, që do të mund të vazhdohet ngjashëm edhe për ‘Asociacionin’ edhe për procese tjera”, shkruan ai.

“Humbje e mundësisë që si shtet i ri ta ndihmojmë tutje procesin e forcimit dhe konsolidimit të pranisë politiko-ushtarake të NATO-s në Ballkan. Transformimi i FSK-së dhe Vizat as që do të na bien në mend”./lajmi.net