Libri ”Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881”nga Riza Rexha , përkthehet në gjuhën malazeze

October 24, 2016   | Kulturë / Kultura

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka sjellë të përkthyer në gjuhën malazeze librin “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881” (Ulcinj za vrijeme Albanske prizrenske Lige 1878-1881) të autorit Riza Rexha.  

 Ulcinj za vrijeme Albanske prizrenske Lige 1878-1881 - Riza Rexha

“Art Club” sjell në gjuhën malazeze librin “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881” të autorit Riza Rexha  

 

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë në gjuhën malazeze librin e mr. Riza Rexha “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881” (Ulcinj za vrijeme Albanske prizrenske Lige 1878-1881).

Libri flet për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së këtij qyteti dhe më të trazuara të historisë sonë kombëtare, duke e trajtuar në mënyrë të detajuar dhe rrënjësore çështjen e rënies së Ulqinit, në kontekstin e rrethanave gjeopolitike të kohës. Ai pasqyron ngjarjet historike duke filluar nga janari i vitit 1878, kur Ulqini bie nën sundimin e Malit të Zi, qëndrimin e diplomacisë së Fuqive të Mëdha evropiane ndaj çështjes së Ulqinit në Paqen e Shën Stefanit, në Kongresin e Berlinit, rezistencën e popullit shqiptar ndaj synimeve të qeverive ballkanike, vendimeve të qeverive evropiane, të Portës së Lartë dhe vendosmërinë e popullit shqiptar për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe tërësisë tokësore.

Rexha është njëri ndër historianët që është marrë më tepër me çështjen e Ulqinit në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo çfarë e shquan atë është objektiviteti shkencor dhe mbështetja në burime dokumentare, veçori të një studiuesi serioz. Libri është një punim i veçantë dhe deri më sot më gjithëpërfshirës në literaturën historike mbi këtë temë për këtë periudhë, nga studiues shqiptarë ose të huaj,

Libri është përkthyer në gjuhën malazeze nga Nikollë Berishaj, redaktor i librit është prof. dr. Kristaq Prifti, recensent Prof. dr. Gazmend Shpuza, redaktor gjuhësor akademiku Zuvdija Hoxhiq dhe redaktor teknik Qazim Muja.

Përkthimi dhe botimi i librit është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën “Merkator” – Bijello Pole.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 110 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

Ulqin, më 24. 10. 2016                                                                           SHAI “Art Club”