Vdes shkrimtari Ramiz Kelmendi, ku vendlindja e tijë letrare ishte Ulqini

January 11, 2017   | Reportazh / Reportaža

Vdes-Ramiz-Kelmendi_Ulqini-1Shkrimtari i njohur kosovar, Ramiz Kelmendi, ka ndërruar jetë të mërkurën, në moshën 86-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e Ramiz Kelmendit e ka dhënë gazetari Adriatik Kelmendi, nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook.

“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftoj se sonte u nda nga jeta axha im, që e kisha shumë më shumë se axhë, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare”, ka shkruar Adriatik Kelmendi.

Ramiz Kelmendi, përveç si shkrimtar, njihej edhe si publicist e gazetar.

Ai ka shkruar disa romane, tekste shkollore, drama, e fejtone.

Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Vija e vrragë” dhe “Abrakadabra”.

Biografi e shkurtër e Ramiz Kelmendit: 

KELMENDI (1930 – 2017)

Ramiz Jakup Kelmendi u lind më 20 dhjetor 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe krejt grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por me qenë se ishte i mitur (16-vjeç), i mban vetëm 30 ditë burg dhe lirohet.

Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej vetëm në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht.

Kur e përfundon, pranohet gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”.

Më 1950 regjistron Fakultetin Filozofik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia finanson i jati i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomon në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”.

Me të mbaruar të studimeve rikthehet në gazetën “Rilindja”, që tash ishte bërë e përditshme, ku për 12 vjet rresht punon redaktor, reporter i lirë dhe kolumnist, kolumnet e të cilit ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete.

Në vitin 1967 emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”.

Për katër vjet me radhë ishte Drejtor i Teatrit Popullor Krahinor.

Në vitin 1969 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte landën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.

Në vitin 1975 magjistron me temën “Humori dhe satira në letërsinë shqipe”.

Ramiz Kelmendi arriti të krijojë edhe një opus të begatë letrar. Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mija shkrime publicistike natyrash të ndryshme.

Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj.

Ishte njëri nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë. Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për te kerkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës.

Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nëshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.

Kur pensionohet, Kelmendi nuk ndalet. Më 1996, Ramiz Kelmendi fiton një ide të padëgjuar dhe të re në krejt hapësirat shqiptare që po dilnin nga komunizmi: idenë per hapjen e një institucioni privat arsimor. Kelmendi vendosë të hapi Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në krejt hapësirat shqiptare, “Faik Konica”, që ka funksionuar deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.

Ramiz Kelmendi vdiq si njëri nga emrat më të shquar të krejt një brezi intelektualësh, të kulturuar në ish-Jugosllavi, që mbrojtën identitetin shqiptar dhe ndryshuan imazhin dhe percepcionin për shqiptarët në sytë e kombeve dhe kulturave që formonin Federatën Jugosllave.

