MIPA: Promovimi i Investimeve të huaja në Ulqin

December 13, 2016   | Ekonomia / Ekonomija

MIPA-Milosh Jovanovic-Nazif-Cungu-UlcinjKryetari Cungu priti sot drejtorin e Agjencionit për Promovimin e Investimeve të Huaja të Malit të Zi – MIPA, Milosh Jovanoviq. MIPA është agjencioni shtetëror i themeluar në vitin 2005 më qëllim të promovimit të Malit të Zi si destinacion për investime në tregun ndërkombëtar të investitorëve.

Në takim është biseduar për mundësitë e veprimit të përbashkët të MIPËS dhe Komunës së Ulqin në fushën e thithjes së investimeve të huaja. Drejtori Jovanoviq informoi kryetarin Cungu me aktivitetet promovuese të cilat ky Agjencion po i realizon, dhe ftoj Komunën e Ulqin që në mënyrë sa më aktive të kyçet dhe të jetë pjesë e këtyre aktiviteteve.

Kryetari Cungu tha se është moment i qëlluar për të bërë promovimin e investimeve, sidomos duke ditur faktin që së shpejti në Kuvendin Komunal të Ulqinit do të aprovohet Plani Urbanistiko-Hapësinor, i cili do të hap shumë mundësi të reja për investime.

U ra dakord që Komuna e Ulqinit, me ndihmën e MIPËS, të punojë një broshurë e cila do të përmbajë të gjitha të dhënat për investitorë si dhe disa propozime konkrete për investime. Kjo broshurë do të jetë pjesë e promovimit të Komunës së Ulqinit në panairin e investimeve MIPIN në Kan në vitin e ardhshëm.