Pozita e mjeteve të informimit në gjuhën shqipe dhe procesi i integrimeve evropiane të Malit të Zi

November 22, 2016   | Shtypi / Mediji

ALI-SALAJNë këtë fazë, përfaqësuesit e subjekteve politike të shqiptarëve dhe shoqatat civile duhet ta njoftojnë Këshillin Evropian dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë për gjendjen e krijuar në mediat e pakicave dhe t’i imponojnë pushtetit të Malit të Zi kriteret e qarta dhe të vazhdueshme për mbrojtjen dhe zhvillimin e mediave në gjuhën shqipe. Ata duhet të kërkojnë subvencione të sigurta për mediat në gjuhën shqipe, pa rrezikuar pavarësinë e tyre nga ndërhyrjet e mundshme të shtetit.

 

Ali Salaj

 

Këshilli Evropian në mbledhjen e Kopenhagës të vitit 1993 ka miratuar disa kritere politike, të cilat shtetet që aderojnë drejt stabilizim-asocimit në Bashkimin Evropian duhet t’i përmbushin. Ky kriter kërkon “qëndrueshmërinë e institucioneve, të cilat garantojnë demokracinë, pushtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave”. Këto kritere në mënyrë të qartë përkufizojnë ekzaminimin e sfidave politike, ekonomike dhe kulturore, të cilat duhet t’i respektojë dhe përmbushë edhe Mali i Zi.

Mirëpo, në raport me pakicat Mali i Zi, deri më tani, nuk u përball me asnjë kusht dhe nuk hasi në probleme të theksuara. Përkundrazi, planet e veprimit për hapjen e kapitujve ishin shumë të lehta dhe shpejt të realizueshme.

Kështu, fjala vjen, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura, pasi që iu bë skriningu apo ekzaminimi, ose siç njihet ndryshe “kontrolli sistematik”, u hap më 15 prill 2015 dhe u mbyll po atë ditë. Ndërkohë, është më se e ditur që arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi përballet me probleme të shumta. Edhe me këtë rast përfaqësuesit politikë të shqiptarëve u vonuan dhe gjatë ekzaminimit nuk paraqiten vërejtje dhe nuk lobuan që çështjet e arsimit shqip të rishikohen dhe mundësisht kapitulli në fjalë të mbetet i hapur deri në realizimin e objektivit.

Ndërkaq, Kapitulli 10 që ka të bëjë me “Shoqërinë e informacionit dhe mediat” është hapur më 31 mars 2014 dhe vazhdon të mbetet i hapur. Mos mbyllja e këtij kapitulli nuk ka të bëjë fare me mediat e pakicave në Mal të Zi, por me mediat opozitare dhe të pavarura malazeze, të cilat përjetuan dhunë dhe trysni, siç është rasti i vrasjes së kryeredaktorit të gazetës “Dan” apo rrahja brutale e kryeredaktorit të gazetës “Vijesti”, si dhe dhuna ndaj gazetarëve. Vetëm në periudhën nga viti 2004-2016 në Mal të Zi janë shënuar 55 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave për të cilat raportuan organizatat për të drejtat e njeriut, si Amnesty International apo Freedom House.

Në këtë kuadër, mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi aktualisht po shënojnë një ngecje, por edhe një kthim prapa. Të dhënat tregojnë se mediat e pakicave nuk kanë mbështetje nga institucionet përkatëse dhe si pasojë ato për çdo ditë e më shumë po reduktohen dhe shuhen.

Miratimi i Ligjit për informim, ku një nen i tij parashikon që qeverisja qendrore dhe ajo vendore nuk mund të jenë themelues të mediave të shtypura, ka cënuar seriozisht mediat në gjuhën shqipe. Si pasojë e kësaj kornize ligjore, e cila u miratua edhe me votën e përfaqësuesve shqiptarë, në vitin 2003 u mbyll shtojca në gjuhën shqipe e gazetës “Polis”. Numri i parë i kësaj gazete doli në vitin 1981 dhe cilësohej si një segment i rëndësishëm informativ për banorët e Malësisë.

Problemet e ngjashme e ndoqën edhe të vetmen gazetë në gjuhën shqipe “Koha Javore”, të cilën disa herë tentuan ta reduktonin ose edhe ta mbyllnin. Pas lobimit të fuqishëm në SHBA dhe pranë organizatave ndërkombëtare të mediave u vendos që kjo gazetë të financohet nga buxheti i Parlamentit të Malit të Zi.

Edhe mediat elektronike në gjuhën shqipe në Mal të Zi po shënojnë një krizë dhe degradim, si në aspektin programor ashtu edhe në atë financiar. Kështu emisioni “Mozaiku 60” i Televizionit të Malit të Zi u reduktua në kohën kur subjektet politike shqiptare kërkonin një kanal të veçantë në gjuhën shqipe. Radiot lokale që nga Plava, Tivari dhe Ulqini janë në një gjendje të vështirë financiare, të harruara dhe të lëna pas dore, gjë e cila domosdoshmërisht po ndikon në cilësinë dhe sasinë e programit si dhe në dëgjueshmërinë e tyre.

Ndërkaq, mediat private si TV “Boin”, TV “Teuta” dhe Radio “Elita” gjenden në një varshmëri financiare nga çrregullimet e dukshme në tregun mediatik. Ato aktualisht nuk janë të përfshira nga donacionet shtetërore ose nga reklamimi shtetëror, i cili në Mal të Zi nuk është aspak transparent.

Në këtë fazë, përfaqësuesit e subjekteve politike të shqiptarëve dhe shoqatat civile duhet ta njoftojnë Këshillin Evropian dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë për gjendjen e krijuar në mediat e pakicave dhe t’i imponojnë pushtetit të Malit të Zi kriteret e qarta dhe të vazhdueshme për mbrojtjen dhe zhvillimin e mediave në gjuhën shqipe. Ata duhet të kërkojnë subvencione të sigurta për mediat në gjuhën shqipe, pa rrezikuar pavarësinë e tyre nga ndërhyrjet e mundshme të shtetit.

Reduktimi dhe shuarja e mediave në gjuhën shqipe do të rrezikonte qenien kombëtare, pasi është e ditur se komuniteti pa media është i predestinuar të humbasë identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kulturor.

 

(Autori është kryeredaktor i gazetës “Koha Javore” në Podgoricë)