Gazeta Express

Vdes-Ramiz-Kelmendi_Ulqini

Ramiz Kelmendi: Ulqini vendlindja ime letrare

Ka një diç të veçantë kjo puna e vendlindjes sime. Pejanët, aty ku u linda vërtet dhe saktësisht më 20 dhjetor 1930, gjithmonë
e jetës – për këto gati-gati 79 kokrra vjet të jetës sime! –  as më kanë pranuar dhe as më kanë njohur ndonjëherë si – pejan. Si qytetar i Pejës. Jo. Atë ditë e sot, për bashkëqytetarët e vendlindjes sime, për Pejën dhe pejanët, unë edhe kam qenë, edhe kam mbetur, edhe do të vdes – rugovas. Rugovan. Apo, ca dhe më pezhorativisht – “rugovc”! Edhe pse pothuajse gjithë ç’shkrova, në një mënyrë a në një tjetër, frymëzimin dhe burimin e ka mu në Pejë. Kurrë dhe asnjëherë vendlindja ime, Peja, nuk e ka shënuar (të paktën) një përvjetor timin – as të dyzetin, as të pesëdhjetin, as të gjashtëdhjetin, as të shtatëdhjetin. Pa le pastaj, qoftë larg, gjë më shumë.
Kështu ishte dhe kështu mbeti.
Po ama, do ti, Rugova, vendlindja e prindërve të mi, e babait nga Drelajt dhe e nënës nga Haxhajt, edhe pse pikërisht Rugovës ia kushtova – për mendimin tim! – vëllimin më të mirë me tregime (“Ahmet Koshutani”), më të parin roman timin (“Heshtja e armëve”) dhe radio-dramën time të parë, që u emetua vite me radhë në Radio (“Kur kositen livadhet”), edhe ata, atë ditë e sot, nuk më konsiderojnë dhe as më mbajnë – rugovas.
Kur u sajua, pa le se nga kush, lista e jo më pak se 550 (pesëqind e pesëdhjetë!) intelektualëve rugovas, emri im nuk figuronte në atë listë. As u ftova dhe as u denjova të marr pjesë në ndonjë “kuvend” të tyre! Përse?! Sepse unë nuk isha – rugovas! Sepse unë isha i lindur në  – Pejë!
Sot, tek po mbush mbi 60 vjet jetë në Prishtinë (gjashtë dekada jetë, heuuu!), asnjeri dhe asnjëherë – as në Prishtinë, as në Pejë, as në Rugovë – nuk më ka quajtur prishtinas a “prishtinali”. Jo. Kurrë. Gjithmonë, për prishtinasit, unë kam qenë dhe kam mbetur – pejan.
Me fjalë të tjera, kjo i bie disi – siç do të thoshte im bir, Migjeni – se unë, në të vërtetë, për gjithë këto mote, s’paskam qenë tjetër pos – apatrid! Njeri pa atdhe. Njeri pa – vendlindje.
E bëra këtë “hyrje në temë”, pak për gaz e më shumë për dhunë, që t’i gjegjem ftesës aq këmbëngulëse dhe prej shumë kohësh të mikut dhe kolegut tim të penës, Hajro Ulqinakut, një ulqinaku që s’e pati këtë fatin tim ”të keq”. Jo. Ai mbajti mbiemrin me emrin e vendit. U mbiquajt Ulqinaku. Hajro Ulqinaku. Si të më quanin edhe mua Peja a Pejani. Ramiz Peja a Ramiz Pejani.
Synimi i këtyre rreshtave, ndërkaq, është tjetër. Aspak i paqëllimtë. Dhe fare pa gaz a sarkazëm.
Për herë të parë, kështu e në këtë mënyrë, mu në të perënduar të jetës sime, botërisht e publikisht deklaroj se:
Ramiz KelmendiUnë, Ramiz Kelmendi, një apatrid as pejan, as rugovas, as prishtinas, kam (sidoqoftë) edhe një – vendlindje. Të pakontestueshme. Të mirëfilltë. Të vërtetë. Një vendlindje, që e kam dhe e mbaj për mburrje e rrahagjoks.
Kam vendlindjen time – letrare.
Vendlindja ime letrare, në plotkuptimin e fjalës, është – ULQINI!
Ky qytet, që – në atë vitin e largët 1953, kur, si student i Albanologjisë në Beograd – e vizitova së pari, mua, këtij pejani “rugovc”, që s’kisha parë kurrë det me sy, m’u duk qytet-ëndërr, qytet përrallor.
Ky qytet yni aq i bukur dhe një dashuri rinore, skofiare, tërësisht platonike, me një ulqinake sa të këndshme aq edhe të mençur (unë, asokohe, isha 23 vjeç!) më krijuan këtë vendlindje të re.
Frymëzuar nga Ulqini dhe nga kjo vashëz ulqinake, me shumë droe e pasiguri, me shifër dhe në konkursin për tregime të “Rilindjes”, shkrova tregimin tim të parë në jetë, një tregim me motiv nga Ulqini: “BARKA E PESHKATARIT”.
Shkrova paskëtaj edhe novelën e parë në jetën time, po ashtu me motiv nga Ulqini: “NJË MË PAK”.
Por, më të madhin borxhli më ka Ulqini mua, kur aq i merituari dhe i paharruari poeti Esad Mekuli, më botoi librin mbase më kurajoz për kohën, satirën aq akuzuese kundër sistemit dhe politikës antishqiptare të asaj kohe – “LETRA NGA ULQINI”, me të folme ulqinak(ç)e.
E kam, prandaj, për nder të më quajnë (edhe) ulqinak. Se vetëm Ulqini, kjo perlë e bregdetit shqiptar, më çeli – përkrah gazetarisë – rrugën e letrave shqiptare.
Më bëri edhe – letrar…