Tkurrja e shqiptarëve të Malit të Zi dhe heshtja e qeverive shqiptare

October 26, 2016   | Reportazh / Reportaža

Adnan RRUSTEMIAdnan RRUSTEMI

Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, përveç luhatjeve mbi orientimin e këtij shteti të Ballkanit në mes të vazhdimit të kursit euro-atlantik apo kthimit nën ndikimin e Serbisë dhe të Rusisë, u veçuan edhe nga zbehja gati deri në mospërfaqësim të plotë të shqiptarëve të atjeshëm në Parlamentin e këtij vendi, si shprehja më shqetësuese e politikave diskriminuese të qeverisë malazeze ndaj shqiptarëve. Për rrjedhojë, nga 81 anëtarë të Parlamentit, pavarësisht që së paku zyrtarisht paraqesin mbi 5% të banorëve, vetëm një shqiptar është zgjedhur, duke shënuar kështu nivelin më të ulët të përfaqësimit të tyre që nga viti 1990. Tkurrja e shqiptarëve të Malit të Zi nga katër deputetë në 2009, dy në 2012 dhe së fundi me vetëm me një mandat, është shkaktuar nga së paku dy lloj faktorësh. Para së gjithash, politikat e vazhdueshme diskriminuese me pasoja të shpërnguljes masive, në disa zona deri në 50%, varfërisë e asimilimit, të nxitura nga mungesa e të drejtës për edukim dhe arsimim në gjuhën shqipe, diskriminimit të shqiptarëve në administratë dhe punësimit në institucione, si dhe papunësisë në përgjithësi, ku vetëm rreth 1% e administratës shtetërore përbëhet nga shqiptarët. Pasoja e drejtpërdrejtë e shtypjes dhe pamundësisë së punësimit ka bërë që një pjesë e shqiptarëve të asimilohen edhe zyrtarisht, sikurse një numër i ndjeshëm i tyre kanë votuar partitë politike malazeze dhe jo ato shqiptare.

Më tej, disa aspekte të procesit zgjedhor që shtrihen në përçarjen përbrenda korpusit të partive politike shqiptare dhe mosdalja me një listë të vetme zgjedhore, si dhe disa kufizime të procesit zgjedhor, siç është e drejta e votës e kufizuar me qëndrimin prej së paku 24 muajsh të fundit në Malin e zi, ka bërë që shumë shqiptarëve që jetojnë përkohësisht jashtë Malit të Zi t’u pamundësohet e drejta e votës. Paraqitja në zgjedhje me tre lista zgjedhore ishte hapi më i dëmshëm që solli humbjen e së paku edhe dy mandateve të sigurta. Subjektet shqiptare që morën pjesë në këto zgjedhje, “Shqiptarët e vendosur” (Forca, UDSH e ASH) fitoi 4700 vota apo 1.2% dhe fitoi mandatin e vetëm, ndërsa Koalicioni shqiptar ”Me një qëllim” që fitoi 3500 vota apo 0.9% dhe LDSH me 1500 vota apo 0.40% mbetën pa asnjë deputet. Vetëm nga këto të dhëna bëhet e qartë se nëse do të dilnin me një listë të vetme do të kishin së bashku 9700 vota dhe do të arrinin pa vështirësi tri mandate dhe me shumë gjasë edhe të katërtin. Një rezultat i tillë, do ta bënte faktorin shqiptar edhe më të rëndësishëm në krijimin e Qeverisë, sidomos kur kihet parasysh rezultati i ngushtë në mes të dy kampeve malazeze dhe vështirësitë e krijimit të institucioneve.

Po ashtu, trajtimi jo i barabartë i të gjitha pakicave kombëtare kur bëhet fjalë për pragun zgjedhor dhe kuotat për mandate e kanë determinuar mospërfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Parlamentin malazez. Kjo ka bërë që mandati i shqiptarëve të kushtojë rreth dhjetë mijë vota, gjersa e njëjta gjë nuk ka ndodhur me pakicat tjera, e veçmas me pakicën kroate, e cila me ligjin për zgjedhjet e ka të garantuar të drejtën për një deputet në qoftë se marrin të paktën 0,35 % të votave. Madje, edhe mandati i partive malazeze ka peshuar dukshëm më pak vota sesa mandati i shqiptarëve. Një mandat për partinë e Gjukanoviqit peshon mesatarisht rreth 4500 vota, gjersa mandati i vetëm i shqiptarëve rreth 10.000 vota. Për këto kufizime, e veçmas për mohimin e të drejtës së votës, Mali i Zi kishte marrë vërejtje nga OSBE-ODHIR e Këshilli i Evropës, por për të njëjtat kishte heshtur tërësisht Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

Ky moment pafuqie i shqiptarëve të Malit të Zi, më shumë se sa simptomë e tjetërsimit të shqiptarëve është pikë arritjeje e një procesi të vazhdueshëm e intensiv të diskriminimit gjuhësor, kulturor, ekonomik e politik nga qeveritë malazeze. Kjo është pika ku koniunktura zyrtare malazeze kah moti kishte ecur me politikat e saja përjashtuese ndaj shqiptarëve. Edhe më të rëndë e bën fakti që ky diskriminim e ndryshimet e pafavorshme të sistemit zgjedhor janë bërë në një kohë kur qeveritë respektive shqiptare e kanë gojën plot për raportet miqësore me Qeverinë e Malit të Zi. Në këtë kontekst, thuajse ka një raport tërësisht të zhdrejtë në mes të raporteve zyrtare të Shqipërisë e Kosovës me Malin e Zi dhe gjendjes së shqiptarëve në këtë shtet. Rrjedhimisht, jo vetëm se raportet në mes të shteteve nuk po reflektohen edhe në përmirësimin e trajtimit të shqiptarëve në Mal të Zi, por pikërisht në vitet e fundit faktori shqiptar i atjeshëm ka pësuar tkurrje të vazhdueshme politike, duke arritur në pikën më të ulët të përfaqësimit. Natyrisht që përçarjet dhe shpërndarja e shqiptarëve në tri lista zgjedhore e ka bërë të pritshme këtë disfatë, por edhe ndryshimet në legjislacionin zgjedhor në vitet e fundit kanë ndikuar që fuqia politike e shqiptarëve të reduktohet edhe nominalisht nga pesë deputetë që mund të fitonin shqiptarët në tre, për të përfunduar praktikisht në një përfaqësues të vetëm, ndërsa Tirana dhe Prishtina zyrtare vazhdojnë të shpërfillin gjendjen dhe fatin e bashkëkombësve tanë atje. Diskriminimi dhe pamundësia për të ruajtur identitetin kombëtar po bën që shqiptarët në zona të caktuara ku ndodhen pakicë të heqin dorë nga të qenit shqiptar apo së paku duke votuar për partitë politike malazeze si rrugë e vetme për të mbijetuar e gjetur punë. Është e domosdoshme që qeveria zyrtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të ngrenë një strategji të përbashkët për të drejtat politike, sociale e kulturore të shqiptarëve atje, me kërkesa konkrete për Qeverinë e Malit të Zi, me qëllim të garantimit që shqiptarët të kapërcejnë sforcimin për të mbajtur gjallë identitetin e tyre, në mundësi të zhvillimit dhe jetesës së dinjitetshme pa pasur nevojë të mohojnë identitetin e tyre shqiptar.

Zëri.info